Histori

ROMA & KINA / Pikëpjekja e dy qytetërimeve. Kur perandoritë ishin DY

Screen Shot 2015-08-30 at 9.15.37 AM

Tek dy pjesë nga “Historia Natyrale”, Plini i përshkruan popullsitë e Lindjes së Largme aziatike të njohura si prodhues dhe tregtarë mëndafshi, Serët, siç i quanin ata grekët “janë mite, por edhe ata të ngjashëm me kafshë të egra, i largohen partneritetit njerëzor dhe presin që tregtarët të shkojnë tek ata”. Më tej, shkruan: “Banorët kanë një gjatësi më të madhe se mesatarja, flokët të kuq, sytë ngjyrë bojëqiell, një timbër zëri të frikshëm dhe nuk flasin me udhëtarët. Informacionet e tjerë përkojnë me ata të tregtarëve tanë: mallrat grumbulloheshin në anën tjetër të lumit, në krah të atyre që ata vendosnin në shitje. Nëse shkëmbimi i kënaqte i merrnin dhe largoheshin”.

Përshkrimi i karakterit të atyre njerëzve dhe ritmi i heshtur i marrëdhënieve tregtare që ata kishin më të huajt nxjerr mirë në pah idenë e distancës, jo vetëm gjeografike, mes Romës dhe Kinës në lashtësi. Një distancë që kishte penguar dhe vazhdoi të pengojë dhe më vonë një përballje të vërtetë kulturore, dhe që u kapërcye vetëm në mënyrë indirekte prej flukseve tregtarë.

Emërtimi Seres, apo Serae e ka prejardhjen nga greqishtja dhe është e ngjashme me kinezen “Si”, që do të thotë “seta” (mëndafsh): mëndafshi në fakt ishte në qendër të një tregtie të madhe mallrash luksi që përshkonte të gjithë Azinë. Një burim kinez, Annalet e Dinastisë Han kujton një ekspeditë romake të vitit 166 pas Krishtit, të perandorit An-Tun, ose më saktë Mark Aurel Antonit, nga Ta-y’sin (Roma), edhe ai i përbërë më së shumti nga tregtarë, që mbërriti në Luoyang në Kinë përmes detit dhe Vietnamit të sotëm, duke u sjellë dhurata sovranëve të dinastisë Han. Kjo është një prej të paktave ngjarje, një prej takimeve të parë zyrtarë të rregjistruar nga burimet, që gjithësesi përmendin vetëm temën e tregtisë së mëndafshit.

Bëhet fjalë pra për kontakte sporadikë mes dy zonave të mëdha gjeografike, që nuk patën asnjëherë rastin të kryqëzonin historitë e tyre dhe kulturat e tyre, por që janë takuar në ekspozitën e madhe të disa viteve më parë në Pekin, Muzeu i Artit Botëror, më pas në rastine festimeve të 60 vjetorit të krijimit të Republikës Popullore Kineze, më tej në Luoyang dhe në “Dy Perandoritë. Shqiponja dhe Dragoi”, në Milano e në fund në Romë.

Ekspozita merrte në konsideratë katërqind vite histori, mes shekujve II para dhe pas Krishtit, që i korrespondojnë periudhës më me fat të botës romake, gjatë të cilës kultura latine u përhap në të gjithë Mesdheun dhe vendosi një strukturë të vetme ekonomiko-sociale në territore dhe shtrirje të paprecedentë. Ky hark kohor korrespondon në Kinë me Dinastinë Qin, që mbretëroi për pak kohë nga 221 deri në 209 para Krishtit, por që me Shi Huangdi, i pari Perandor, unifikoi perandorinë dhe përcaktoi strukturën burokratike dhe administrative. Më tej erdhi dinastia Han, e cila pati një jetëgjatësi katër shekullore, nga viti 206 para Krishtit deri në vitin 220 pas Krishtit, dhe që përfaqëson momentin e evoluimit maksimal të strukturës perandorake dhe identitetit kinez. Dhe gjatë epokës së Han mëndafshi mbërriti në Perëndim dhe aty u shënua edhe ajo që edhe sot quhet Rruga e Mëndafshit.

