Bota

Robert Kennedy Jr: Amerika peng i korrupsionit të korporatave të mëdha, ka nevojë për një revolucion

Nga Freddie Sayers

Unherd

Për dekada, si një pasardhës i familjes Kennedy, Robert F.Kennedy Junior u cilësuar një hero i establishmenti politik në SHBA. Por vitet e fundit, retorika e tij kundër bllokimeve dhe vaksinave antiCovid – duke kulmuar me deklaratën se vaksinimi i detyrueshëm ishte një akt më abuziv se ato të Gjermanisë naziste dikur – ka krijuar tek shumica e analistëve imazhin e një politikani të papërgjegjshëm dhe potencialisht të rrezikshëm.

Por 2 javë më parë ai shpalli kandidaturën e tij për president, duke sfiduar Joe Biden në garën brenda demokratëve. Në sondazhe ai renditet që tani në nivelin 20 për qind. Por çfarë premton ai se do të bëjë për SHBA-në dhe botën nëse arrin të fitojë?

Në intervistat që keni dhënë kohët e fundit ju e keni përdorur shumë herë fjalën “korporatizëm”, çfarë doni të thoni me këtë?

Kjo fjalë përshkruan dominimin e qeverisë, dhe veçanërisht të qeverive demokratike, nga pushteti korporativ. Unë kam kaluar 40 vjet duke luftuar në gjykata kundër agjencive të ndryshme qeveritare apo agjencive rregullatore në Shtetet e Bashkuara. Dhe mund t’ju them se Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA), drejtohet nga industria e naftës, industria e qymyrit dhe industria e pesticideve.

Kur isha në ekipin që denoncoi çështjen “Monsanto”, dhe arritëm një marrëveshje për pagimin e një dëmshpërblimi ndaj publikut prej 13 miliardë dollarësh pasi fituam 3 gjyqe, zbuluam se kreu i divizionit të pesticideve në EPA punonte fshehurazi për kompaninë “Monsanto” dhe e drejtonte atë agjenci për të promovuar ambiciet tregtare të atij biznesi dhe jo interesin publik.

Ai censuronte studimet mbi ndotjen mjedisore, modifikonte studimet të tjera. Nëse e shihni industrinë farmaceutike në vendin tonë, ajo e drejton Administratën e Ushqimit dhe Barnave (FDA). FDA merr 50 për qind të buxhetit të saj nga Big Pharma.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) shpenzon gjysmën e buxhetit të saj për blerjen e vaksinave nga Big Pharma dhe më pas për shpërndarjen e tyre. Dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit (NIH), është vetëm një inkubator për produkte të reja farmaceutike.

Ai nuk kryen kërkime se nga vijnë të gjitha këto sëmundje. Studimet që kryhen shkojnë për zhvillimin e produkteve farmaceutike. Më pas NIH merr fitimin e saj kur kompania farmaceutike i shet ato produkte. Enti rregullatori është në thelb një partner me industrinë që synon të kontrollojë.

Departamenti i Transportit (DOT) drejtohet nga hekurudhat dhe nga linjat ajrore. Bankat e kanë korruptuar tërësisht Komisionin e Letrave me Vlerë (SEC); dhe media ka korruptuar Komisionin Federal të Zgjedhjeve (FEC).

A po pretendoni se ka vërtet korrupsion brenda të gjitha këtyre agjencive qeveritare, apo është më shumë një konflikt interesi?

Janë që të dyja. Ka ryshfet të ligjshëm dhe ryshfet të paligjshëm. Rregullat që rregullojnë konfliktet e interesit jo vetëm që injorohen – ato injorohen sistematikisht. Dhe rregullat filluan të bëhen jo aq të forta për të mbrojtur realisht interesin publik. Ju keni të dyja gjërat që po ndodhin – shartim i ndershëm dhe ryshfet i pandershëm.

Kjo e juaja tingëllon si një kritikë tradicionale e qendrës së majtë. Por tani ju po përshkruheni si i djathtë. A mendoni se po zhduken dallimet e vjetra midis së majtës dhe së djathtës?

Unë e konsideroj veten një liberal tradicional Kennedy. Unë nuk besoj se mbështes ndonjë vlerë të ndryshme nga ajo që përkrahën xhaxhai im John Kennedy apo babai im, Robert Kennedy. Ata kishin antipati dhe dyshime ndaj luftës dhe kompleksit ushtarako-industrial.

Ata nuk donin që korporatat të drejtonin qeverinë amerikane.

Ishin tërësisht kundër censurës. Ata ishin kundër përdorimit të frikës si mjet qeverisës dhe flisnin shpesh për të. Nga ana tjetër mendoj se në SHBA ka një koalicion në forcim i forcave populiste, nga e majta dhe e djathta, që po tubohen tani dhe po e gjejnë gjuhën e përbashkët. Dhe unë mendoj se kjo është ndoshta e vetmja gjë që do të shpëtojë demokracinë amerikane.

Një gjë për të cilën flisni shumë shpesh, është se Amerika është në një gjendje të përhershme lufte dhe ju dëshironi t’i jepni fund kësaj. Si propozoni ta bëni këtë në lidhje me Ukrainën?

Me një marrëveshje për paqe. Rusët kanë ofruar vazhdimisht zgjidhje. Marrëveshjet e Minskut ishin diçka e mirë. Le të jemi të sinqertë: sot po shohim luftë të SHBA-së kundër Rusisë, që po sakrifikon të rinjtë e Ukrianës për ambicien gjeopolitike të neokonservatorëve, që janë deklaruar shpeshherë pro ndryshimit të regjimit të Vladimir Puti.

Nëse do të bëheshit president, do ta trashëgonit situatën kështu siç është. Politika juaj do të ishte e tillë për të thënë se Rusia mund të mbajë territorin që ka pushtuar? Do të akuzoheshit si një kapitullues…

Unë do të thoja: Le të bëjmë atë që është e arsyeshme, atë që shpëton jetë. Unë nuk po e justifikoj pushtimin barbar dhe të paligjshëm të Ukrainës nga Vladimir Putin. Por xhaxhai im thoshte gjithmonë: Nëse doni të arrini paqen, duhet ta vendosni veten në vendin e tjetrit dhe të kuptoni presionet mbi të. Ne duhet t’i kishim dëgjuar ankesat e Rusisë. Ne i premtuam Moskës se nuk do ta zgjeronim NATO-n asnjë centimetër në lindje. Pastaj gënjyem.

Ju flisni shumë për korrupsionin e Amerikës, brenda dhe jashtë vendit. A mendoni se është i arritshëm një version i mirë i Amerikës?

Unë mendoj se po, dhe shumë shpejt madje. Ambicia ime përfundimtare është të rivendos besimin dhe dashurinë për Amerikën dhe krenarinë tek Amerika. Unë mund të rivendos autoritetin tonë moral në mbarë botën dhe të rivendos reputacionin e Amerikës si një komb shembullor, diçka që pjesa tjetër e botës mund ta shikojë si shembull, një shembull që njerëzit do të duan ta kopjojnë dhe jo si kërcënim.

Marrë me shkurtime

Back to top button