Bota

Saga e pafund e reformave në Ukrainë

Screen Shot 2015-09-26 at 09.35.03

Nga Steven Pifer

“Brookings Institute”

Vështirë se mund të ishin një simbol më i mirë i gjendjes tejet të dëshpëruar të shtetit ukrainës, sesa diskutimet në konferencën mbi Strategjinë Evropiane të Jaltës, mbajtur çdo vit në muajin shtator. Takimi, që u mbajt fillimisht në Jaltë në vitin 2004, kishte për qëllim të nxirrte në pah sofistikimin në rritje të Ukrainës dhe vokacionin evropian, në një nga zonat më të bukura të vendit në Krime.

Në vitet që pasuan, Ukraina u rrethua nga korrupsioni i brendshëm, konflikti politik, dhe në fund nga pushtimi i huaj nga ana e Rusisë. Tashmë, një konferencë e quajtur pas-Jaltës, u mbaj në Kiev, për shkak se Rusia ka pushtuar dhe aneksuar në mënyrë të paligjshme Krimenë.

Në këtë sfond shqetësues, çështja e krijimit të një Ukraine të reformuar, që mund t’i rezistojë Moskës në qendër të fjalimeve të politikanëve e zyrtarëve të lartë ukrainas si dhe pjesëmarrësve të huaj, në mbledhjen e këtij viti. Në përgjithësi, konferenca zbuloi se ndërsa ka pasur ca progres në reforma dhe ende shumë për t’i bërë, mbeten shumë shqetësuese ndasitë politike brenda Ukrainës, teksa Rusia vazhdon të jetë një kartë e rrezikshme.

Reforma me hope

Përsa i përket gjendjes së reformave në Ukrainë, që nga Revolucioni i Maidanit në fillim të vitit 2014, edhe nëse gota është gjysmë plot ka një pjerrësi herë drejt pesimizmit apo optimizmit. Presidenti Petro Poroshenko dhe kryeministri Arsenij Jatsenuk, mund të citojnë arritje të mëdha:zgjedhjet e lira dhe të ndershme presidenciale dhe parlamentare; kabineti qeveritar më reformator në historinë e Ukrainës; përmirësimi gradual i ushtrisë, pavarësisht konfliktit të vazhdueshëm me Rusinë; dhe miratimi i disa masave të ashpra në ekonomi dhe sektorin financiar.

Por në listën e detyrave, mbetet ende shumë për t’u bërë. Ukrainasit duan përparim të shpejtë në frenimin e korrupsionit, duke përfshirë shkarkimin dhe çuarjen në gjyq të zyrtarëve të akuzuar. Kjo mbetet një pikë kryesore referimi, me të cilin shumë ukrainas e gjykojnë punën e qeverisë së tyre, dhe se deri më tani atyre nuk u bën përshtypje shumë pozitive.

Ndërsa liberalizimi ka shënuar progres, biznesi përballet ende me batakun  e burokracisë. Sundimi i ligjit në praktikë është i dobët, sistemi gjyqësor mbetet kryesisht i pareformuar, dhe ngrihen shumë pyetje mbi objektivitetin e prokurorëve.

Arti i së mundshmes

Muaji i mjaltit i post-Maidanit ka përfunduar. Koalicioni pro-qeveritar i formuar 10 muaj më parë ndodhet nën një presion në rritje, ndërsa grupe të ndryshme shprehin shqetësim rreth ndikimit të masave shtrënguese, dhe mungesës së përparimit në luftën kundër korrupsionit. Oligarkët, vazhdojë të luajë një rol të ekzagjeruar e të pashëndetshëm në politikën e vendit.