Më tej, e gjithë historia e perandorisë kineze rikthehet e referohet pikërisht kësaj periudhe të parë dhe aty kërkon rrënjët historike të vendit, ashtu sikurse kultura jonë europiane e gjen modelin e saj të parë dhe origjinën e saj tek bota klasike greke dhe latine.

Dy perandoritë arritën një shtrirje analoge dhe arritën të ndërtojnë një strukturë rezistente falë aftësisë për të transmetuar modele administrativë homogjenë dhe në gjendje të integronin territore shumë të mëdhenj. Të dyja kishin struktura të mëdha ushtarake dhe burokraci të ngjashme, të dyja konsideroheshin në qendër të botës, respektivisht të Orbis Terrarum dhe Tianxia (gjithcka që ka poshtë qiellit). Megjithatë, zhvillimi i tyre historik njohu përfundime krejt të ndryshëm, në fragmentimin dhe diversifikimin e botës sonë perëndimore dhe në jetëgjatësinë pothuajse 2 mijëvjecare të perandorisë kineze.

Në dekadat e fundit janë hapur disa ekpozita mbi zbulimet e arkeologjisë kineze, dhe disa autorë sot e quajnë përdorimin e këtyre gjetjeve dhe mbledhjeve të artit antik si një iniciativë në thelb politike, që synon të modifikojë dhe zbusë imazhin kinez në botë.

Zhvillimi i madh ekonomi i kohëve të fundit në vendin aziatik ka vendosur një kod të ri dhe efikas komunikimi me pjesën tjetër të fuqive botërore, që zvogëlon agresivitetin në marrëdhëniet politiko-ekonomike dhe që, duke kapërcyer barrierën gjuhësore, eksporton imazhin e kulturës kineze. Një projekt komunikimi që e ka patur instrumentin e tij më të përshtatshëm në shpejtësinë e gjuhës së artit dhe në eksportimin e arkeologjisë (një veprimtari që në Perëndim ka një traditë të konsoliduar).

Rizbulimi i lashtësisë në Kinë është një produkt i Revolucionit Kulturor, që i bëri zbulimet arkeologjikë sistematikë dhe publikimin e rezultateve të tyre një detyrë të shtetit, instrument i vetëdijes historiko-politike, sipas ideve të Mao Cedunit. Që nga vitet ’70 të nëntëqindës arkeologjia nisi të prodhojë rezultate në shkallë të gjerë, vendet e kërkimeve u shumëfishuan, duke mbuluar një hark kronologjik shumë të gjerë, që nga Neoliti mbërrin deri në 1700. Gjetjet arkeologjike janë shndërruar në vetvete në elementë të një gjuhe të përhapur, që synon të rrëfejë historinë e Kinës. Sot, ata duan të jenë edhe në ndihmë të dialogut ndërkombëtar, me imazhin e kësaj fuqie të madhe që dëshiron të eksportojë dhe e cila kërkon konsensusin e komunitetit ndërkombëtar.

Në projektin e sipërpërmendur, për herë të parë Kina nuk është limituar në lartësimin e arkeologjisë së saj, duke u përballur në brendësi të kufijve të saj, me arkeologjinë perëndimore: refleksioni për antikitetin u shndërrua në një instrument politik dialogu dhe shkëmbimi kulturor, i udhëhequr nga një vullnet hapjeje dhe vetëdijeje historike. Duhet përmendur me këtë rast ajo që ka thënë Ru Xin, autor i një prej shkrimeve në katalog: “Ekspozita nuk kufizohet për të na dhënë rastin për të reflektuar për gjëra të një të kaluare të largët dhe për të thelluar dijet tona mbi vlerën e këtyre dy qytetërimeve të mëdhenj, por stimulon zhvillimin e shkëmbimeve mes kulturave, na bën që të mësojmë nga eksperienca e tjetrit…”

Dhe konfrontimi mes dy kulturave spikat mbi të gjitha tek ideja e statujave. Në bazë të perceptimit të statujave në lashtësinë klasike greko romake është analogjia e tyre me figurën njerëzore. Duhet të imagjinojmë sheshet, vendet e kultit, kopshtet, shtëpitë dhe varret e qyteteve të perandorisë romake, të populluara n heronjtë, personazhet mitologjikë dhe mbi të gjitha qenie njerëzore, personazhe politikë dhe, mbi të gjithë, perandorin, statuja e të cilit duhej që të shfaqej shumë herë për të ritheksuar autoritetin.

