Bota

Rreziqet e padukshme të makthit evropian mbi refugjatët

Screen Shot 2015-10-31 at 08.06.10

Ardhja e refugjateve të rinj ka acaruar tensionet ekzistuese mes emigrantëve ekzistues, që tashmë nuk janë më të imunizuar ndaj dhunës

Nga Milton Ezrati

“National Interest”

Teksa ndjenjat humanitare Evropë janë pa dyshim të sinqerta, fluksi i refugjatëve sirianë bart me vete kërcënime të mëdha. Problemi janë më pak refugjatët në vetvete, sesa ardhja e tyre në kontinentin e vjetër, që po shton edhe më shumë tensionet e emigrantëve ekzistues, të cilët tashmë nuk kanë më të imunizuar ndaj akteve të dhunës.

Kjo dukuri ngre perspektivën e një dhune më të madhe, jo vetëm nga që do të mund të bëhen xhihadistë, por edhe ndaj elementëve të tjerë në komunitetin e imigrantëve, si dhe një numër në rritje të vendasve të irrituar evropianë, një model që do ta rrënojë strukturën sociale të Evropës, dhe do të zbehë më tej perspektivën tashmë të kufizuar ekonomike.

Shumë kohë para se sirianët të fillonin të vinin në Evropë, komuniteti i emigrantëve myslimanë u rrit ndjeshëm, dhe ishte tejet i pakënaqur në atë masë sa të shkaktonte tensione scioale të konsiderueshme. Duke lënë mënjanë xhihadistët e rastit, ndjenja e izolimit dhe e mungesës kryesisht të mundësive ekonomike, i pati shtyrë njerëzit tek sjelljet antisociale.

Emblematike janë trazirat që ndodhën në periferinë e Parisit në vitin 2005, dhe të gjitha trazirat e vogla që e pasuan thuajse çdo vit. Asokohe, zyrtarët francezë u orvatën t’a interpretonin këtë valë pakënaqësie me motive islamike, por shpejt u bë e qartë se rrënjët ishin më komplekse, dhe kishin të bënin kryesisht me ankesat ekonomike dhe sociale, një fakt që është përforcuar prej 10 vjetësh. Por kjo nuk po ndodh vetëm në Francë.

Emigrantët turq në Gjermani, edhe pse më pak të dhunshëm, kanë shprehur pakënaqësi të njëjta, aq sa

se gazetat e tyre i kanë përshkruar shpesh përpjekjet e kancelares Merkel në terren me termin “diskriminim”.  Pjesa më e madhe e përfaqësuesve të emigrantëve, ka refuzuar edhe të marrë pjesë në konferencat e organizuara nga qeveria, që synonin qetësimin e tensioneve. Ankesa të ngjashme janë artikuluar nga emigrantët në të gjithë Evropën, nga Skandinavia në Greqi.

Pakënaqësitë nuk janë më pak të mëdha, në mesin e punëtorëve vendas të Evropës. Edhe pse është e zakonshme në mesin e elitës intelektuale dhe mediave për cilësimin e një kundërshtimi të tillë nga vendasit si me sfond racist, është e padrejtë që kjo çështje komplekse të kalohet kaq lehtë.

Sadoqë racizmi ekziston në të dyja kampet, shqetësimet e këtyre njerëzve meritojnë vëmendje. Tek e fundit, janë fshatrat dhe jo rrethinat e elites, ato që kanë ndryshuar rrënjësisht me shtimin e komuniteteve të emigrantëve. Do të ishte mohim i natyrës njerëzore, të mendohet se këta njerëz nuk kanë arsye të ndihen të tjetërsuar e të frikësuar, përballë një ndryshimi të tillë.

Shkalla e lartë e papunësisë, veçanërisht në mesin e të rinjve evropianë, vetëm sa e ka ndërlikuar më tej problemin. Është e vështirë të jesh i mirëpritur sot në Francë, kur rreth 25 për qind e të rinjve janë pa punë, 45 përqind në Itali dhe pothuajse 50 për qind në Spanjë. Përkundrazi, ky lloj presioni i tundon njerëzit të fajësojnë të ardhurit për gjendjen e tyre.

Sado të padrejta që mund të jenë ndjesi të tilla, ato gjithësesi mbeten një fakt i kuptueshëm i jetës, që ka gjetur shprehje në veprimet politike dhe anti-sociale. Përballë këtyre fenomeneve në rritje, elita e Evropës ka dështuar. Aty ku ankesat e emigrantëve janë shqetësuese, ajo ka bërë shumë pak për t’i integruar ata në ekonominë, dhe aq më pak në kulturën vendase. Përkundrazi, strukturat ekzistuese duken të projektuara për t’i mbajtur emigrantët të izoluar, në një kohë që kufizojnë mundësitë e tyre ekonomike. Për shembull, shkollat evropiane, kanë pak ose aspak shkolla dygjuhësore.

