Bota

Qendra laike e Europës, që ka humbur kaq shumë përballë Islamit radikal

Screen Shot 2015-11-14 at 08.56.00

Jon Henley

The Guardian

Disa muaj pas sulmeve terroriste të frymëzuar nga Shteti Islamik dhe al Kaeda, ndaj revistës satirike Charlie Hebdo, që lanë 17 të vrarë në Paris në muajin janar, Franca ka rënë viktimë e një tjetër mësymjeje xhihadiste me përmasa edhe më të tmerrshme.

Sipas shumicës së vlerësimeve, Franca ka humbur më shumë njerëz prej islamit radikal, se sa çdo vend tjetër në Europë: një raport i Senatit francez në prill konkludonte se të paktën 1430 vetë, nga më shumë se 3000 xhihadistë të njohur europianë që kanë udhëtuar në Siri dhe Irak për të luftuar për ISIS-in, kanë qenë francezë.

Agjencia e lajmeve AFP raportonte në fillim të këtij viti se shërbimet e fshehtë francezë po monitoronin edhe 1570 persona të tjerë, që autoritetet besonin se kanë një farë lidhjeje me rrjete siriane, ndërkohë që më shumë se 7000 të tjerë konsideroheshin në rrezik për t’i hyrë të njëjtës rrugë.

Presidenti francez, Hollande tha të premten në mbrëmje: “Ne e dimë se nga vijnë këta sulme”, pa i vënë emrin ndonjë grupi të caktuar. “Në të vërtetë ka arsye të forta për të qenë të frikësuar”.

Më shumë se 150 francezë të radikalizuar po kryejnë aktualisht dënim me burg në Francë. Por më shumë alarmues, për shërbimet e sigurisë në vend, është fakti se të paktën 200 xhihadistë francezë, që kanë kaluar kohë në territoret e mbajtur nga ISIS, besohet se janë rikthyer në vend.

Grupi prej katër personash, përgjegjës për sulmet ndaj zyrës së Charlie Hebdo dhe një supermarket në qendër të Parisit  kishte lidhje me ISIS, përmes Amedy Coulibaly, i cili mendohet të ketë qenë truri i atentateve dhe pretendonte se “luftonte për Shtetin Islamik”; një tjetër prej atentatorëve mendohet se kishte marrë pjesë në stërvitje në kampe të al Kaedës në Jemen.

Në fillim të këtij viti, një raport i Qendrës Ndërkombëtare të King’s College për Studimin e Radikalizimit dhe Dhunës Politike thoshte se vetëm Arabia Saudite, Tunizia, Rusia dhe Jordania kishin më shumë nënshtetas që luftonin për ISIS, se sa Franca; në atë kohë kishte pothuaj dy herë më shumë radikalë francezë, se sa luftëtarë gjermanë dhe britanikë.

Pavarësisht një numri fushatash antiradikalizim nga autoritetet franceze, qeveria ka qenë e paaftë të pengojë shifra të konsiderueshme të pjesëtarëve të komunitetit mysliman në vend – që përbëjnë 7.5% të popullsisë – që të shkojnë drejt radikalizmit të dhunshëm dhe xhihadit.

Pakënaqësia e të rinjve, pjesë e një komuniteti të disavantazhuar dhe të diskriminuar shpesh në arsim, punësim dhe strehim, është nxitur më shumë prej masave kryesisht simbolike, që ata ndiejnë se janë marrë kundër Islamit, nën traditën e fortë laike të Francës, siç ishte përshembull ndalimi i mbulimit të plotë të fytyrës në publik. /Bota.al

Leave a Reply

Back to top button