Forcat politike të krahut të djathtë kundërshtojnë marrëveshjen Minsk II, të ndërmjetësuar nga liderët gjermanë dhe francezë në shkurtin e këtij viti, për të zgjidhur konfliktin në Donbas. Miratimi i një amendamenti të ri kushtetues për decentralizimin – për të cilin Poroshenko ra dakord në Minsk – provokoi një ndarje të mprehtë brenda koalicionit pro-qeveritar, dhe një demonstratë të dhunshme, që shkaktoi vdekjen e 3 pjesëtarëve të Gardës Kombëtare.

Disa politikanë i janë kthyer populizmit. Ish-kryeministrja Julia Timoshenko, ka propozuar indeksimin e pagave në raport me normën e inflacionit. Kievi nuk mund ta përballojë dot këtë lloj të mase, dhe miratimi i sajj do të bënte që Fondi Monetar Ndërkombëtar të pezullonte programin e asistencës. Sondazhet thonë se vlerësimi i publikut për Timoshenkon është rritur në mbi 20 përqind, duke rivalizuar Poroshenkon.

Për më tepër, qëndrimet në Ukrainë ndaj Rusisë janë ashpërsuar. Kjo e kufizon hapësirën politike të Poroshenkos për të arritur një marrëveshje me presidentin rus Vladimir Putin … gjithnjë në rast se ky i fundit e do diçka të tillë, gjë që për momentin nuk është e dukshme.

Për shembull, në verën e vitit të shkuar, Poroshenko foli për largimin e NATO-s nga tryeza e bisedimeve, por ndërsa kjo duhej të ishte në interes të Kremlinit, që kërkon një ndalim të detyrueshëm të anëtarësimit të Ukrainës në Aleancën e Atlantikut të Veriut, rusët në fakt nuk reaguan. Poroshenko nuk flet më në ato terma, dhe sondazhet e opinionit tregojnë se, për herë të parë, shumica e ukrainasve janë në favor të anëtarësimit në NATO. Nën pushtim, çdo vend tjetër do të vepronte në të njëjtën mënyrë.

E gjithë kjo e kombinuar krijon një mjedis të komplikuar politik, edhe pse një lajm disi i mirë erdhi në 17 shtator:legjislacioni për të miratuar marrëveshjen mbi riplanifikimin e borxhit të Ukrainës me më shumë se 300 vota pro. Diplomatët kryesorë amerikanë dhe evropianë, i patën bërë thirrje Rada-s (parlamentit ukrainas), të miratonte paketën, pasi në të kundërt vendi do të zhytej në një kaos financiar.

Miratimi i kësaj marrëveshjeje tregon se kur është fjalë për çështjet e mëdha, qeveria mund të bindë anëtarët e parlamentit të lënë mënjanë politikën dhe të bëjnë gjënë e duhur. Më shumë fitore të tilla do të jenë të nevojshme, teksa qeveria kërkon të fitojë mbështetje për programin e saj të reformave, dhe mbushur kësisoj 2/3 e gotës  në vend të gjysmës.

Marrëdhënia e brishtë Poroshenko-Jatsenuk

Nga të gjitha këndvështimet, marrëdhënia midis Poroshenkos dhe Jatsenuk, është e brishtë. Kryeministri shihet si promotor i masave shtrënguese, dhe vlerësimi i mbështetjes së publikut ndaj tij ka rënë ndjeshëm. Mbështetësit e Jatsenuk, shqetësohen se presidenti nuk ka mbështetur në mënyrë të dukshme reformat.

Kjo situate, risjell kujtimet të këqija deri në prishje mes presidentit Viktor Jushçenko dhe kryeministres Timoshenko, pas Revolucionit Portokalli të vitit 2004. Ish-Presidenti gjeorgjian Mikail Sakashvili, tanimë guvernator i Odesas, është bërë pjesë e kacafytjes politike, dhe mund të jetë një faktor i paparashikueshëm në politikën e brendshme të Ukrainës.

