Me burimin e qëndrueshëm të ushqimit, njerëzit u mblodhën në Mesopotami dhe formuan qytetet e para
Mesopotamia ishte shtëpia e disa prej qyteteve të para në ekzistencë, duke bërë që shumë ta lidhnin atë me lindjen e qytetërimit të vërtetë. Origjina e këtyre qyteteve nuk dihet ende sot, megjithëse ekzistojnë shumë teori. Një sugjerim është se zhvillimi dhe ndërtimi i tempujve krijoi një vend ku njerëzit mblidheshin, dhe kështu shërbenin si pika kontakti midis grupeve të ndryshme të njerëzve.
Të tjerë besojnë se njerëzit kërkonin strehim nga fatkeqësitë natyrore. Meqë mesopotamianët ishin në gjendje të zhvillonin teknologji për t’i ndihmuar të kontrollonin lumenjtë e afërt, ata mund të siguronin një prodhim të mirë. Ata nuk kishin nevojë të ishin nomadë dhe ishin në gjendje të vendoseshin në një vend. Është për këtë arsye që të gjitha qytetet e hershme u ndërtuan përgjatë dy lumenjve kryesorë.
Që nga momenti që sumerët filluan të formonin këto qytete, ndryshoi përgjithmonë historia e njerëzimit. Njerëzit kaluan nga të sunduarit prej natyrës, tek përpjekjet për ta kontrolluar atë dhe për ta bërë të punojë për ta. Në vitin 4500 pes, qyteti i parë i regjistruar u ngrit në formën e Urukut. Megjithatë, e vetmja strukturë urbane në këtë pikë ishte tempulli, i cili rregullonte të gjitha çështjet ekonomike dhe sociale.
Qëllimi qendror i këtyre qyteteve të hershme ishte të ndihmonin në rregullimin e tregtisë, pasi Mesopotamia jugore varej nga burimet e jashtme. Kjo nevojë inkurajoi përhapjen e urbanizimit. Megjithatë, komunikimi mes qyteteve ishte i vështirë, kështu që çdo qytet u zhvillua në një qytet-shtet individual. Kjo çoi në mosmarrëveshje territoriale dhe, në mënyrë të pashmangshme, në luftëra.
Për të mbajtur qytetet të mbrojtura, Mesopotamianët ndërtuan fortifikime dhe ngritën qytete me mure. Migrimi në këto qytete u rrit dhe u ngritën më shumë ndërtesa. Qytetet u zgjeruan gradualisht dhe u shpallën sundimtarër, të cilët më pas filluan të shikonin jashtë për tregti dhe pushtime. / bota.al