BotaMAIN

Raketa Oreshnik në Bjellorusi: çfarë fshihet pas strategjisë ruse për euro-raketat e reja

Rusia ka dislokuar raketa të reja balistike, të afta të godasin Europën brenda pak minutash. Një lëvizje që rikthen skenarin e viteve ’80 dhe shënon fundin e ekuilibrit të garantuar nga traktatet e çarmatimit

Raketa ruse Oreshnik e dislokuar në Bjellorusi

Presidenti bjellorus, Aleksandër Lukashenko, deklaroi dje se Rusia ka dislokuar raketat balistike me rreze të mesme “Oreshnik” në territorin e Bjellorusisë.

Presidenti rus Vladimir Putin kishte deklaruar të mërkurën se këta vektorë do të hynin në shërbim operacional brenda këtij muaji, pa dhënë detaje të mëtejshme. Më herët, Rusia kishte dislokuar armë bërthamore taktike në Bjellorusi dhe presidenti Lukashenko kishte pohuar se vendi i tij zotëron disa dhjetëra armë bërthamore taktike ruse. Sipas marrëveshjes për dislokimin e armëve bërthamore jo-strategjike në territorin bjellorus, e nënshkruar në vitin 2024, Rusia mbetet e vetmja palë që vendos për përdorimin ose jo të tyre, ndërsa Bjellorusia ka të drejtën të përcaktojë objektivat që do të goditeshin.

Ajo që po shohim sot është rikthimi i “krizës së euro-raketave” të viteve ’80 të shekullit të kaluar, kur Bashkimi Sovjetik vendosi në vitin 1979 të dislokonte raketën balistike të lëvizshme me rreze të mesme SS-20 (ose RSD-18 “Pioneer”). Nëse vendosej në Europën Lindore, Ukrainë dhe Bjellorusi (atëherë pjesë e BRSS-së), kjo raketë do t’i linte NATO-s vetëm pak minuta kohë për reagim, duke krijuar një çekuilibër strategjik në Europë. Bëhej fjalë për armë të projektuara për një sulm befasues, që me shumë gjasë do të neutralizonte kapacitetet ushtarake të Aleancës Atlantike në Kontinentin e Vjetër.

Në atë kohë, Shtetet e Bashkuara u përgjigjën duke dislokuar raketat “Pershing II” dhe raketat lundruese me ngarkesë bërthamore “Gryphon” (një “Tomahawk” i lëshuar nga toka) në Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar, Belgjikë, Holandë dhe Itali. Tensioni u rrit në nivele ekstreme, deri sa dy superfuqitë vendosën të eliminojnë kërcënimin e raketave me rreze të mesme dhe të ndërmjetme në Europë, duke nënshkruar Traktatin INF (Intermediate Nuclear Forces) në vitin 1987.

SHBA u tërhoq nga ky traktat në vitin 2018, duke sjellë në fakt shfuqizimin e tij. INF nuk ishte vetëm një instrument çarmatimi, por edhe stabilizimi për Europën, në një periudhë kur dy superfuqitë po zhvillonin një garë armatimesh të paprecedentë, me rrezikun real të një përplasjeje direkte për shkak të tensioneve dhe keqkuptimeve reciproke.

SHBA-të dolën nga INF sepse ai nuk vendoste kufizime globale për këto lloj armësh, por vetëm në Europë, duke u bërë kështu i vjetëruar përballë riarmatimit kinez, i cili përfshin një numër të madh raketash me rreze të mesme dhe të ndërmjetme.

Sot, ky ekuilibër i çarmatimit është zhdukur. Edhe pse Shtetet e Bashkuara, për momentin, nuk duken të prirura të dislokojnë në mënyrë të përhershme sisteme raketore me rreze të gjatë “Typhon” me kapacitet bërthamor në Europë, konkretisht në Gjermani, Rusia ka vendosur të zgjasë krahun e saj bërthamor për të kërcënuar drejtpërdrejt territorin europian, me një armë që, ashtu si SS-20-at sovjetikë të viteve ’80, do të linte shumë pak kohë për reagim.

Situata rëndohet edhe më tej nga fakti se Europa ka nisur vetëm kohët e fundit ndërtimin e një arkitekture të mbrojtjes ajrore dhe antiraketë, si dhe nga vullneti amerikan për t’u tërhequr gradualisht nga teatri europian, i cili nuk shihet më si prioritar, por si dytësor. Madje, në Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare, Europa nuk përmendet si teatër përballjeje me Rusinë, por si entitet për t’u kundërshtuar për shkak të politikave të Bashkimit Europian.

Është e vështirë të mendohet se Shtetet e Bashkuara nuk do të aktivizohen për të mbrojtur Europën në rast të një sulmi të tillë, duke përdorur bazat e tyre në Rumani dhe Poloni. Megjithatë, në balancën aktuale të forcave në Europë, është e qartë se Uashingtoni nuk ka ndërmend të kompensojë çekuilibrin e krijuar nga dislokimi i raketave ruse në Bjellorusi, as tani dhe as në të ardhmen.

Siç është theksuar tashmë, SHBA-të janë të përqendruara në frenimin e Kinës në Indo-Paqësor ku sistemet “Typhon” luajnë një rol kyç dhe në këtë moment duket se Shtëpia e Bardhë nuk dëshiron të irritojë Kremlinin, në një kohë kur përfundimi i armiqësive në Ukrainë u duket amerikanëve më afër. Të paktën në dukje.

Realiteti në terren dhe veprimet agresive ruse ndaj Europës, të zhvilluara në fushën e gjerë të luftës hibride, tregojnë një histori tjetër: një Rusi që do ta mbyllë konfliktin vetëm pasi të ketë marrë gjithçka që mund të përfitojë nga negociatat me një SHBA që ka nxitim ta mbyllë lojën, dhe për këtë arsye shfaqet më e butë dhe më tolerante.

Për të kuptuar plotësisht kërcënimin raketor rus në Bjellorusi, vlen të kujtohet se raketat “Oreshnik”, të derivuara nga RS-26 “Rubezh”, një raketë ndërkontinentale e braktisur për mungesë fondesh, janë të afta t’u japin kokave me mbushje të shumëfishtë me të cilat janë të pajisura një shpejtësi finale mbi Mach 10, pra pothuajse sa ajo e një rakete balistike ndërkontinentale.

Bëhet fjalë për një raketë me rreze të ndërmjetme, që do të thotë se ka një rreze maksimale deri në 5.500 kilometra. Edhe pse nuk dihet saktësisht se deri në çfarë distance reale mund të godasë, është e arsyeshme të mendohet se, me dislokimin e saj në Bjellorusi, ajo mund të mbulojë praktikisht të gjithë Europën Perëndimore. / bota.al

Back to top button