Analiza

RREFIME PER MIZORINE / Dezertimi nga ISIS, vdekje ose burg

Dëshmitë sa të frikshme, aq edhe të trishta të rekrutëve të ISIS, që një ditë vendosin të largohen prej shtetit Islamik. Por gjithmonë të ndjekur pas, ose nga hija e frikës se mos i vrasin, ose nga kërcënimi i hekurave të burgut…

Nga Lori Hinnant dhe Paul Schemm

Screen Shot 2015-02-05 at 09.37.58Tuniz – Burri qëndron fshehur në një cep të rrugës, fytyra e tij e maskuar me një kapuç, sytë e tensionuar skanojnë turmën për çdo militant të mundshëm të Shtetit Islamik. Ai ishte njëri prej tyre, para se të largohej nga Siria një vit më parë, dhe ndihet shumë i frikësuar.
Tani, ai pi cigare njëra pas tjetrës, teksa përshkruan vrasjet pa dallim, abuzimet me rekrutet femra, sikletet e një jete ku ushqimi ishte pak më shumë sesa bukë me djathë ose me vaj.
Ai rrëfen për thikën e mbajtur në fytin e tij nga luftëtarët e tjerë, të cilët i kërkuan të recitonte një ajet të veçantë Kuranor mbi Luftën Islame, për të provuar se ishte një mysliman i devotshëm. “Ishte krejtësisht ndryshe nga ajo që ata thoshin se do të ishte Xhihadi”- shprehet Gait, që kërkoi të identifikohej vetëm me emrin e tij të parë, nga frika se mos e vrasin.
Në fund Gaiti, iu dorëzua ushtarëve sirianë. Ndërsa të huajt nga e gjithë bota i bashkohen grupit militant të Shtetit Islamik, disa prej tyre vërejnë nga dita në ditë se jeta në Irak apo Siri është shumë më e rreptë dhe më e dhunshme sesa kishin pritur.
Gjithashtu, këta rekrutë të rinj të zhgënjyer, zbulojnë shumë shpejt se është shumë më e vështirë për ta lënë, sesa për t’iu bashkuar ISIS-it. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut thotë se vetëm në 6 muajt e fundit Shteti Islamik ka vrarë 120 nga anëtarët e vet, shumica prej tyre luftëtarë të huaj që shpresonin të ktheheshin në shtëpi. Edhe nëse arrijnë të shpëtojnë, ish-luftëtarët cilësohen si terroristë dhe rrezik për sigurinë në vendet e tyre. Mijëra të kthyer ndodhen nën mbikqyrje të vazhdueshme ose në burg në Afrikën e Veriut dhe Evropë, ku ish-militantët masakruan 17 njerëz muajin e kaluar në sulmet terroriste në Paris.
“Jo të gjithë ata që kthehen janë kriminelë. Jo të gjithë do të vrasin” – thotë Gjykatësi i Lartë i Francës kundër terrorizmit, Mark Trevidik. “Por është e mundur që një celulë e vogël, të mund të ndërmarrë ndonjë sulm” – thekson ai.
“Associated Press” bisedoi me një duzinë ish-luftëtarësh, familjet dhe avokatët e tyre rreth jetës gjatë dhe pas arratisjes nga Shteti Islamik. Shumë prej tyre kanë folur vetëm me kusht anonimatin, për shkak të frikës nga hakmarrja.
Sipas vëllait të tij Mediut, Jusuf Akari shpenzonte orë të tëra dhomën e tij në Tunizi, duke dëgjuar himne dhe lexuar shkrime fetare. Një ditë familja e tij, mori një mesazh se ai kishte shkuar për Siri. Por Jusufi humbi syzet dhe nuk mundi të luftojë – tregon vëllai i tij – kështu që ai u vu në krye të predikimit xhihadist ndaj rekrutëve të rinj në vend.
Pas 7 muajsh filloi të përgatiste arratisjen e tij, së bashku me dy vëllezërit. Vëllezërit u zbuluan dhe u vranë. Jusuf iu vetëdorëzua luftëtarëve kurdë dhe më pas mori rrugën për t’u rikthyer në Tunizi, ku ai u ndje i bllokuar mes mbikëqyrjes së policisë dhe frikës nga ana e militantëve hakmarrës. Ai u rikthye në Siri dhe vdiq në një sulm ajror tetorin e vitit të kaluar.
Grupi i Shteti Islamik punon për të parandaluar që rekrutët të largohen sërish pasi i janë bashkuar njëherë ISIS-it. Hapi i parë është marrja e pasaportave dhe dokumenteve të tjera të identifikimit. Hamad Abdyl-Rahman, një saudit 18-vjeçar, dëshmon se u takua në kufirin sirian verën e kaluar me militantët që e shoqëruan atë në një kamp stërvitor në Tabaka, Siri.
