Analiza

Qorrsokaku i Ukrainës

Qorrsokaku UkrainasLiberation

Barack Obama i bëri thirrje Rusisë të zgjedhë “paqen” dhe t’i japë fund “agresionit” të saj në Ukrainë, si një kusht paraprak për heqjen e sanksioneve perëndimore, në momentin ku negociatat mbi të ardhmen e rajoneve separatiste janë në pikën e vdekjes.

Duke marrë fjalën në tribunën e OKB-së, në prani të shefit të diplomacisë ruse Sergeï Lavrov, presidenti amerikan denoncoi “agresionin rus në Evropë”, që “të kujton një periudhë kur shtetet e mëdha i shtypnin të vegjlit, për të plotësuar ambicjet e tyre territoriale”.

Dhe pas pesë muajsh të një konflikti ku kanë vdekur më tepër se 3.200 persona, ai i bëri thirrje Kremlinit të zgjedhë “rrugën e diplomacisë dhe të paqes”, si i vetmi mjet për t’i nxitur perëndimorët që të heqin sanksionet e tyre ekonomike.

Duke bërë këtë, Barack Obama i kërkon de facto homologut të tij rus Vladimir Putin, qëtë ndikojë me të gjitha mjetet, me qëllim që separatistët të pranojnë ofertat e paqes së Kievit.

Deklarat e tij u bënë në fakt të nesërmen e njoftimit për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe legjislative më 2 nëntor nga separatistët prorusë të rajoneve të Donetskut dhe Louganskut.

Kjo inisiativë bëri efektin e një dushi të ftohtë në Kiev, ku pritej qysh prej disa ditësh përgjigja e separatistëve për propozimin e “statusit special”, i bërë nga presidenti ukrainas, Petro Poroshenko.

“Statusi special” synonte në dhënien e një autonomie më të madhe rajoneve separatiste dhe parashikonte mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 7 dhjetor, si dhe një amnisti me kushte për luftëtarët.

Por hedhja poshtë e planit të paqes nga separatistët, të cilët dëshirojnë të përparohet në rrugën e pavarësisë, hedh dritë mbi brishtësinë e procesit të paqes, të nisur javët e fundit.

Nëse ndërprerja e luftimeve është respektuar tërësisht – ushtria ukrainase raporton për tetë të plagosur dhe nuk ka njoftuar për asnjë të vdekur në rradhët e tyre gjatë 24 orëve të fundit – ana politike që ka të bëjë me të ardhmen e rajoneve rusofone të Lindjes mbetet më problematike.

Kievi ka frikë se Moska dhe separatistët do të bëjnë gjithcka për të ngrirë jo vetëm pozicionet aktuale, por tërësisht konfliktin dhe rajonin industrial të Donbass-it, duke u bërë një lloj Transdniestrie e re (një nga mini-shtetet jo të njohura nga ish-BRSS).

Në planin ushtarak, ushtria dhe rebelët vazhdojnë tërheqjen e topave të tyre nga vija e frontit. Duke tërhequr gradualisht pjesët e tyre të artilerisë, palët ndërluftuese po lejojnë krijimin e një zone tampon prej 30 km përgjatë vijës së frontit të ngrirë më 19 shtator.

Në 5 muaj, mbi 3.200 të vdekur

Por zona e çmilitarizuar mban në vetvehte dhimbjen e popullsisë. Sipas bashkisë së Donetskut, vetëm një civil është vrarë, qysh nga hyrja në fuqi e armëpushimit. Luftimet vazhdojnë të zhvillohen, sidomos në sektorin e aeroportit të qytetit, i kontrolluar nga ushtria ukrainase, e cila është e rrethuar dhe çdo ditë goditet nga rebelët.

Të shtëna intensive të topave janë dëgjuar në darkë në qendër të Donetskut, rreth dyzet të shtëna topi, ndërkohë që ishte e pamundur për të përcaktuar vëndin se ku shtihej.

Shenjë e tensionit të gjallë që mbretëron akoma midis Moskës dhe Kievit, mediat ruse akuzojnë ushtarakët ukrainas që kanë torturuar dhe vrarë katër civilë në lindje të Donetskut, akuzë të cilën ushtria e Kievit e ka përgënjeshtruar në mënyrë kategorike.

Sipas kanalit rus NTV, rebelët kanë zbuluar trupat e tre grave dhe të një burri pranë fshatit Komunar. Në Moskë partia Rusia e Bashkuar, mbështetëse kryesore e presidentit Vladimir Putin ka kërkuar krijimin e një komisioni ndërkombëtar.

Në një komunikatë, ushtria ukrainase ka përgënjeshtruar çdo implikim të saj, duke e denocuar si një “shembull të ri” dizinformimi të mediave.

PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button