Analiza

Referendumi mbi BE do tregojë nëse Kameroni është “çiraku”, apo “ustai”

Screen Shot 2015-06-15 at 16.50.54

Nga Matthew D’Ancona

Referendumi i ardhshëm, mbi vijimësinë apo jo të anëtarësimit të Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian, është një test për shumë gjëra, duke filluar nga vetë-perceptimi i britanikëve – ndjesia e tyre mbi vendin e Britanisë në botë –me autoritetin e Dejvid Kameronit dhe meritat përkatëse të atyre që do të zënë vendin e tij.

Pesë javë më pare, kryeministri triumfoi në zgjedhjet e përgjithshme, ku nuk pritej të fitonte. Për më shumë se një muaj, ai ka marrë frymë nga oksigjeni i pastër i fitores dhe ka treguar muskujt e atij që është politikisht i pasfidueshëm. Megjithatë, duke para-njoftuar largimin e tij para zgjedhjeve të ardhshme, ai ndërkaq ka ndezur që tani garën e parë për lidershipin e konservatorëve që nga viti 2005.

Referendumi që duhet të mbahet para fundit të 2017-ës, do të jetë i pari dhe përcaktues thelbësor i kësaj beteje. Ajo do të zbulojë, se ku gjendet qendra ideologjike e gravitetit në Partinë Konservatore moderne. Ajo ndërkaq do të testojë  edhe pretendentët e njohur  tashmë si pasues të Kameron- Xhorxh Osborn, Boris Xhonson, Tereza Mej – dhe zbuluar ndonjë kandidat të ri.

Mbi të gjitha, ajo do të përcaktojë njëherë e mirë nëse Kameron është mjeshtër apo një shërbëtor i fisit të tij të brishtë. Fuqia përçarës e Evropës në politikën tone, ka qenë prej kohësh e jashtëzakonshme. Në referendumin  e vitit 1975, Harold Uilson ishte i detyruar t’i lejonte kolegët e tij, kryesorë të bënin fushatën në anën e kundërt. Në mars, kabineti qeveritar u nda 16 me 7, në favor të qëndrimit në Komunitetin Ekonomik Europian;145 deputetët laburistë votuan kundër propozimeve të qeverisë së tyre.

Uilson – vetëm me një mbështetje të vakët në favor vazhdimit të anëtarësimit- kishte pak mundësi, por  la Roi Xhenkins, Denis Hellej, dhe Shirli Uilliams (pro KEE) të luftonin publikisht me kolegët e tyre, Toni Ben, Barbara Kestëll dhe Majkëll Fut. Sikurse Dominik Sendbruk, shkruan në librin e tij të mrrekullueshëm mbi Britaninë e viteve ‘70 ”Stinët në diell” i gjithë cirku ishte një “shfaqje e veçantë” e turpshme.

Nëse dyshoni se përgjegjësia kolektive mbetet një çështje që gjallon prej 40 vjetësh, merrni parasysh fiaskon gjatë fundjavës së shkuar. Në takimin e G7-ës në Gjermani, kryeministri britanik u pyet nëse ai “ishte tërësisht i bindur për t’i lejuar ministrat për një votim të lirë” në referendum. Kameron u përgjigj:”Unë kam qenë shumë i qartë, duke u thënë se në rast se ju doni të jeni pjesë e qeverisë, duhet të mbani qëndrimin se ne jemi të angazhuar në këtë valë rinegociatash për të organizuar një referendum, dhe që do të çojë drejt një përfundimi të suksesshëm”.

Çfarë do të thotë kjo? Në Londër, një burim pranë qeverisë më tha të shtunën, se kjo çështje veçantë ishte larg zgjidhjes së afërt. Kishte shqetësim, për shembull, që Jan Dankan Smith, nuk do të jetë në gjendje të mbështesë kushtet e rinegociuara për anëtarësimin në BE. A do vërtet Kameron të largojë ish-udhëheqësin konservator nga kabineti i tij qeveritar?