Hë për hë, Poroshenko dhe Jatsenuk duket se kuptohen, pasi kanë nevojë për njëri-tjetrin. Nëse marrëdhënia mes tyre prishet, koalicioni parlamentar do të humbasë shumicën në parlament. Ndërsa përpiqet të përshpejtojë reformat ekonomike, zhvillojë zgjedhjet lokale, dhe përballet me agresionin e  Rusisë, Kievi s’mund të përballojë dot një krizë politike. Kjo është arsyeja pse SHBA, Gjermania dhe zyrtarë të tjerë evropianë, kanë kërkuar me forcë nga presidenti dhe kryeministri të qëndrojnë të bashkuar.

Rusia, sfida vazhdueshmërisht e egër

Lajmi i mirë nga Donbasi, është se armëpushimi i përshkruar në marrëveshjen Minsk II në shkurt të këtij viti, më në fund duket se po zbatohet. Shkeljet e armëpushimit, që çuan deri në 200 incidente në një ditë në muajin gusht, ranë në më pak se 100 në javë në fillim të shtatorit.

Çështja është nëse armëpushimi mund të jetë e qëndrueshëm, si dhe kur mund të zbatohen edhe pikat e tjera të Minsk II -tërheqja e armëve të rënda nga linjat e kontaktit, qasja e lirë për vëzhguesit e OSBE-së, dhe tërheqja e personalit ushtarak rus. Ndërsa armëpushimi duket se ka filluar të funksionojë, ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov tha në 10 shtator, se zgjedhjet lokale në pjesët e pushtuara të Donjeckut dhe Luhanskut, duhet të mbahen në 25 tetor në përputhje me ligjin e Ukrainës, sikurse e përcakton edhe Minsk II.

Ky qëndrim shkaktoi spekulime, mbi atë nëse rusët kanë filluar të shikojnë një rrugë, për të dalë nga rrëmujë që ata kanë krijuar në Donbas, apo thjesht është vetëm një lëvizje taktike. Fatkeqësisht, dëshmitë e para sugjeruan se e dyta është e vërtetë, për të zbutur opinionin ndërkombëtar mbi Putinin, para fjalimit të këtij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, si dhe për të dëmtuar mbështetjen në mesin e qeverive perëndimore, për vazhdimin e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë.

Në 16 shtator, udhëheqësi i “Republikës Popullore të Donjeckut” Aleksandër Zakarçenko, tha se zgjedhjet lokale do të mbahen në 18 dhe jo në 25 tetor, dhe sipas rregullave lokale dhe jo ligjit ukrainas. Ndërkohë udhëheqja e “Republikës Popullore të Luhanskut”, deklaroi më pas se do të zhvillojë zgjedhjet locale, në kohën që do ta caktojë vetë dhe sipas rregullave të saj.

Sikur Lavrovi të ishte serioz, Kremlini me siguri duhet t’u tregonte muskujt separatistëve, për kohën dhe procedurat e këtyre zgjedhjeve. Pra, optimistët mund të shpresojnë se Moska mund të ndryshojë kursin e saj, por një dozë e shëndetshme skepticizmi, duket të jetë e nevojshme.

Zyrtarët në Kiev shohin krizën e refugjatëve në Evropë apo dhe vendimin e Rusisë për t’u përfshirë ushtarakisht në Siri, dhe shqetësohen se kriza ukrainase mund të dalë nga ekrani i radarit të Perëndimit. Këta të fundit mund të rigarantojnë se Perëndimi do të mbetet i bashkuar në mbështetjen e Ukrainës dhe ushtrojë presion ndaj Moskës, duke përfshirë sanksionet e vazhdueshme, derisa të ketë një ndryshim të vërtetë në politikën e Kremlinit.

Shënim: Steven Pifer ka qenë ambasador i SHBA-së në Ukrainë, aktualisht drejtues i projektit për Kontrollin dhe Mospërhapjen e Armëve në Brookings, si dhe anëtar i Qendrës për Sigurinë dhe Inteligjencën në shekullin XXI.

Përkthimi: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button