Magazine

Rinia pranë kafeneve dhe larg bibliotekave 

Kur ishte hera e fundit që dole për kafe me shoqërinë tënde? Po hera e fundit që ndenje orë të tëra për të mësuar ndonjë lëndë në bibliotekë? Me siguri që midis të dyja pyetjeve ka një diferencë të madhe kohore.

Kjo është çështja më e zakonshme në rutinën e një studenti. Kur kanë mundësinë e një kohe të lirë, sado të shkurtër, preferojnë më mirë të shkojnë në kafene, meqë atje ka më shumë të rinj dhe argëtohen, në vend që të shkojnë për të studiuar në bibliotekë, edhe pse një mal me mësime mund të jetë duke i pritur për të nesërmen. Nuk ka rëndësi kjo gjë, sepse mjafton sezoni për të mësuar, sipas parimit të shumicës. Por jua them unë se çfarë ndodh.

Ndërkohë që gjatë gjithë semestrit bibliotekat janë bosh dhe kafenetë janë plot, e kundërta ndodh gjatë ditëve kur shumica e fakulteteve cakton datat e provimve të sezonit. Shumica priren të mësojnë vetëm gjatë sezoneve të provimit dhe të mësosh gjithë lëndën në aq pak ditë sa caktohen, është shumë e vështirë, ndaj dhe studentët e sotëm nuk japin rezultate dhe ekselenca ka shumë pak elementë, aq sa mund të numërohen me gishtat e dorës. Gjithë pjesa tjetër shkon me parimet e shumicës “Shyqyr që e mora provimin”.

Kjo rini e kafeneve sot do të sjellë mungesë të profesionistëve nesër. Kjo gjë nuk është pak. Mendoni një shoqëri që do të ketë të diplomuar në një fushë dhe prapë do të vuajë për profesionistë në atë fushë. Pasojat po i ndiejmë që tani. Na vjen keq të pranojmë, ndonjëherë edhe për shkak se mund t’i kemi të afërmit tanë, por që nuk janë aq të aftë sa duhet të ishin. Nëse do të mblidhnin kohën e harxhuar në kafene dhe do ta shfrytëzonin për të mësuar, me siguri që gjendja do të ishte disi më ndryshe.

Ndërkohë kafeneja përditë pret e përcjell me dashamirësi studentë. Ato përbëjnë një biznes dhe si çdo biznes, ato kanë qëllim kryesor fitimin. Pak ua ndjen se e ardhmja do të ketë më pak profesionistë, për aq kohë sa ata përmbushin synimin që i vendosin vetes… / endri hoxhaj / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button