Bota

Sa komuniste është Koreja e Veriut?

Screen Shot 2015-10-23 at 08.36.02

Nga Robert Kelly

Në 10 tetor të këtij viti u kremtua 70-vjetori i themelimit të Partisë së Punëtorëve Koreanë (KWP), Partia Komuniste e Koresë së Veriut. Kulmi i kremtimeve, ishte një paradë e madhe ushtarake në sheshin qëndror të Phenianit “Kim Il Sung”. Gazetarëve të huaj iu shfaq një imazh i rrallë dhe i ‘privilegjuar’ (lexo të manipuluar) të partisë dhe ushtrisë në lavdi të plotë.

Madje edhe Kim Jong Un foli, një ngjarje kjo e pazakontë. Një funksionar i huaj i nivelit të lartë i një tjetër vendi që vetëquhet ‘komunist’ Kina, u ngrit dhe mbajti një fjalë përshëndetëse. Vëzhguesit që e mbajnë mend Luftën e Ftohtë, do të vërenin menjëherë ngjashmërinë me paradat e stilit të vjetër sovjetik, dhe me teprinë e parullave të kuqe, sloganeve partiake, dhe ikonografisë komuniste, ndërsa cilido do të ishte i falur nëse do të mendonte se kjo është ende një parti marksiste-leniniste. Sikurse e ka vënë në dukje Andrei Lankov, PPK-së ruan strukturën e një partie të tillë, që qëllimin e saj të vërtetë ka vetëm të jetë në shërbim të pushtetit totalitar.

Ideologjia është çuditërisht e rëndësishme

Koreja e Veriut vepron sikur ideologjia për të është jashtëzakonisht e rëndësishme. Të gjitha qytetarët shkojnë një herë në javë në “’klasat ideologjike”. Kim Il Sung, themeluesi i rregjimit, përdori disa nga simbolet e Konfucianizmit për simbolin e parties, dhe vuri theksin tek ideologjia e punës. Kohët e fundit, rregjimi ka imponuar mësimin e arritjeve teorike të Kim Il Sung dhe djalit të tij Kim Jong Il, si autorë dhe mendimtarë.

Madje pretendohet se Juche, ideologjia komuniste e Phenianit, të studiohet gjerësisht si një filozofi e rëndësishme në rang global. Të dy Kim-ëve u njihet merita e shkrimit të një numri të madh librash dhe pamfletesh mbi teorinë komuniste. Kur kam vizituar Phenianin, na çuan në një muze dedikuar mijëra botimeve rë Kim Il Sungut (po, mijëra).

Ato mund të blihen në çdo dyqan, dhe shumica përmbajnë një ton komunist, me shumë zhargon marksist rreth revolucionit, dogmatizëm borgjez, citate nga Hegeli, “ligjet e hekurta” të historisë, dhe kështu me radhë. Madje Koreja e Veriut ka ende një nga termat fasadë tipike komuniste; Republika Popullore Demokratike e Koresë (dikur Volteri ironizonte ngjashëm Perandorinë e Shenjtë Romake).

Duke pasur parasysh këtë përvjetor të kremtuar me pompozitet, ia vlen të analizohet sesa ‘komuniste’ është në praktikë PPK-ja. Koreja e Veriut, ashtu si Gjermania Lindore, u themelua  rreth nocionit se ajo ishte alternativa socialiste ndaj dështimit të kapitalizmit dekadent. Kur u kam dhënë mësim mbi Korenë e Veriut studentëve të Koresë së Jugut, unë zakonisht e filloj këtu, sepse një gjuhë e tillë e ka përcaktuar formalisht Phenianin për një kohë kaq të gjatë.

Për shkak të sigurisë kombëtare, studentët e Koresë së Jugut, nuk mësojnë aq shumë rreth Koresë së Veriut, dhe thuajse asnjëri prej tyre nuk ka dijeni për ‘fazat e historisë’, të cilat shtetet marksiste i mbështetën për dekada të tëra. Sipas këtij standardi, Koreja e Veriut është aktualisht një vend post-revolucionar, diktaturë e proletariatit, pas revolucionit të kryer nga Kim Il Sung.

Qëllimi tashmë – sërish sipas ideologjisë strikte marksiste-leniniste – është ruajtja nga revanshistët kundërrevolucionarë në vend (në situatën aktuale vështirë se përbën më ndonjë  kërcënim), si dhe armiqve të jashtëm borgjezë (amerikanët, ‘kukulla’ e Koresë së Jugut dhe Japonia), të cilët kanë ndërmend që të shkatërrojnë rendin e ri. Kur ky projekt yë jetë i sigurtë, shteti mund të lulëzojë.

“Deviacionizmi” i Koresë së Veriut

Ashtu si çdo shtet tjetër marksist, Koreja e Veriut nuk mund të bëjë ndonjë dallim të madh. Në fakt, ajo ka dështuar apo i është përvjedhur deri më tani çdo gjëje që ka të bëjë me socializmin, komunizmin, marksizëm-leninizmin, ndaj dhe shumë analistë nuk e marrin serziosisht këtë përvjetor, duke u fokusuar me tepër tek gjuha bombastike ushtarake. Ndjekësit aktualë janë disa, që marksistët e dikurshëm do t’i kishin quajtur ‘deviacionistë’.

Së pari, Koreja e Veriut është një monarki. Etikimi qesharak si një “monarki komuniste’ përherë më ka bërë përshtypje. Asgjë nuk tregon përmbajtjen ideologjike të Koresë së Veriut, sesa vijimësia familjare në pushtet. Natyrisht, kjo është një praktikë feudale, çka ishte pikërisht dukuria që komunizmi duhet ta zhdukte, si diçka të prapambetur dhe represive.

