Horizonti.alMAIN

Sa shumë uri (dhe etje) ka Inteligjenca Artificiale

Inteligjenca artificiale ka rritur ndikimin ekologjik të qendrave të të dhënave që e përdorin, duke konsumuar gjithnjë e më shumë energji elektrike dhe ujë. Dhe ka nga ata që duan t’i zhvendosin ato nën det… ose edhe në hapësirë

Konsumojnë më shumë energji elektrike se tëra kombe të tëra.

Nuk bëhet fjalë për uzina çeliku apo industri kimike, por për ruajtësit e të dhënave tona digjitale. Gjigantët e teknologjisë – Google, Amazon, Meta, Microsoft – janë të uritur për energji. Në vitin 2022 ata ishin ndër blerësit më të mëdhenj globalë të energjisë, menjëherë pas prodhuesve të çipave elektronikë.

Për të siguruar furnizimin me energji elektrike, kompanitë nuk kanë kursyer shpenzimet: Google ka investuar në centralin më të madh diellor me pasqyrë, Ivanpah, në shkretëtirën Mojave të Kalifornisë, me gati 180 mijë pasqyra që prodhojnë 392 megavat energji.

Amazon është blerësi më i madh në botë i energjisë së gjelbër, me 33,6 gigavat orë – më shumë sesa prodhon Ekuadori në një vit.

Të tjerë po drejtojnë vëmendjen nga energjia bërthamore, madje me zgjidhje të guximshme: Microsoft ka zhytur qendra të dhënash nën det, ndërsa Thales Alenia Space ka paraqitur një projekt të financuar nga Komisioni Europian (2 milionë euro) për të vendosur qendra të dhënash në orbitë rreth Tokës.

Por pse kjo etje për energji? Dhe çfarë pasojash do të ketë ajo për mjedisin dhe ekonominë?

Video, foto, dokumente… dhe një oreks i pangopur

Dihej prej kohësh që kompanitë Big Tech janë konsumatorë të mëdhenj energjie. Vetëm kërkimet ditore në Google në të gjithë botën përdorin 2.55 milionë kilovat orë në ditë.

Kjo është energjia e nevojshme që një kërkim i thjeshtë (“shtëpi me qira në Romë”) të japë një përgjigje. Paketat e të dhënave kalojnë përmes qendrave të mëdha të të dhënave (data centers), që janë hangarë gjigantë plot me serverë që përpunojnë kërkimet dhe japin rezultatet.

Aty ruhen videot, fotot, dokumentet tona “në cloud”, madje edhe regjistrat e kriptovalutave. Energjia duhet të jetë e garantuar 24 orë në ditë, çdo ditë të vitit, ndaj këto qendra kanë gjeneratorë rezervë me naftë ose bateri. Ajo energji nuk ushqen vetëm serverët dhe ruterat, por edhe sistemet e ftohjes, që mbajnë procesorët në temperatura të sigurta.

Me ardhjen e inteligjencës artificiale, situata është përkeqësuar ndjeshëm: një kërkim në ChatGPT konsumon 10 herë më shumë energji se një kërkim i zakonshëm, sepse përfshin shumë më tepër llogaritje komplekse.

“Çdo përgjigje e ChatGPT,” shpjegon Marco Aldinucci, drejtor i grupit të llogaritjeve paralele në Universitetin e Torinos, “nënkupton miliarda operacione matematikore. Sa më i ndërlikuar të jetë modeli, aq më shumë energji kërkohet për të gjeneruar një tekst apo imazh.”

Në këtë mënyrë, vetëm ata që do të kenë mjaftueshëm energji do të mund të marrin pjesë në garën për zhvillimin e AI-së më të avancuar. Dhe kjo pritet të ketë pasoja serioze.

Sipas raportit të fundit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), deri në vitin 2026 kërkesa për energji elektrike nga qendrat e të dhënave pritet të dyfishohet, nga 460 teravat orë në 1.050 TWh – më shumë sesa konsumon Japonia në një vit.

Gara për energji

Në dekadën e fundit, kërkesa për energji nga qendrat e të dhënave është rritur me 14% në vit, ndërkohë që kërkesa e përgjithshme botërore është rritur vetëm me 2.5%. Energjia e gjelbër nuk mjafton — era dhe dielli janë të paqëndrueshëm, hidrocentralet dhe burimet gjeotermale nuk mund të ndërtohen kudo. Zgjidhja më e menjëhershme? Energjia bërthamore.

