Bota

Raporti “fshehtë”: Pezullim 5 vite nga Eurozona për Greqinë

Screen Shot 2015-07-12 at 09.24.16

Nëpër takime zyrtare, qëndrimi i Gjermanisë në lidhje çështjen e borxhit të Greqisë, ka qenë gjithmonë diplomatik. Hera-herës, zyrtarët gjermanë mund të kenë shfaqur dyshime. Por prapa kuintave, Berlini e ka të qartë qëndrimin e tij. Sipas tyre, është e pashmangshme një dalje e Greqisë nga Eurozona.

E përditshmja gjermane, “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ka bërë të ditur se ekziston tashmë një dokument i Ministrisë së Financave të Gjermanisë, sipas të cilit autoritetet gjermanë nuk janë aspak të bindur prej planit që ka parashtruar Greqia.

“Duhet t’u themi homologëve grekë se nuk kanë bërë asgjë në drejtim të forcimit të besimit reciprok”, thuhet në dokumentin e ministrisë së Financave. Ndërkohë, vetë Ministri i Financave të Gjermanisë, Schaeuble, ka përforcuar edhe më tej këto informacione, teksa i ka përshkruar si tejet të vështira bisedimet me grekët. Por nuk është i vetmi. Kancelarja Merkel ka shprehur edhe ajo dyshimet e saj. Pak ditë më parë, Merkeli deklaroi se tashmë ka arritur një moment kur masat e reja duhet të shkojnë përtej atyre që kredidhënësit i kishin kërkuar Greqisë.

Ndonëse informacionet e parë janë joformalë dhe ende nuk janë të konfirmuar, nga ana e mediave të Gjermanisë këmbëngulet se plani i paraqitur nga Athina, sipas të cilit kërkohen 12 miliardë Euro, do të rrëzohet, dhe si pasojë, do të “lejohet” dalja e Greqisë nga Eurozona, ndonëse jo në mënyrë përfundimtare.

Sipas po të njëjtëve burime, nga ana e Gjermanisë do të kërkohet një pezullim minimumi 5 vite për Greqinë në Eurozonë. Sipas Berlinit, kjo do të ishte koha e mjaftueshme që Athina të bënte të gjithë veprimet e nevojshme për ristrukturimin e borxhit.

Kancelarja Merkel, sipas mediave ndërkombëtare, ndodhet tashmë në një situatë të sikletshme. Nga njëra anë i duhet të merret me situatën e krijuar prej borxhit të Greqisë, e nga ana tjetër duhet të japë llogari përpara popullit të saj. Sondazhet e fundit i tregojnë kancelares se gjysma e gjermanëve do të donin që Greqia të linte Eurozonën.

Parlamenti i Greqisë miratoi të shtunën në të gdhirë draftin e propozimeve të Greqisë, të cilat më pas u janë parashtruar kredidhënësve ndërkombëtarë. Ironia qëndronte në faktin që pjesë e propozimeve ishin edhe disa reforma, të cilat qytetarët grekë i hodhën poshtë në votimin e referendumit, ditën e dielë.

Ministri grek i Financave bëri të ditur se, ndërkohë që një pjesë e reformave kërkojnë sakrifica, ka edhe disa prej tyre që janë të favorshme për Greqinë./Bota.al

Ja dokumenti i gjermanëve, për të cilin është folur aq shumë këto ditë:

Screen Shot 2015-07-12 at 09.25.34 Screen Shot 2015-07-12 at 09.25.42

Leave a Reply

Back to top button