Marksi dhe Lenini, ishin tejet të ashpër në kritikat e tyre ndaj feudalizmit. Një nga komentet më të njohura të Marksit, ishte ankesa e tij e famshme mbi “idiotësinë e fshatarësisë”, që do të thoshte se ata qëndronin jashtë historisë si pasivë, spektatorë të painformuar e të zhytur në injorancë. Dhe, sigurisht, pretendimi kryesor historik i thuajse çdo teoricieni dhe udhëheqësi marksist, ishte se historia zhvillohet me faza, dhe se komunizmi ishte një tjetër fazë që pasonte kapitalizmin.

Kur Hrushovi tha se “ne do t’iu varrosim”, ai saktësisht donte të thoshte se:këto forca të mëdha marksiste-metafizike të histories, ishin duke punuar kundër kapitalizmit, pa marrë parasysh se çfarë mjeti do të përdornin, dhe se komunizmi ishte e ardhmja e pashmangshme.

Kjo është arsyeja pse udhëheqës si Stalinit dhe Pol Poti, ishin aq të ashpër ndaj komuniteteve të tyre feudale-bujqësore:ata ishin “prapa” mekanikës historike marksiste. Edhe Mao pati mikëkuptimin të shmangte “familjarizimin” e Partisë Komuniste Kineze (gruan e tij e parë nuk e pati jetën e gjatë), ndërsa kritikoi ashpër Konfucin si një feudal reaksionar.

Megjithatë, ne kemi një rregjim komunist të japur, që po i rikthehet mënyrave para-kapitaliste, në vend se të lëvizë përpara në epokën post-kapitaliste, sikurse e thotë dhe ideologjia e vet se duhet të ndodhë. Dikush mund të pyesë si duhet të punojnë ideologët e PPK, për të përputhur neo-feudalizmin me ideologjinë zyrtare të rregjimit.

Devijimi i dytë është flirti i Koresë së Veriut me nacionalizmin, racizmin, dhe ndoshta fashizmin. Është theksuar shpesh se se ideologjia e Koresë së Veriut, thekson karakteristikat unike racore të njerëzve Koreane (Minjok). Edhe kjo është një shkelje e rëndë e marksizëm-leninizmit të shekullit XX, me insistimin e tij ideologjik mbi “internacionalizmin”, dhe përdorimin e saj në luftë ndaj fashizmit për të legjituar vetveten.

Edhe Kina sapo kremtoi fitoren e vet mbi fashizmin. Megjithatë, në fillim të viteve ‘70, diplomatët e bllokut lindor, vinin në dukje sesa të çuditshme po bëheshin tezat e Koresë së Veriut, dhe se në vend kishte një shkollë interpretimi për të cilën thuhej se është një lloj fashizmi japonez, por në një mënyrë marksiste.

Nacionalizmi është shumë më i rëndësishëm se sa klasa, sidomos kur klasa në Korenë e Veriut përcaktohet nga linja e gjakut. Më pas vijnë vijnë korrupsioni dhe marketizimi. Dy devijimet e para janë politike: Qeverisja monarkike e Koresë së Veriut dhe theksi tek gjaku, bie në kundërshti të hapur me çdo interpretimin konvencional të marksizmit të shekullit XX-të.

Por edhe në aspektin ekonomik, Koreja e Veriut ka hequr efektivisht dorë nga shpërndarja publike ose ‘socializmi’, në këmbim të marketizimit joformal, shoqëruar me korrupsionin oligarkik. Nëse dikush e përkufizon socializmin si shpërndarja ekonomike e drejtuar nga shteti, atëherë kjo u shemb në Korenë e Veriut në fund të viteve ‘90. Zija e dhjetoi sistemin e shpërndarjes pubike. Ironik është fakti, që viktimat e para të asaj katastrofe, qenë kuadrot që besonin më shumë tek sistemi.

Ata pritën më kot për furnizimet nga shteti, dhe refuzuan që të kënaqen me korrupsionin dhe tregtinë e paligjshme me Kinën, që i ndihmoi të tjerët të mbijetojnë. Pothuajse të gjithë jashtë elites, që i mbijetuan e ‘Marsit të Egër’ u angazhuan në disa forma të paligjshme tregtie, bujqësisë private apo korrupsioni për të mbijetuar.

Këto mekanizma të tregut informal, u dëshmuan si tejet të vështira për t’u çrrënjosur. Në këtë pikë, shteti mund të mos përpiqet më të provojë ta bëjë këtë, teksa dispozitat jo-shtetërore ndihmuan popullsinë të ishte në një gjendje disi më të mirë, dhe me gjasë më pak rezistuese ndaj pushtetit qëndror.

Marketizimi nga poshtë, ndikoi ndërkohë në rritjen e korrupsionit, si për shembull tregtia ushqimore, mundet realisht të tolerohet jozyrtarisht për ta mbajtur në këmbë rregjimin. Pra, kjo është edhe arsyeja pse në kremtimet e 70-vjetorit të PPK-së, festoi më shumë ushtria sesa partia, së bashku me programin bërthamor.

Partia e Punëtorëve Koreanë është një relike ideologjike. Pas dy sundimeve monarkike dhe shembjes së sistemit shtetëror të shpërndarjes së të mirave materiale, ajo nuk është më një mjet për ‘punëtorët’ apo ‘komunistët’ dhe as një ‘parti pararojë’.

“Lowy International Policy” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button