Praktika e zakonshme në Evropë, i lë fëmijët e emigrantëve pa asnjë rrugë, për të kapërcyer dizavantazhin e  e hershëm gjuhësor dhe kulturor. Evropa nuk ka asgjë të ngjashme me diplomën amerikane të shkollës së mesme. Vetëm tani zyrtarët po fillojnë të eksperimentojnë, gjithësesi në një shkallë më të kufizuar.

Në të njëjtën kohë, një elitë e vetëkënaqur s’ka bërë asgjë për të trajtuar pasigurinë e popullsisë vendase. Mungesa e reformës së tregut të punës në shumë prej shteteve anëtare të BE-së, garanton vazhdimin e shkallës së lartë të papunësisë së të rinjve. Në vend të marrjes së sigurisë se kultura e tyre kombëtare nuk do të zhbëhet, këta njerëz e gjejnë veten të akuzuar si racistë.

Kundër një mungesë të tillë të veprimeve zyrtare, në fakt gati një refuzim për të adresuar shqetësimet e askujt, elita e Evropës ka arritur të intensifikojnë ndjenjat e alienimit, braktisjes dhe dëshpërimin në të dy kampet. Prandaj nuk është çudi që të dyja grupet kanë vërshuar rrugëve, dhe dhuna është rritur.

Media ka mbuluar në përgjithësi veprimet e emigrantëve, por popullsia vendase ka qenë po aq, në mos më tepër agresive. Ndjenjat e hidhura janë qartazi shumë të thella. Shumë kohë para fluksit të fundit

të emigrantëve, sondazhet në Mbretërinë e Bashkuar tregonin se rreth tre të katërtat e të anketuarve, u kërkonin zyrtarëve të detyronin emigrantët e papunë të riktheheshin në vendet e tyre.

Sondazhet në kontinent, dëshmojnë për qëndrime të ngjashme. Faqet e internetit të anti-myslimane janë përhapur shumë. Revistat feminist, që zakonisht priren drejt progresives, kanë shprehur rezerva serioze për rritjen e ndikimit mysliman, në një kohë që kanë rekomanduar mjete jo shumë liberale për ta adresuar këtë çështje. Ndërkohë, janë shtuar edhe sulmet ndaj emigrantëve.

Në një incident tronditës, neo-nazistët italianë vërshuan nëpër lagjen e njohur Pigneto të Romës, duke sulmuar pronarët e dyqaneve që ishin emigrantë, ndërsa bërtisnin:”largohuni bastardë të huaj”. Vitin e kaluar, edhe para fluksit sirian, disa xhami u dogjën në Suedi. Gjashtë vjet më parë, Morten Kjaerum, drejtori i Agjencisë për të Drejtat Themelore të Bashkimit Evropian, pranoi se “krimet me motive raciste dhe diskriminimin në BE, janë shumë më të përhapura, sesa e pranojnë shtetet anëtare individuale”.

Në përputhje me rrethanat, janë shtuar edhe votat për partitë që janë haptazi kundër emigrantëve. Shumë kohë para se të fillonte fluksi i madh i refugjatëve sirianë, një e pesta e votave flamande në Belgjikës, shkoi për partinë ksenofobe Vlaams Belang. Në Danimarkë, forca politike kundër emigrantëve, fitoi disa vende në parlament. Disa vjet më parë, një referendum në Zvicër e bëri më të lehtë dëbimin e emigrantëve.

Në Britani, Partia për Pavarësinë e Mbretërisë së Bashkuar, bëri më pak nga sa pritej në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, por tronditi më herët me rezultatin mbresëlënëse në zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Ndërsa edhe vende të tjera evropiane kanë përjetuar dukuri të tilla, nuk është për t’u habitur që politikanët e partive kryesore kanë filluar të manovrojnë sipas rrethanave.

Zyrtarët gjermanë kanë theksuar gjithnjë, se Gjermania nuk është një “vend emigrantësh”. Xhek Strou, anëtar i parlamentit britanik dhe ish-sekretar i jashtëm, ka folur kundër shamisë myslimane. Ministri iralandez i Kulturës Eamon O Cuiv, shumë kohë para se sirianët të fillonin të vinin masivisht në Evropë hynë, tha troç se më shumë emigrantë do të krijonin “një milionë e një probleme”, ndërsa më herët, Ministri spanjoll i Punës dhe Emigracionit, Celestino Corbacho, fajësoi haptazi emigrantët për papunësinë e lartë.

