Avioni i rrëzuar dje në Alpet e Francës është ndalur disa orë të hënën në Dyseldorf për një problem teknik. E ka deklaruar vetë Lufthansa. Arsyeja e ndalimit, një problem në “Nose landing door” – “Derën e përparme”.
“Një problem që është kapërcyer tërësisht – ka thënë zëdhënësja e Lufthansas – aq sa në 10 të mëngjesit avioni është kthyer të vazhdojë me shërbimet e rregullt”. “Nose landing door” është një sportel i palosshëm i trupit të avionit, që hapet e mbyllet kur ai shtyhet apo tërhiqet. Avioni ka qëndruar jashtë shërbimi për disa orë. Tragjedia në Francë ka provokuar menjëherë një reagim proteste nga ana e personelit të Germanwings: kompania u detyrua të anulojë të paktën 30 fluturime, nga të cilët 7 niseshin prej Dyseldorfit, sepse ekuipazhët refuzuan të fluturojnë. Këtë gjë e ka komunikuar zëdhënësja e Lufthansas duke shpjeguar se “ekuipazhet nuk ishin të plotë”, pa saktësuar nëse refuzimi ka qenë i pilotëve, apo asistentëve të fluturimit.
REAGIMI
Refuzimi për të fluturuar nga ana e disa ekuipazheve të Germanwings nuk duket se i ka habitur drejtuesit e filialit të Lufthansas: “E kuptojmë këtë vendim”, ka komentuar Thomas Uinkelmann, drejtor i përgjithshëm i Germanwings, në një deklaratë. Për shkak të zgjedhjes së ekuipazheve, dhjetëra fluturime u anuluan në Dyseldorf, Shtutgart, Këln, Berlin dhe Laipcig. Messaggero/Bota.al