Edhe në këtë rast, përballë busteve të Trajanit apo Karakalës apo përballë statujës së princit Giulio Claudio, pavarësisht bardhësisë uniforme të mermerit, që i bënte të ngjashme, mund të dallohen mes tyre personazhet, të dallueshëm prej tipareve të fytyrës dhe të trupit.

Përshtypja që na krijohet nga statujat kineze, me flokët e tërhequr në qafë, me veshjet e gejra, ndërkohë që ecin apo ulen në gjunjë, apo të ndalur në pritje të luftës, është po kështu shumë afër figurave të vërteta njerëzore.

Por pavarësisht diversitetit të objekteve të vecantë, të prodhuar në seri me një teknikë të rafinuar me stampa e modele, ata duhej të përfaqësonin një popullsi të tërë subjektesh, varrosur në krah të perandorit për ta shoqëruar atë në udhëtimin e tij të përtejmë.

“Diversiteti” i statujave respektive, nga njëra anë – në Romë – personazhe të vecantë, e nga ana tjetër – në Kinë – një komunitet personash, përbën një aspekt të një realiteti në vetvete më kompleks e shumëplanësh: vetë Mauzoleumi i perandorit kinez është ende i paprekur, dhe sot mungon një pamje e vetë sovranit. Varri i perandorit shtrihej në një sipërfaqe 56 kilometra katrorë dhe rrethohej nga cdo gjë që përfaqësonte jetën dhe botën e gjallë që kishte shoqëruar perandorin në jetën e tij tokësore. Vetë varri i perandorit, ku sipas legjendës ishte ndërtuar universi i qiellit dhe tokës me lumenj dhe pasqyra uji, nuk është hapur ende.

Për të ndërtuar një paralelizëm efikas mes dy kulturave dhe dy perandorive, mungon pra një imazh i qartë i fuqisë supreme në Kinë, i individit që ishte mbi të nënshtruarit e tij. Një tjetër seri gjetjesh me prejardhje nga Kina, mes të cilave perdja shumë e vyer e mëndafshtë e Mavangduit, ku është pikturuar me ilustrim të detajuar udhëtimi në qiell i shpirtit të të vdekurit, na ftojnë që të reflektojmë për disa tema universale të kulturave të lashta, si pavdekshmëria dhe paraqitja e saj apo hyjnizimi i pushtetit dhe mekanizmat e transmetimit të tij. Na detyrojnë të reflektojmë mbi rrugëtime të ngjashëm në qytetërimin greko-romak, që përfaqësojnë transformimin e perandorit në hyjni me apoteozë, duke e bërë një rit të domosdoshëm politik për jetëgjatësinë e perandorisë.

Shqiponja dhe dragoi në sintezë ka demonstruar se si përballja mes dy kulturave kaq të largëta nuk mund të ndodhë brenda koordinatave për ne më të zakonshme të kulturizimit, dhe duhet menduar në terma të tjerë. Tentativa për të ndërtuar nëj urë mes dy qytetërimeve përbën një ftesë për të arsyetuar mbi relativitetin e disa koncepteve tanë, të braktisim kategoritë tona të zakonshme të analizave dhe koordinatat tona arkeologjike dhe historike, të drejtuara në rindërtimin e konteksteve apo analizave mikrohistorike. Duke marrë në konsideratë struktura më të gjera, ku kronologjia, ngjarjet historike dhe fenomenet kulturorë kanë një marrëdhënie të ndryshme mes tyre.

Ndonëse harku i gjerë kronologjik i përzgjedhur pengon një analizë të thelluar të dy kulturave, kemi të bëjmë gjithësesi një ftesë për të reflektuar mbi konceptet e “lashtësisë” në këto dy kultura. Duhet bërë një hap prapa dhe duhet kërkuar një perspektivë globale vëzhgimi, prej ku duhen krahasuar dy kulturat e dy perandorive të lashtësisë, në jetëgjatësinë e tyre, si dhe në konceptet e “lashtësisë” dhe “të kaluarës”. Një perspektivë ku ndoshta duhet braktisur eurocentrizmi ynë, dhe duhet hapur një dialog i ndryshëm mbi rrënjët klasike të identitetit tonë europian.

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button