BotaLetersi

Roman kriminal në Shtëpinë e Bardhë. Bill Clinton do të punojë me James Patterson

Në një prej bashkëpunimeve letrare më të papritura deri më sot, ish Presidenti i SHBA, Bill Clinton do të botojë një roman me shkrimtarin më të shitur të romaneve me temë krimi, James Patterson. Me titull “Mungon Presidenti”, romani është quajtur “një amalgamë unike intrige, suspanse dhe drame globale në prapaskenë, në korridoret më të larta të pushtetit”.

Romani, që do të botohet në qershor 2018, do të ketë detaje që “vetëm një president mund t’i dijë”, bëri të ditur Shtëpia Botuese Penguin Random House.

Në një deklaratë të lëshuar nga botuesi i tij, Clintoni, i cili u largua nga detyra në vitin 2001 tha: “Ka qenë shumë argëtuese puna për një libër mbi një president në detyrë – bazuar në ato që unë di për punën, jetën në Shtëpinë e Bardhë dhe mënyrën si funksionon Uashingtoni”.

Ai e përshkroi të punuarit me Patterson, që është i famshëm për librat në bashkëpunim, ashtu sikurse edhe për bestseller-at e tij, si “fantastike”. “Kam qenë një fans i tij për një kohë shumë të gjatë”.

Patterson tha se bashkëpunimi i kish dhënë mundësi qasjeje në ato që ndodhin në Zyrën Ovale, gjë që e ka informuar librin në mënyrë unike.

“Unë jam një rrëfimtar dhe të dhënat e Presidentit Clinton na kanë mundësuar të tregojmë një histori me të vërtetë interesante”, tha ai. “Eshtë një kombinim i rrallë, lexuesit do të përjetojnë suspansën, por edhe do të shohin nga afër se si është në të vërtetë të jesh president”. /bota.al

Leave a Reply

Back to top button