Analiza

REPORTAZH/Të jetosh krizën në një Moskë pothuajse sovjetike

Çmimet në stratosferë, shpëton vetëm vodka

Kasha dhe cirku, pothuajse identitetare për popullin rus, dëshmojnë për “dimrin” e pakënaqësisë së madhe që ka përfshirë vendin. Sanksionet perëndimore, të shkaktuara nga kriza ukrainase dhe rënia e çmimit të naftës, së bashku me zhvlerësimin dramatik të rublës, kanë një efekt të dyfishtë në rritjen e inflacionit dhe çuarjen e vendit drejt stanjacionit ekonomik

moscow

Në restorantet përreth Dumës (parlamentit rus), çmimi i një pjate “kasha” (drithëra të pjekur dhe tejet të preferuar nga rusët) është rritur nga 20 në 53 rubla, ose 0.7 euro, një rritje kjo prej 150 përqind, gjë që i ka zemëruar shumë deputetët. Sigurisht me një pagë prej 400 mijë rublash në muaj ose mbi 5 mijë euro, 10 herë me shumë sesa mesatarja e bashkatdhetarëve të tyre, deputetët rusë duhet të ishin të fundit, që të ankoheshin. Aq më tepër kur kasha-ja e tyre, kushton një të tretën e asaj që njerëzit e zakonshëm paguajnë për të në një “Kofe Khauz”, një zinxhir shumë popullor kafenesh.

Por nëse privilegjet e kastës nuk kanë kufij, kostoja e lartë e kasha-së, tregon që edhe Duma nuk është më një zonë e shtrenjtë. Cirku shtetëror rus, institucioni ikonë i kulturës kombëtare, po planifikon të pushojë nga puna një të tretën e 7 mijë punonjësve të tij. Rënia e të ardhurave dhe rritja e kostove e ka detyruar drejtorin e përgjithshëm Vadim Goglojev, të heqë qafe edhe shumë kafshë, duke filluar nga 49 krokodilat e zbutur, pak të përdorur në numrat më të fundit.

Nuk është e qartë se ku do të shkojnë ata, ndoshta në ndonjë kopsht zoologjik apo akuarium.
“Por nuk do të bëhen çanta apo rripa” – siguron Goglojev.

Kasha dhe cirku, pothuajse identitetare për popullin rus, dëshmojnë për “dimrin” e pakënaqësisë së madhe që ka përfshirë vendin. Sanksionet perëndimore, të shkaktuara nga kriza ukrainase dhe rënia e çmimit të naftës, së bashku me zhvlerësimin dramatik të rublës, kanë një efekt të dyfishtë në rritjen e inflacionit dhe çuarjen e vendit drejt stanjacionit ekonomik. Rusia do të mund të mbyllë vitin 2015 me një rënie jo më të vogël se 4 përqind. Dyfishimi i çmimit të mallrave ushqimore, që ndodh për herë të parë që prej vitit 2000, ka reduktuar me më shumë se 7 përqind të ardhurat reale. Dhe jemi vetëm në fillim. Pas disa viteve të një rritjeje ekonomike relative, rusët po përballen me emergjenca thuajse të harruara, reminishencë e epokës sovjetike. Po rishfaqet psikoza e mungesave. Dhjetorin e shkuar, në shumë supermarkete në Moskë dhe Shën Petersburg nuk gjendej më gruri saraçen, ai që në gjuhën popullore njihet si “Grechka”, drithi më i përdorur për gatimin e kashas.

Në përgjigje të kësaj situate, rrjetet e pakta të dyqaneve që ende e kishin atë lloj drithi, vendosën të shisnin maksimumi deri në 5 kg për person, kjo për të dekurajuar kërkesën. Brenda një muaji çmimi i “Grechka”-s, u rrit me më shumë se një të tretën. Disa shitës me pakicë përfituan, duke krijuar tregje fiktive mashtruese mbi të gjitha për bukën, mishin dhe peshkun e ngrirë. Prokuroria federale ka hapur tashmë 400 dosje penale me akuzën e kundravajtjes kundër shumë dyqaneve, të dyshuara se në mënyrë të paarsyeshme ngrenë çmimet.

Sipas Sergej Smirnov nga “Shkolla e Lartë Ekonomike”, qeveria nuk e ka llogaritur mirë efektin që sanksionet do të kishin mbi çmimet e konsumit, dhe tashmë po përpiqet të evitojë rëndimin e situatës. Si gjithmonë, zgjidhja qëndron tek kontrollet nga lart. Sidomos mbi produktet më të ndjeshme, nga të cilat varet edhe humori i popullit. Kryeministri Dimitri Medvedev, përmes një dekreti ka ulur tashmë çmimin minimal të vodkës, nga 220 në 185 rubla për gjysmë litri, zyrtarisht për të dekurajuar prodhimin e samogonit, një pije kjo shkatërruese dhe e paligjshme. Rreth 80 përqind e rusëve thonë se po përjetojnë një rritje të ndjeshme të kostos së jetesës.

