Histori

Revolucioni Francez, ose Kutia e madhe e Pandorës

Revolucioni francez është shembulli më i mirë i një Kutie të Pandorës. Në fund të shekullit 18, ai filloi në frymën e vëllazërisë dhe rrënjët i kishte tek parimet e Iluminizmit. Por, shumë shpejt përfundoi në kaos, duke marrë me mijëra jetë dhe duke ndryshuar një herë e përgjithmonë historinë e Evropës dhe të botës perëndimore.

Po cilat ishin 10 pasojat e paparashikuara të tij?

  1. Nga zia e bukës, në luftë

Vitet para revolucionit kishin qenë të vështira. Disa dekada menaxhim i keq kishin shkaktuar krizë ekonomike. Të korrat e pamjaftueshme për disa vite resht, si dhe rritja e popullsisë kishin sjellë uri masive dhe pakënaqësi në shtresat e ulëta. Këto ishin problemet që shkaktuan revolucionin, por shumë shpejt ai u shndërrua në një prej dramave më kataklizmike në historinë e Evropës. Disa fraksione ekstremiste shumë shpejt morën frerët dhe e futën vendin në rrugën e luftës. Në 1792, Franca i shpalli luftë Austrisë, vendlindjes së gruas së mbretit, Mari Antuanetës.

  1. Plaçkitje masive, mungesë rendi

Revolucioni jo vetëm nuk solli stabilitet, por shkaktoi prishje të rendit dhe shkelje të ligjit. Sapo u hodhën disa hapa për reforma, pakënaqësia nisi të shtrihet kudo. Problemet e Francës ishin shumë të thella, dhe nuk mund të eleminoheshin vetëm me shndërrimin e monarkisë absolute në monarki kushtetuese. Dhe durimi mungonte. Plaçkitjet dhe protestat u bënë të zakonshme. Tani që mbreti nuk kishte më kontrollin, masat, të cilave u ishte premtuar ndryshim por ndryshim nuk kishin parë, u kthyen kundër autoritetit.

  1. Aristokracia e re e të pasurve

Sado që bazoheshin tek parimet e Iluminimit, forcat revolucionare kaq mund të bënin. Për të drejtë universale të votës as që bëhej fjalë. Prakitikisht, që të kishe zë, duhej të ishe një pronar që paguante taksa. Për këtë arsye, disa miliona burra nuk kishin të drejtë vote, në një vend me popullsi 30 milionë. Ky grup personash, duhej që të zgjidhnin të tjerë persona të cilët paguanin taksa, që të vepronin në emër të tyre. Praktikisht, u krijua një sistem ku njerëz me para zgjidhnin të tjerë njerëz me më shumë para, që të vendosnin në qeverisje të tjerë njerëz, të cilëve ata u besonin. Aristokracia e vjetër e privilegjeve që në lindje, u zëvendësua me aristokracinë e re të të pasurve. Te kjo e fundit u përqëndrua fuqia e votës.

  1. Pabarazia për gratë

Duke parë rolin që gratë patën në fillim të revolucionit, do të mendohej se udhëheqësit e tij do të kishin qenë më aktivë në lidhje me kauzat e grave. Fatkeqësisht, sa u përket grave, Franca para dhe pas revolucionit ishin dy anë të të njëjtës monedhë. Siç kishin bërë dhe në Amerikë, udhëheqësit e revolucionit hartuan një kushtetutë që garantonte barazinë për të gjithë burrat.

  1. Mbretërimi i terrorit

Aspektet më të famshme të revolucionit, nk ishin vënë re në fazat e hershme, por u panë qartë pas rrëzimit të mbretit dhe mbretëreshës dhe shpalljes së një republike të re. Luigji XVI dhe Mari Antuaneta u ekzekutuan nga autoritetet e revolucionit në vitin 1793. Pas kësaj, Republika Franceze dhe Komiteti i Sigurisë Publike i kthyen sytë nga të tjerë armiq, të brendshëm e të jashtëm.

