Analiza

Rrëfim për dy NATO

JOHN VINOCUR

A Tale of Two NATOsLart në skajin verior të Europës, atje ku demokracitë skandinave kufizohen me Rusinë, janë dy NATO që i kanë ngulur vështrimin njëra-tjetrës.

Eshtë Aleanca aktiviste, e mishëruar prej shtetit themelues, Norvegjisë, e cila nuk sheh shenja që agresioni i Rusisë do të zhduket. Ky vizion i kundërvihet NATO-s minimaliste, që preferon të mos flasë për luftë, të cilës dëshiron t’i bashkohet kryeministri i ri i Finlandës. Për NATO-n minimaliste, pajtueshmëria me Moskën është gjithmonë aty, prapa qoshes.

Kontradiktat mes këtyre dy NATO-ve dobësojnë atë që ka mbetur nga organizata, ndërkohë që Rusia vazhdon të destabilizojë Ukrainën.

Njëri grup anëtarësh të NATO-s – përfshirë Poloninë dhe, me energji të ndryshme, SHBA dhe Britaninë – beson se nuk mund të ketë një kthesë të shpejtë në realitetin europian, pas grabitjes së Krimesë nga Vladimir Putini. Këta vende besojnë se përgatitjet në vijën e frontit janë i vetmi argument që Rusia e Putinit është e sigurtë që e kupton.

Grupi tjetër – kryesuar nga Gjermania dhe me një mbështetje gjithnjë e më të madhe nga Franca – zgjatet dhe kap çdo letër çtensionimi, që vjen prej tryezës së Kremlinit. Këta i kishin gati etiketat “asgjë nuk ka ndryshuar”, edhe në kohën kur Gjenerali Phillip Breedlove, komandanti ushtarak i NATO-s, u thoshte shteteve anëtarë se 40 mijë trupa ruse ishin grumbulluar në një distancë shumë të vogël nga kufiri i Ukrainës.

Thellësia e kësaj ndarjeje përsëritet në Skandinavi. Atje Norvegjia, që ka 196 kilometra kufi të përbashkët me Rusinë, dhe Finlanda, që ka 1300 kilometra, flasin dy gjuhë të ndryshme strategjike.

Stili i të folurit të Oslos është i prirur për të shfaqur vendosmëri. Ministrja e Mbrojtjes, Ine Marie Eriksen Soreide tha në maj se përdorimi i forcës në Ukrainë nga ana e Rusisë kishte “ndryshuar përgjithmonë” marrëdhënien mes Moskës dhe NATO-s. Në Uashington, dy javë më parë, ajo e përditësoi këtë pozicion: “Ne shohim një vend fqinj, i cili ka treguar aftësinë dhe vullnetin për të përdorur forcë ushtarake për të ndryshuar kufijtë në Europë. Dhe kjo është diçka që nuk mund të injorohet. Eshtë ndryshim rrënjësor.

E pyetur se si duhej përballuar kjo Rusi, Soreide u përgjigj: “Me dy fjalë. Vendosmëri dhe parashikueshmëri”. Ajo që NATO duhej të bënte pasi u zu në befasi nga Rusia në Ukrainë dhe nga forcat islamike në Irak, tha ajo, ishte që të vinte theksin në “vetëdijësimin për situatën”, domethënë aftësinë e saj për të pikasur që herët sfidat potenciale dhe për të reaguar vendosmërisht.

Norvegjia e ka identifikuar Rusinë si një aktor agresiv gjeostrategjik i rizgjuar që në vitin 2007, kur udhëheqja ushtarake e saj tha se nuk mund të priste shumë ndihmë nga NATO në rast të një “konflikti serioz”. Po atë vit, Ministri i Mbrojtjes i Finlandës, Jyri Hakamies u kritikua ashpër në vendin e tij për shkak se e përshkroi sfidën më të madhe strategjike të vendit të tij duke thënë: “Rusia, Rusia, Rusia”.

Unë pyeta Kryeministrin e ri finlandez, Alexander Stubb, në zyrën e tij në Helsinki javën që kaloi në lidhje me qasjen e re norvegjeze ndaj Rusisë. Stubb po bën thirrje për hyrje të Finlandës në NATO në vitet që do të vijnë, një zhvillim interesant ky po të kemi parasysh njohuritë për Rusinë që ka vendi i tij si dhe politikën që ai ka ndjekur gjatë Luftës së Ftohtë kundrejt Bashkimit Sovjetik, që u bë e njohur me termin “Finlandizimi”.

Dëshira e tij për të parë Finlandën të hyjë në NATO ka shkaktuar një farë trysnie të brendshme për Stubbs. Timo Soini, kryetar i Partisë populiste Finlandezët e Vërtetë, thuhet se e ka përshkruar atë “kaq shumë pro NATO-s, dhe kaq shumë të djathtë. Ai është një fajkua i NATO-s, një mbështetës radikal i tregut të lirë”.

Jo tamam. Stubb, 46 vjeçar, më shpjegoi se politika e jashtme e Rusisë bazohej pjesërisht në “sferat e influencës dhe shtetet zbutës”. Moska, shtoi ai “kishte refuzuar mënyrën perëndimore të organizimit të shoqërisë”. Por ai tha se deklarata e znj Soreide për një reagim “të ndryshuar përgjithmonë” nga ana e NATO-s kundrejt Rusisë “është pakëz e tepruar dhe unë nuk do të bija dakord”.

Kryeministri finlandez e përshkroi Rusinë si një vend që nuk e ka modernizuar ekonominë e tij. A ka Finlanda probleme të karakterit ushtarak me Moskën? “Jo”. Në terma politikë dhe të sigurisë, tha Stubbs, “Ne nuk ndihemi të parehatshëm. Përkundrazi”.

Por, shtoi ai, “ka shumë njerëz që duan të izolojnë Putinin. Ka hsumë njerëz që duan të izolojnë Kremlinin. Dhe, si kryeministër i Finlandës, nuk mendoj se kjo është rruga për të ecur përpara”.

Më tingëlloi sikur Stubb mendon që ta fusë Finlandën në NATO, duke mbajtur në duar një banderolë ku shkruhet “lërini rehat rusët”. Këto kohë, me siguri një gjë e tillë e vendos atë në anën e shumicës së anëtarëve të BE-së, të cilët dëshirojnë të kenë garanci për sigurinë nga Amerika, por pa i ngritur asnjëherë kryet mbi shpatullat e Amerikës – domethënë duke forcuar strategjinë e frenimit në shtetet e NatO-s që janë në kufi me Rusinë dhe përmes sanksioneve të rinj ndaj Rusisë.

Kurt Volker, një ambasador i SHBA në NATO në administratat Bush dhe Obama më tha se aleatët europianë të NATO-s thjeshtë po kërkojnë “që Putini t’u ofrojë një farë pushimi në lidhje me situatën në Ukrainë”. Dhe Volker mendon që thirrjet për “vetëdijësim” në lidhje me Rusinë, “nuk nënkuptojnë që do të ketë veprime konkretë”. Përse jo? Sepse, më tha Volker, “nuk ka vullnet të SHBA për të udhëhequr, dhe Gjermania ka shkelur fort pedalin e frenave”.

Në tetor, Jens Stoltenberg, një ish kryeministër i Norvegjisë, do të marrë stafetën e drejtimit të NATO-s nga Anders Fogh Rasmussen, një ish kryeministër danez. Në një kohë kontradiktash, dobësish dhe vullneti të zbehur. Sinqerisht, pastë fat! /The Wall Street Journal/

Mr. Vinocur është ish Drejtor Ekzekutiv i International Herald Tribune.

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button