Por ajo që po e paguan më shumë këtë krizë është klasa metropolitane, që ka qenë një mbështetëse kryesore e teorisë putiniane të shoqërisë së konsumit: mirëqënie përmes bindjes politike. “Kanë ndryshuar perceptimet dhe zakonet – thotë Smirnov – rusët janë më të kujdesshëm”. Fillimisht, ata reaguan ndaj frikës së rritjes së çmimeve, duke u futur në një garë të ethshme blerjesh pa fund: makina, telefona celularë dhe televizorë. Tani ata kanë filluar të kursejnë, duke i reduktuar shpenzimet për shtëpi, argëtime, pushime jashtë vendit, veshje dhe ushqim. Ose paguajnë me këste” – theksoi ai. Sipas Lev Gudkov, drejtor i qendrës Levada, “rënia e standardit të jetesës është më së pari psikologjike”.

“Njerëzit kanë pritshmëri pesimiste dhe po rishohin prioritetet e tyre. Bëni një xhiro nëpër dyqanet apo tregjet e Moskës. Do t’i gjeni të tejmbushur me mallra. Megjithatë blerësit janë të paktë” – thotë ai. Mëngjesin e së premtes, sallonet e praruara të gastronomisë “Elyseev” janë pothuajse bosh. Në të njëjtën ditë, tregu plot mallra ushqimorë “Dorogomilovsky” ka më shumë shitës sesa blerës. “Çmimet po rriten vazhdimisht – thotë Antonia, një inxhiniere në pension. Unë ia dal vetëm sepse burri im, edhe ai pensionist, bën një punë tjetër”.

Tashmë në Moskë, dilet shumë më pak për të ngrënë jashtë. Në restorantet e rrjetit “Tusovka” nuk është më një problem prenotimi i një tavoline. Një menaxher i madh i sipërmarrjes thotë se në dhjetorin e shkuar, muaji tradicional i blerjeve të mëdha, rënia e konsumatorëve në të gjitha pikat e kompanisë në krahasim me vitin 2013, ishte mbi 50 përqind.

Me zhvlerësimin e rublës, rusët i kanë thënë lamtumirë pushimeve jashtë vendit. Një kompani ajrore me kosto të ulët, “UTAir”, është në prag të falimentimit, ndërsa “Aeroflot” pretendon se ka një humbje prej 3.5 miliardë rublash, përkundrejt një fitimi prej 17 miliardë në vitin 2013. Për pasojë që prej Krishtlindjeve, nuk gjendet më një dhomë në Soçin e depresionit post-olimpik.

E megjithatë, stuhia ekonomike dhe frika që ushqehet nga ajo nuk ndikon mbi popullaritetin që gëzon Cari: 85 përqind e rusëve vazhdon ta mbështesë Putinin. Ekzaltimi patriotik si pasojë e aneksimit të Krimesë, ndjesia e rrethimit e provokuar nga sanksionet, narrativa unike e kërcënimit perëndimor e ushqyer nga propaganda e Kremlinit, e bëjnë për momentin Vladimir Putinin të paprekshëm.

Por nuk është vetëm kjo. Diçka e brendshme lidh rusët me liderin e tyre. “Putini – shpjegon Gleb Pavlovski, një politolog që ka qenë këshilltar i tij, para se të distancohej – mbetet jo thjesht garancia pa alternativë përsa i përket mirëqenies, por edhe i vetmi në gjendje të mbrojë dinjitetin kombëtar, të poshtëtuar nga Perëndimi. “Sanksionet janë një marrëzi tragjike që po bën Evropa. Edhe nëse do të ketë protesta, ato do të jenë kundër qeverisë dhe jo kundër vetë Putinit” – vlerëson ai.

Ndërkohë eksperti i politikës së jashtme Fjodor Lukjanov, thotë se “politika në Ukrainë nuk do të ndryshojë nën presionin e sanksioneve”. “Por në qoftë se qëllimi i Perëndimit është krijimi i kaosit ekonomik për të nxitur ndryshime politike, ndoshta në një periudhë afatgjatë mund të funksionojë. Por është e qartë, do të ishte më keq: edhe nëse pranojmë se do të kishim pasardhësin, ai do ta bënte Vladimir Putinin të dukej si një demokrat pro-perëndimor”./Corriere della Sera/

a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button