Analiza

Rendi përballë kaosit, Pjesa 2

Thomas L. Friedman

Order vs DisorderPrej pak kohësh, kam argumentuar se është gjithmonë e dobishme të studiosh konfliktin izraelito-arab, sepse ai është për luftën e gjerë të qytetërimeve, njësoj siç është “Off Browadëay” për “Broadway”-n. Shumë gjëra fillojnë aty dhe më pas shkojnë në “Broadway”. Atëherë, çfarë po shohim të luhet në “Broadway” këto ditë? Konflikti izraelo-arab është shndërruar në një miniaturë të ndarjes më të rëndësishme në botë sot: asaj mes “botës së rendit” dhe “botës së kaosit”.

Izraeli përballet me aktorë joshtetërorë në rroba civile, të armatosur me raketa dhe të bëra vetë, të strehuar mes civilëve në katër prej pesë kufijve të tij: Sinai, Gaza, Liban dhe Siri. Dhe më e habitshme për këtë situatë, është se mjetet tradicionale për të rikthyer rendin duken të jenë joefektive. Izraeli, një mini superfuqi, vazhdon të godasë llumin e militantëve islamikë në Gaza me forcën e vet moderne ajrore, por militantët e fuqizuar palestinezë, duke shfrytëzuar mjetet e teknologjisë të lartë por jo të kushtueshëm, vijojnë të rikthehen me raketa të bëra vetë, e madje edhe një avion pa pilot të bërë vetë. Dikur, për të prodhuar një avion të tillë pa pilot të nevojitej një kontakt me Boeingun. Tani mund ta bësh një të tillë vetë, në Gaza…

Cfarë duhet bërë? Së pari, do të ishte shumë mirë sikur fuqitë e mëdha të botës së rendit – SHBA, Rusia, Kina, Japonia, India dhe Bashkimi Europian – do tëishin në gjendje të bashkëpunonin më shumë për të frenuar përhapjen e botës së kaosit. Kjo është sigurisht e domosdoshme. Por shanset për këtë janë të kufizuar. Asnjë fuqi e madhe sot nuk dëshiron të fusë duart në botën e kaosit, sepse e vetmja gjë që fiton është një faturë për t’u paguar. Por edhe po ta bënin, nuk do të mjaftonte.

Në këndvështrimin tim, e vetmja mënyrë si Izraeli mund të ndalë vërtetë rrezikun e raketave të Hamasit është nëse palestinezët e Gazës kërkojnë që raketat të ndalen. Sigurisht, Izraeli mund t’i shkaktojë shumë dhimbje Gazës për të arritur një armëpushim, por ky nuk zgjat asnjëherë. E vetmja mënyrë për ta bërë është që Izraeli të ulet me palestinezët e moderuar në Bregun Perëndimor, për të ndërtuar një shtet të lulëzuar aty, me qëllim që palestinezët e Gazës të zgjohen përditë dhe t’i thonë Hamasit nihilist: “Duam atë që kanë kushërinjtë tanë në Bregun Perëndimor”. Kontrolli i vetëm i qëndrueshëm është ai që vjen nga brenda.

Pikërisht kështu e mposhti ushtria amerikane versionin e mëparshëm të ISIS-it, kur xhihadistët morën provincën Anbar në Irak në vitet 2006-2007. SHBA bashkëpunoi me liderët e fiseve sunitë të cilët nuk e donin Islamin puritan, apo që bijat e tyre të detyroheshin të martoheshin me fondamentalistët, apo të hiqnin dorë nga uiski i tyre. Por jo thjeshtë i armatosëm. Ne ndërmjetësuam një marrëveshje për të ndarë armët, pushtetin dhe vlerat – për të ardhmen e Irakut – mes atyre fiseve sunitë dhe kryeministrit shiit të Irakut, Nuri al-Maliki. Kjo i dha fund kaosit xhihadist atje në vitin2007.

Dhe çfarë bëri al-Maliki sapo ne u larguam nga Iraku? Ai ndali pagesat për militantët e fiseve sunitë dhe u përpoq të arrestojë politikanë të moderuar sunitë. Në vend që të vazhdonte të ndërtonte mbi themelin që ne kishim hedhur përmes ndarjes së pushtetit, Maliki e shkatërroi atë. Prandaj ISIS e pati të lehtë të futet. Sunitët e Irakut nuk do të luftonin për qeverinë e Malikit. S’kish besim, s’kish ndarje pushteti – s’kish rend.

Kolonët hebrenj në Izrael kanë bërë gjithçka që mundeshin për të ndërtuar më shumë vendbanime dhe dëmtuar besimin e palestinezëve, që Izraeli do të ndajë ndonjëherë pushtetin e mjaftueshëm për krijimin e një shteti palestinez në Bregun Perëndimor. Dhe lidershipi i moderuar dhe laik palestinez në Bregun Perëndimor ka treguar shpesh herë shumë pak kurajë për të bërë kompromis. Kështu që, nuk ekzistojnë alternativa bindëse ndaj nihilizmit të Hamasit në Bregun Perëndimor. Izraeli, palestinezët e moderuar dhe al Maliki, të gjithë i kanë çuar dëm gjithë këta vite të qetë. Dhe al Maliki si dhe udhëheqësit e Izraelit tani këmbëngulin që të eleminojnë rreziqet ushtarakë që u paraqesin radikalët – përpara se të rindërtojnë apo të rishqyrtojnë disa prej alternativat politike që ata vetë dhanë një dorë për t’i hedhur poshtë. Kjo nuk do të funksionojë.

Patrick Doherty, autori i “Një strategji e re e madhe e SHBA” në revistën Foreign Policy, argumenton se po të shohësh reagimet tradicionalë ndaj botës së kaosit, nga udhëheqës amerikanë por jo vetëm, vëren se ka shumë “kontrollorë dhe prishës, por jo ndërtues. Liderët tanë janë trainuar për taktikat e kontrollit gjatë Luftës së Ftohtë – dmth “menaxhim krizash”. Kështu që, nuk është e habitshme që po e përdorim fuqinë tonë për të kontrolluar riskun dhe ruajtur një status quo që duket hapur se po dështon. Por tani, ne kemi nevojë që liderët tanë të jenë ndërtues, si dhe aq largpamës sa t’i japin formë një rendi të qëndrueshëm ndërkombëtar – si dhe të mbështesin liderët rajonalë që duan të njëjtën gjë”. Kontrolli, vëren Doherty, sigurisht ëstë më mirë se kaosi. Por, siç e kemi parë me kontrollorët që Amerika u përpoq të përshtasë në Egjipt, Irak dhe Izrael, marka e tyre e kontrollit “është e prirur drejt stanjacionit dhe teprimeve, pasi pushteti është i përqëndruar për t’iu kundërvënë forcave të kaosit”.

Kur të gjithë mjetet e vjetër të kontrollit nga lartë-poshtë do të jenë gjithnjë e më pak në dispozicion apo gjithnjë e më të kushtueshëm (në një botë me njerëz të fortë dhe teknologji të forta, të jesh i fortë nuk është siç ka qenë më parë), liderët dhe popujt e tyre do të duhet të përshtasin një burim të ri dhe më të qëndrueshëm rendi, i cili buron nga poshtë-lart dhe është ndërtuar mbi ndarjen e pushtetit, vlerave dhe besimit. Lidershipi do të duhet të kultivojë këtë lloj rendi. Po po, e di që tingëllon e pamundur. Por, në një kohë kur banorët e izoluar të Gazës janë në gjendje të prodhojnë avionët e tyre pa pilot, rendi nuk është më i kollajtë. /IHT/

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button