Në fakt, ethet revolucionare sapo kishin filluar. Brenda 18 muajve pas ekzekutimit të mbretit, 20 mijë njerëz ishin dënuar me vdekje apo kishin vdekur në burgje, pa gjyq. Fuqitë e Evropës u ngritën kundër Francës, gjë që nxiti rekrutimet masive në vend. Kjo shkaktoi rebelim. Priftërinjtë dhe feja e krishterë u masakruan dhe denigruan. Në fund, në një kthesë sa ironike aq edhe makabre, vetë figura më e famshme e Terrorit, Robespieri, u ekzekutua në gijotinë, si një kokë turku për teprimet e Komitetit.

  1. Një mbret për Perandor

Mbreti dhe mbretëresha ishin ekzekutuar, ndërsa djali i mbretit kish gjetur vdekjen në rrethana të paqarta, në duart e revolucionarëve. Me gjithçka që kishin bërë për të hequr qafe sistemin monarkik, çdokush do të mendonte se francezët nuk donin t’u ktheheshin më zakoneve të ngjashme. Por në vitin 1804, Napoleon Bonaparti, i lindur si djali i një fisniku të vogël, u vetëkurorëzua perandor pas disa vitesh sundimi si diktator. I fundmi i pasardhësve të tij ishte Napoleoni i Tretë, i cili qe gjithashtu monarku i fundit i vendit.

  1. Dita 10-orëshe dhe një kalendar i ri

Ndoshta vendimi më i panevojshëm i revolucionarëve, ishte vendosja e një kalendari të ri. Viti I i republikës së re u caktua të fillonte në shtator, dhe me kalimin e kohës kalendari i ri nisi të zbatohej jo vetëm në Francë, por edhe në territore të tjera që Franca kontrollonte. Sërish kishte 10 muaj, por më pak javë, duke qenë se tani javët ishin 10-ditore. Revolucionarët me sa duket ishin të dashuruar me numrin 10, pasi edhe ditët tashmë ishin 10-orëshe. Imagjinoni sa e vështirë ishte për njerëzit të mësoheshin, në mesin e protestave, kaosit politik dhe luftës. Për fatin e mirë të Evropës, Napoleoni e shfuqizoi kalendarin sapo u bë perandor.

  1. Rikthimi i Burbonëve

Qëllimi i revolucionit kishte qenë rrëzimi i Regjimit të Vjetër. Prandaj është e habitshme deri në absurd, që një nga pasojat e tij ishte rikthimi i dinastisë së dikurshme. Vetëm 2 dekada pas vrasjes së Luigjit XVI dhe Mari Antuanetës, vëllai i Luigjit mori fronin si Luigji XVIII në vitin 1814. Mbretërimi i tij ishte jetëshkurtër, dhe më efikas se sa ai i vëllait të tij reaksionar, Karlit. Ky u përpoq të rikthente disa prej karakteristikave të Regjimit të Vjetër, por kjo i solli fundin me një tjetër revolucion – këtë herë më paqësor – në vitin 1830. Karli hoqi dorë nga froni, të cilin e mori vëllai i tij, Luigj Filipi. Mbretërimi i këtij të fundit do të përfundonte me një tjetër revolucion, në vitin 1848.

  1. Partitizmi dhe bllokimi

Eshtë njerëzore që të kërkojmë zgjidhje në botën që na rrethon. Për ata që jetuan në atë kohë, me siguri revolucioni është dukur si një ngjarje kulmore, që do i jepte fund Regjimit të Vjetër. Por muajt dhe vitet që pasuan sollën të tjera probleme, ndër të cilat partitizmi dhe pakënaqësia me procesin demokratik.

Politikisht, termat “i majtë” dhe “i djathtë” janë pasoja të revolucionit, që ne i përdorim edhe sot. Në origjinë ato i referoheshin pozicioneve të liberalëve dhe konservatorëve në Ansamblenë Kombëtare. Të gjithë i dimë tashmë pasojat e ndarjes dhe mosbashkëpunimit dhe sot, kjo ndarje dhe bllokimi që ajo shkakton mbeten probleme për vendet kudo në botë.

Back to top button