“Ata morën të gjitha dokumentet e mia dhe më pyetën nëse unë dua të jem një luftëtar apo një kamikaz” – tha Rahman për AP nga një burg në Bagdad, ku ishte i prangosur në duar dhe në këmbë si dhe i maskuar. Ai zgjodhi të luftonte. “Kishte shumë të huaj në atë kamp – tha djaloshi. Ditët në kamp kaloheshin me lutje, mësime nga Sheriati, ligji islamik si dhe trajnime sportive dhe luftarake”.
Në fillim të shtatorit të shkuar, ai u vetëdorëzua tek forcat irakiane. Një video e Ministrisë së Mbrojtjes së Irakut tregon Abdel-Rahmanin pak minuta pas arrestimit të tij, duke e identifikuar veten tek ushtarët. Një tjetër rekrut tunizian, Aliu, u arratis pasi ishte bërë ndërlidhës në dimrin e vitit 2013. Ai bëri 4 udhëtime ndërlidhëse midis Sirisë dhe Tunizi në 3 javë, duke marrë me vete lajme, para dhe video propagandistike. Gjatë udhëtimit të fundit në Tunizi, ai zgjodhi të qëndrojë atje. “U ndjeva sikur isha një terrorist. U trondita nga ajo që kam bërë” – thotë Ali, duke ulur zërin dhe lëvizur kur njerëzit afrohen. Këshilla e tij për ata që duan të bëhen xhihadistë: “Shkoni pini ndonjë gotë, mos u lutni. Ai nuk është Islami. Mos e jepni jetën tuaj për asgjë…”.
Puna më e vështirë për qeveritë, është që të kuptojnë nëse një rekrut është kthyer në shtëpi për të ikur nga shteti islam, apo për të kryer ndonjë akt terrorist në emër të ISIS-it. Derin tani Franca ka arrestuar 154 të kthyer, dhe autoritetet thonë se për mbi 3 mijë të tjerë duhet mbikqyrje. Britania e Madhe ka arrestuar 165 të kthyer, ndërsa Gjermania vlerëson se 30 nga 180 të kthyerit e saj janë jashtëzakonisht të rrezikshëm. Mjerisht, nuk ka asnjë mënyrë për të provuar qëllimet e tyre.
“Për më tepër në Francë, ata duhet të dënohen” – tha Ministri i Drejtësisë, Kristian Tubira. “Këta janë njerëz, që mund të dëshmojnë dhe mund t’ia kthejnë mendjen të tjerëve”- shton ai. Avokati francez Martin Predel thotë se klienti i tij është një nga 10 burrat nga Strasburgu, që u larguan për në Siri dimrin e kaluar për të marrë armët në emër të civilëve sirianë. Por ata kaluan në territorin e kontrolluar nga militantët, të cilët dyshuan se ishin spiunë apo armiq.
Për pasojë ata u burgosën për 2 javë, pastaj u transferuan dhe u burgosën për 3 javë të tjera. Dy nga rekrutët francezë vdiqën në një pritë. Burrat vendosën të largohen një nga një, në mënyrë që të mos tërhiqnin vëmendjen. “Ata u arratisën gjatë natës, vrapuan nëpër fusha dhe praktikisht kaluan përtej kufirit” – tha Pradel. Klienti i tij u dorëzua tek autoritetet turke. Duke qenë se i mungonte karta e identitetit, ai mori dokumentet e përkohshme të tranzitit nga ambasada franceze. Tani ndodhet i burgosur në Francë.
Qeveria akuzon njerëzit e Strasburgut për drejtimin e një organizate rekrutimi për ekstremistët. Sikurse tregojnë avokatët e tyre, kjo ishte një arratisje e ngjashme me atë të 4 francezëve nga Tuluza. Pier Dunak, avokati Imad Xhebali, tregon se këta persona u nisën për në Siri me shpresë për të ndihmuar civilët, por përfunduan në territorin e Shtetit Islamik, ku u burgosën. “Një ditë- rrëfen Dunak – gardiani i burgut u dha atyre dokumentat e identitetit dhe u tha: “Unë po shkoj të lutem”. Dhe i la vetëm me derën e hapur. “Ata e kuptuan se ai po i linte të largoheshin” – tha Dunak. “Përse? Është e habitshme… As ata vetë nuk e kuptojnë përse” – shprehet ai. Burrat u dorëzuan tek ushtarët turq, dhe prej andej u deportuan për në Francë. Aktualisht ata gjenden në burg me akuzën e terrorizmit.
Në Tunizi, ku mbikëqyrja e ngushtë e 400 të kthyerve është shumë më e zakonshme se arrestimet, Gait është tani një njeri i lirë nga shumica e masave të sigurisë. Por ai nuk sillet si një të tillë. Ai ka ende në qafë shenjën e plagës, ku luftëtarët e tjerë i kishin mbajtur thikën. “Ky nuk është një revolucion apo xhihad. Është thjeshtë një masakër”- thotë ai. /AP/
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button