Në këtë përzierje tashmë eksplozive kanë mësyrë qindra e mijëra, në mos miliona refugjatë të rinj myslimanë. Suedia raporton se këtë vit kanë hyrë thuajse 200 mijë të rinj, rreth 2 për qind e popullsisë, 4-fishi i normave më të fundit të emigracionit. Qeveria pranon se sistemi i saj i përpunimit është shpërbërë.

Sipas Bashkimit Evropian, në Gjermani, vendin më të madh të saj, aplikimet për azil janë rritur me 250 për qind vetëm vitin e fundit, me një normë vjetore që i afrohet një milionë e gjysmë personave.

Sado e sinqertë që mund të jetë simpatia humanitare e njerëzve, është e lehtë të shihet se ky fenomen mund të shkaktojë përçarje. Këtë realitet të pashmangshëm, e dëshmoi edhe kancelarja Angela Merkel, që urdhëroi zyrtarët gjermanë të mbyllin kufirin e vendit, për të frenuar fluksin e refugjatëve.

Vendet e tjera anëtare, duke patur frikë nga presionet e mëtejshme, e sfiduan mirëseardhjen zyrtare të Bashkimit Evropian, duke i rezistuar me çdo lloj mënyre flukseve emigratore. Emigracioni, është shndërruar shpejt në shqetësimin kryesor në mesin e evropianëve. Një studim i përvitshëm i BE-së, tregoi vetëm dy vjet më parë se vetëm 1 në 10 evropianë e identifikonin emigracionin si problem. Në krye të listës, qëndronin papunësia dhe kushtet ekonomike.

Në pranverë të vitit 2014, çështja e emigracionit ishte në krye të shqetësimit të qytetarëve. Një në katër vetë e cilësuan atë si një çështje kritike. Sondazhi i pranverës së këtij viti, e vendoste emigracionin si shqetësimin më të madh në Evropë, duke lënë në hije madje edhe çështjet e papunësisë dhe mundësive ekonomike.

Në këto kushte, perspektiva është për më shumë tension dhe dhunë nga të dyja palët. Ajo që e ndërlikon problemin, është fakti se problemet në vetvete  do të përshpejtojë tendencën tashmë në rritje për emigrimin e evropianëve që vijnë nga vende në mirëqënie. Edhe para këtij kërcënimi, Gjermania, Holanda, Belgjika, Suedia, Franca dhe Britania e Madhe  patën përjetuar  emigrimin e mijëra personave. Një studim i madh i kohëve të fundit mbi të diplomuarit universitarë gjermanë, zbulon disa prej ndjenjave të tyre lidhur me emigrimin. Ata e lidhnin vendimin për t’u larguar nga shtëpia, jo me ekonominë apo edhe zgjerimin e komunitetit të emigrantëve, por më tepër me atë që e quajnë “rënia sociale” në përgjithësi.

Evropa e sëmurë nuk mund të përballojë dot më modele të tilla. Ekonomia e saj është larg të qënit e fuqishme, ndërsa problemet sociale s’mund të ndihmojnë, përkundrazi e vonojnë me tej progresin e saj. Për shkak se njerëzit që do të emigrojnë për të shmangur përçarjen sociale, janë të njëjtit që do të moderonin tensionet ndërmjet emigrantëve dhe një popullsie vendase të prekur, largimi i tyre do të shtojë përplasjet, nxisë më shumë dhunë dhe shkaktojë një degradim të mëtejshëm të strukturës shoqërore të kontinentit, më shumë pengesa për rritjen ekonomike dhe më tepër emigracion.

Për shkak se Evropa gjithashtu vuan nga plakja, prirjet demografike s’mund të ndihmojnë por përkundrazi e zvogëlojnë madhësinë relative të popullsisë vendase më moshë pune, emigrimi i disa prej më të aftëve, do të shtojë edhe një tjetër peshë në vështirësitë ekonomike të kontinentit, veçanërisht pasi emigrantëve kanë tendencë t’u mungojnë aftësitë që morrën me vete emigrantët vendas, që u larguan nga vendi.

Një rreth vicioz duket është gati të krijohet, në të cilin grupe problematike me reagimet e tyre do e përkeqësojnë situatën. Efektivisht Evropa po përballet me vështirësi, të cilat me kalimin e kohës do ta bëjnë krizën financiare të vazhdueshme në Greqi dhe vende të tjera në periferi të saj, të duket krahasimisht më e menaxhueshme sesa ajo e emigrantëve.

Shënim: Milton Ezrati është ekonomisti kryesor në  ”Lord, Abbett & Co” dhe bashkëpunëtor i Qendrës për Studimin e Kapitalit njerëzor në Universitetin në Buffalos. Libri i tij më i fundit, “Tridhjetë të nersërmet”, përshkruan sfidën e plakjes demografike dhe si bota mund ta përballojë atë.

“National Interest” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button