Bota

Referendumi britanik do të përcaktojë fatin e Bashkimit Europian

Screen Shot 2016-04-20 at 6.17.13 PMBernard Guetta

Afro dy muaj nga dita e referendumit mbi Bashkimin Europian, dy sondazhe (njëri i Guardian dhe tjetri i Telegraph) i japin shumicën e votave, respektivisht 53 dhe 54%, qëndrimit të Mbretërisë së Bashkuar në BE.

Këto përqindje duhen marrë me kujdes, sepse një sondazh është vetëm fotografia e një momenti dhe institucionet britanike që merren me sondazhe, kanë prapa një histori të gjatë gabimesh. Për momentin nuk ka asgjë të garantuar, edhe sepse fushata sapo ka nisur. Megjithatë, të habit fakti që pikërisht kur David Cameroni, kryeministër dhe kundërshtar i madh i Brexit, po kalon një fazë akute të mungesës së popullaritetit, ne kemi, edhe pse për një ditë, një shumicë të qartë të britanikëve që janë kundër daljes së vendit të tyre nga BE.

Situata është edhe më e habitshme, nëse mendojmë që numri i të pavendosurve reduktohet në mënyrë progresive, dhe deri tani sondazhet kishin folur për një avantazh të euroskeptikëve gjithmonë të shumtë në Mbretërinë e Bashkuar, një vend ku kontinenti konsiderohet tradicionalisht një burim luftërash dhe problemesh.

Një vepër në ndërtim prej 60 vitesh

Nëse ommentet e tjerë do të konfirmojnë atë të djeshmin, nëse kundërshtimi ndaj daljes së Britanisë do të fitojë në 23 qershor, nëse britanikët do të shprehin përfundimisht aderimin e tyre në idenë e një uniteti europian, pasojat do të ishin shumë të mëdha. Në këtë mënyrë, britanikët do u komunikonin europianëve të tjerë që, as ata nuk duan ta shpërbëjnë unionin, pavarësisht izolimit të tyre, vecantisë së tyre dhe mjeteve të tyre të informimit, që janë në shumicë euroskeptike.

Ky mesazh do të godiste fort të djathtat e reja ekstreme europiane, duke demonstruar që, pavarësisht zhgënjimeve dhe zemërimit që ka shkaktuar funksionimi i BE, nuk ekziston një shumicë europiane që të jetë kundër një vepre e cila po ndërtohet prej dekadash, ende e papërfunduar, por prania e të cilës është bërë një konstante për dy breza.

Sigurisht, është ende e mundur që në fund të triumfojë Brexit. Në këtë rast do të kishim një tërmet të vërtetë, sepse shumë politikanë dhe parti do të zbrisnin në terren për të treguar kartat e tyre, presioni për referendume të tjerë të ngjashëm do të rritej në gjithë Europën dhe mbrojtësit e projektit europian do të gjendeshin në pozicion mbrojtës. Do të ishte shumë e vështirë ringritja, pas një goditjeje të tillë.

E vetmja siguri është që, Brexit apo jo Brexit, Bashkimi Europian duhet të ndërtohet prej atyre që duan të shkojnë më larg, drejt një uniteti politik dhe atyre që refuzojnë t’i ndjekin, sepse u mjafton tregu i përbashkët dhe nuk duan të heqin dorë nga sovraniteti. Në dy muajt e ardhshëm do të luhet fati i Europës, dhe asgjë nuk është më e rëndësishme, se sa kjo betejë.

France Inter – Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button