Në qershor, Amazon bleu furnizim të drejtpërdrejtë me energji nga centrali bërthamor Susquehanna afër Filadelfias. Por operatorët e rrjetit energjetik amerikan e kundërshtuan marrëveshjen, sepse data center-i u klasifikua si “përdorues i zakonshëm”, duke shmangur pagesa të larta për transmetimin e energjisë (rreth 140 milionë dollarë në vit).

Kritikët paralajmërojnë se zhvendosja e energjisë bërthamore drejt qendrave të të dhënave mund të rrisë çmimet për konsumatorët e zakonshëm.

Në Evropë tashmë janë vendosur rregulla të rrepta: operatorët janë të detyruar të raportojnë konsumin e energjisë dhe ujit. Në gusht, autoritetet në South Dublin (Irlandë) refuzuan kërkesën e Google për një qendër të re të dhënash, me arsyetimin se “rrjeti elektrik nuk e përballon dot ngarkesën shtesë”.

Ndërkohë, Sam Altman (OpenAI) ka investuar në kompaninë Oklo për mikro-reaktorë bërthamorë, dhe Bill Gates ka financuar TerraPower, që zhvillon reaktorë të rinj të shpejtë.

Por a po ringjallin data center-at energjinë bërthamore? Jo, sipas studiuesit italian Nicola Armaroli: “Bota po ecën drejt energjive të rinovueshme. Reaktorët modularë të vegjël nuk janë ende një opsion i disponueshëm. Kompjuterët kuantikë mund të reduktojnë ndjeshëm konsumin në të ardhmen”.

Problemi tjetër: uji

Data center-at përdorin sasi të mëdha uji pe4r ftohje – rreth 43 kilometra kub në vit, gati sa 1.5 herë konsumi vjetor i Italisë. Uji avullon në kullat ftohëse që ftohin procesorët e mbinxehur.

Për të reduktuar ndikimin mjedisor, Microsoft testoi një zgjidhje origjinale: zhytjen e një qendre të dhënash në det, në një kapsulë metalike hermetike 35 metra nën sipërfaqe, pranë brigjeve të Skocisë.

Projekti Natick (2018–2020) tregoi rezultate të jashtëzakonshme: nga 855 serverë, vetëm 6 u dëmtuan (0.7%) kundrejt 6% në tokë. Arsyeja? Mungesa e oksigjenit, lagështisë dhe pluhurit, që shmangin gërryerjen.

Megjithatë, projekti u mbyll. “Mësuam shumë nga kjo përvojë”, deklaroi Microsoft, “dhe do t’i përdorim këto mësime në projekte të tjera.”

Qendrat e të dhënave… në orbitë

Edhe më ambicioz është projekti Ascend i Komisionit Europian: vendosja e qendrave të të dhënave në hapësirë. Kompania Thales Alenia Space ka propozuar ndërtimin në orbitë (1.400 km lartësi) të 13 moduleve gjigante, secili 200 metra i gjatë, të mbuluar me panele diellore gjashtëkëndore që do të prodhonin 10,4 megavat energji – mjaftueshëm për 3.500 apartamente.

Mirëmbajtja do të kryhej nga robotë lëvizës dhe komunikimi midis moduleve përmes një rrjeti me brez të gjerë. Megjithëse projekti është teknikisht i mundshëm, nuk është ekonomikisht dhe ekologjikisht i qëndrueshëm: transportimi i materialeve në orbitë është tepër i shtrenjtë dhe prodhon shumë CO₂.

Sipas inxhinierit Damien Dumestier nga Thales Alenia: “Që një sistem i tillë të jetë konkurrues me qendrat tokësore, duhet të kushtojë nën 80 milionë euro për bllok dhe të emetojë jo më shumë se 14 tonë CO₂ për nisje. Kjo do të jetë e mundur vetëm kur të kemi një gjeneratë të re raketash ekologjike, që parashikohet të jenë gati deri në vitin 2035.”

Microsoft ka investuar ndërkohë 40 milionë dollarë në startup-in Armada, që synon të krijojë qendra të dhënash në hapësirë të lidhura me rrjetin Starlink. Në të ardhmen, ndoshta, të dhënat tona do të fluturojnë mbi kokat tona. / Focus – Bota.al

Back to top button