Megjithatë, vërejtjet e kryeministrit në mbledhjen e G7-ës, janë interpretuar nga mediat si një paralajmërim i qartë se ministrat që dëshirojnë të bëjnë fushatë kundër qëndrimit të qeverisë, do të duhet të japin më parë dorëheqjen. Në fakt, kjo e ekzagjeron qëndrueshmërinë e pozicionit të tij aktual.

Të hënën, kryeministri bëri një “sqarim”, që në mënyrë të pashmangshme dukej si një klithmë. Sipas zëdhënëses së tij zyrtare, këmbëngulja e tij një ditë më parë mbi përgjegjësinë kolektive, aplikohet vetëm për periudhën e rinegocimit, në vend se të vetë fushatës së referendumit.

Ndërsa për të dëshmuar se pse kjo çështje e veçantë është aq nevralgjike për Kameron, Boris Xhonson deklaroi se ”do të jetë ndoshta më e sigurtë dhe harmonike” të çlirohen ministrat nga përgjegjësia kolektive, gjatë fushatës së referendumit. Sa i pafajshëm tingëllon ky vëzhgim. Por kryetari i Bashkisë së Londrës, nuk është vetëm një konkurrent për drejtimin e partisë. Ai është gjithashtu një ndër pak politikanë, të cilët mund të bëjnë që fushata për t’u larguar nga BE të duket dinamike, me vetë-besim dhe emocionuese.

“Për diçka si kjo, keni vërtetë nevojë të vini ndokënd nën presion?”-pyeti Boris. Për të cilën, përgjigja parimore duhet të jetë:Po, absolutisht. Partitë politike nuk janë shoqata ku thjesht debatohet apo mjete të dobishme për ambicie personale, por organizata për marrjen kolektive dhe mbajtjen e pushtetit. Disiplina është ose duhet të jetë, thelbi i saj.

Ju mund të mendoni që një kryetar partie, i cili sapo ka korrur një fitore të bujshme – e bujshme, sepse ishte e papritur – ka të drejtë të unifikojë partinë në 6 muajt që pasojnë. Por jo të gjithën në fakt. Tashmë, një trupë e partisë ka formuar faksionin ‘Konservatorët për Britaninë’, një grup prej rreth 50 deputetësh thellësisht eurosceptikë, të cilët u mblodhën për t’i kujtuar Kameronit, se shumica e tij është e brishtë dhe se ai është i dobët, ndaj çfarëdolloj rebelimi i mundshëm në parlament mbi këtë apo ndonjë çështje tjetër.

Por Evropa, sigurisht, nuk është si çdo çështje tjetër – dhe veçanërisht jo për Partinë Konservatore. Për konservatorët e të gjitha rrymave, vendi i Britanisë në BE, është shumë më tepër se një çështje  ngushtësisht ekonomike, kulturore ose institucionale. Ajo është thuajse një çështje vetëdije, një shembull kryesor i polemikës së George Uill, se arti i qeverisjes është si një lojë elektronike.

Partia Konservatore nuk është më e ndarë ndërmjet euroskeptikëve dhe eurofilëve, por mes euroskeptikëve të rrymave të ndryshme:të atyre që duan të largohen nga BE-ja, dhe atyre që duan të qëndrojnë. Në të djathtë, ata që nuk pajtohen me propozimet e Kameron – kur ato u shpallën – dhe që janë gati të vendosin për të bërë fushatë për largimin nga BE, duhet të kenë kurajo mbi bindjet e tyre dhe të japin dorëheqjen.

Megjithatë, si në vitin 1975, prakticiteti ndoshta do të triumfojë mbi parimin. Kryeministri e vlerëson autoritetin e tij, por ai gjithashtu e kupton estetikën e politikës. Pak gjëra do të duken keq në aktin e fundit të udhëheqjes së tij të gjatë, sesa një stuhi dorëheqjesh nga ana e figurave kryesore të partisë. Ky referendum është një proces, që udhëhiqet nga parimet e larta dhe precedenti historik. Retorika do të fluturojë. Por këmbët e Kameronit do të mbeten të ngulura në tokë. Mos harroni kurrë se mbi të gjitha, ky është një kryeministër pragmatist.

Burimi: London Evening Standard

Në shqip nga: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button