Siç e thotë edhe citati i famshëm “Një gënjeshtër bën xhiro në gjysmën e botës, para se e vërteta të ketë shansin të veshë pantallonat e saj”. Në epokën dixhitale, dezinformimi dhe teoritë e konspiracionit arrijnë tek miliona njerëz, përpara se platformat e mediave sociale të arrijnë t’i fshijnë.
Me informacionet a pasakta kundër vaksinave anti-Covid që janë përhapur në masë në internet, shumë njerëz mund të mendojnë se ka shumë njerëz që përhapin pretendime tërreme në lidhje me pandeminë. Por një raport i ri zbulon se ashtu si loja me “telefonin e prishur”, këto gënjeshtra e kanë burimin tek një person ose në rastin konkret tek një duzinë individësh.
Studiuesit nga Qendra për Luftimin kundër Urrejtjes Dixhitale (CCDH) dhe Monitoruesit e Lëvizje Kundër Vaksinave, thonë se vetëm 12 njerëz dhe organizata janë përgjegjëse për qarkullimin e gati 2/3 të përmbajtjes kundër vaksinave që po qarkullojnë sot nëpër mediat sociale.
Për më tepër, pavarësisht premtimeve të tyre për t’i mbyllur llogaritë dhe fshirë postimet që përhapin dezinformata në lidhje me Covid-19, studimi në fjalë zbulon se drejtuesit e mediave sociale nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim kundër këtyre individëve.
“Dezinformimi është shndërruar në një kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin publik. Në mesin e një pandemie globale, lëvizja e kundërshtarëve të vaksinave ka ndërmarrë një fushatë për t’i mashtruar amerikanët në lidhje me sigurinë e vaksinave kundër Covid-19. Mediat sociale po u japin mundësi këtyre njerëzve që të rekrutojnë miliona amerikanë dhe t’i indoktrinojnë ata me frikë dhe dyshim. Nëse kompanitë e Big Tech nuk veprojnë tani, pandemia do të zgjatet akoma më tej, dhe do të humbasin akoma më shumë jetë njerëzish”-thotë kreu i ÇDH Imran Ahmed.
Autorët e studimit analizuan postimet kundër vaksinave të shpërndara mbi 812.000 herë midis 1 shkurtit dhe 16 marsit 2021në Facebook dhe Twitter. Rezultatet zbuluan se 65 përqind e këtij materiali vjen nga 12 zërat më të shquar kundër vaksinave.
Ky është një grupim që përfshin sipërmarrës, mjekë, madje edhe një anëtar të familjes së njohur politike Kenedi në SHBA, Robert Kenedi Xhunior, sipërmarrësit Xhozef Merkola, Tajdhe Sharlen Bolinger dhe Keli Brogan, mjekët Sherri Tenpeni, Rashid Butar dhe KristianaNorthrup. Gjithashtu, në këtë listë përfshihen edhe figurat me ndikim në mediat sociale Riza Islam, Erin Elizabet, Sajer Ji, Ben Taper dhe Kevin Xhenkins.
Vetëm në Facebook, raporti pretendon se ky grup është përgjegjës për 73 për qind të përmbajtjes së materialeve kundër vaksinave të shpërndara përmes rrjeteve sociale. Përkundër këtij fakti dhe zotimit për të hequr pretendime të paverifikuara dhe dezinformata, si në rastin e ish-presidentit Trump, studiuesit zbulojnë se “Duzina e dezinformatorëve” ka qenë kryesisht i paprekur nga censorët e mediave sociale.
Në fakt, deri në datën 25 prill, 10 nga 12 prej tyre ishin ende aktivë në Facebook dhe Twitter. 9 prej tyre kishin ende llogari aktive në Instagram. “Sipas raportit tonë të fundit, aktivistët kundër vaksinave në Facebook, YouTube, Instagram dhe Twitter, kanë më shumë se 59 milionë ndjekës, duke i bërë këto platformat më të mëdha dhe më të rëndësishme të mediave sociale për këtë lëvizje”-thekson Ahmed.
Ky nuk është studimi i parë mbi teoritë konspirative kundër vaksinave anti-Covid. Studiues të tjerë kanë sugjeruar më herët se shpërndarja e përhapur e keqinformimeve mbi Covid-19 po çon në rënie të niveleve të vaksinimit gjatë pandemisë. Raporte të tjera, kanë zbuluargjithashtu se pezullimi apo ngadalësimi i procesit të administrimit të vaksinave kundërCovid-19 për shkak të frikës se ato shkaktojnë efekte anësore, do të çojë në më shumë vdekje prej virusit. / StudyFinds – Bota.al