Analiza

Sahatçiu i Izraelit

Është shefi i Mossadit më i pangjyrë. Komshinjtë e lagjes nuk e dinin as se kush ishte. Por nën Tamir Pardon, shërbimi sekret i Jeruzalemit është bërë i plotfuqishëm

Screen Shot 2015-03-24 at 12.43.37 PM

Marre nga “Il Foglio”

Bernë. Zvicër, vitet Nëntëdhjetë. Është natë. Një patrullë policie i afrohet një apartamenti. Një zonjë e moshuar që vuan nga pagjumësia në orën 2 të natës ishte bërë dyshuese për ardhjen e një makine përballë shtëpisë së saj, në të qetën Konitz Strasse. Duke ju afruar dritares, agjentët shikojnë burra e gra që rregullojnë aparatura përgjimi. Në trotuar një djalë dhe një vajzë shërbenin si shtylla, ndërsa në kantinë tre të tjerë tentonin të manipulonin linjat telefonike e njërit prej apartamenteve. Kur agjentët zviceranë hyjnë në kantinë (që besonin se kishin të bënin më hajdutë të rëndomtë), njëri prej izraelianëve u shpjegoi në anglisht me natyrshmërinë më të madhe se ishte divorcuar kohët e fundit dhe se kish kërkuar me miken e re “një çati për të kaluar natën”. Polici nuk u beson dhe i dërgon të gjithë në komisariatin më të afërt. Do të zbulohet se qenë të gjithë agjentë të Mossadit që përgatiteshin për të eliminuar biznesmenë arabë dukshëm të implikuar në transferimin materialeve kimike dhe bakteriologjike në Luginën Bekaa libaneze. Do të duhej të vriteshin me futjen në vesh të një lëngu vdekjeprurës që do t’u provokonte rrahje të shpeshta kardiake brenda pak orësh. Shtëpia, do të zbulohet më pas, ishte ajo e Jean Abdullah, një operativ i vjetër i Hizballahut në Europë. Midis të arrestuarve ishte edhe Ram Ben- Barak. Është ai tani një prej kandidatëve të mundshëm në zëvendësimin e Tamir Pardo, “Memuneh”-ut aktual, shefi i Mossadit (në hebraisht do të thotë “Institut”, instituti par excellance), do të duhet të dorëhiqet gjatë 2015, veç në mos qeveria ia shtyn mandatin. Pikërisht atij Tamir Pardo që do të ishte i implikuar në aferën e Bernës.

Për postin e tij konkurron edhe Yossi Cohen, kreu aktual i National Security Council, dhe zëvendësi i Pardo, identiteti i të cilit nuk mund t’i bëhet i njohur shtypit. Maratonist që flet një anglishte të përkryer, baba i katër fëmijëve, Cohen tek Mossadi ka drejtuar tashmë Seksionin “Tsomet”, atë të ngarkuar me rekrutimin e agjentëve dhe për t’i infiltruar në vendet armike. Cohen ka drejtuar spiunët në pesë kontinentet, midis të cilëve Afrika dhe Europa. Midis të mundshëmve për të zëvendësuar Pardo është edhe një tjetër Cohen, kreu aktual i Shin Bet, shërbimit sekret të brendshëm, Yoram Cohen, i rritur në një shtëpi të thjeshtë në lagjen Shapira të Tel Avivit, djali i Moshe dhe Leah, të emigruar në Izrael nga Afganistani në vitet Pesëdhjetë. Cohen mban të veshur kipahun, kapelën fetare, dhe përfaqëson një gjeneratë të re spiunësh të devotshëm. Gjatë luftës së Parë të Libanit, miqtë dhe kolegët e kujtojnë se mbante veshur shallin e faljes pas një operacioni dhe se recitonte Psalmet për Zotin. Në rast se do të emërohej Cohen, posti i tij do të mund ti shkonte “dhelprës”, Roni Alsheikh, një oficer fetar me origjinë jemenase.

Maksima e Douglas MacArthur, strategut amerikan të luftës në Paqësor, sipas të cilës “ushtarët e vjetër nuk vdesin, thjesht thahen”, nuk vlen për Izraelin. Tamir Pardo është një veteran i sigurimit të shtetit hebraik nga viti 1976. Pardo është i njohur edhe si “sahatçiu”, për shkak të karakterit të tij të

rezervuar, të durueshëm. Është një hero që ka marrë tri dekorata në Ditën e Pavarësisë, me motivacionin e njeriut që rrezikon jetën në misione sekrete për sigurinë e Izraelit. Megjithatë është shumë ndryshe nga Meir Dagan, paraardhësi i tij, që pak ditë më parë ka drejtuar në Tel Aviv një manifestim politik të anshëm kundër Kryeministrit Benjamin Netanyahu, më pak se një javë përpara zgjedhjeve. Nëse Dagan ishte në mënyrë të qartë një emërim personal i ish Kryeministrit Ariel Sharon, Pardo është i lidhur me “Bibi” Netanyahu.

Ka një histori të përbashkët, diçka që mund të përkufizohet si një lidhje gjaku: Operacionin Entebbe dhe eliminimin e Khaled Meshaal. Pardo ishte oficeri i ndërlidhjes gjatë Operacionit Entebbe në 1976. Qe ai që përdori fjalën e koduar “Carmel”: nënkuptonte se operacioni ishte kryer dhe se avionët qenë ngritur me pengjet e Entebbe në to. Të gjithë përveç Yoni Netanyahu, vëllait të Kryeministrit aktual. Plumbi e ka munguar Pardo për vetëm 10 centimetra, i cili qe i pari që a ka parë Yoni të bjerë. Katër vite më pas, Pardo hyn në Mossad dhe fillon menjëherë të bjerë në sy prej forcës së madhe improvizuese. Pardo është pjesë e “shëshistëve”, domethënë e atyre që bëj “shsh”, për të vendosur heshtjen. Nuk flasin për atë që bëjnë. Në vitin 1997, kur Netanyahu ishte Kryeministër, agjentë të Mossadit janë arrestuar në Jordani në vijim të dështimit të vrasjes së Khaled Meshaal, liderit të Hamasit. Në krye të komisionit hetimor ishte Pardo. Pardo ka famën e të qënit një personazh kompleks: nga njëra anë, është një peshkaqen që e kafshon me lakmi çdo projekt, nga ana tjetër është një pedant që kalon në sitë të gjitha probabilitetet e suksesit dhe të dështimit, një karakteristikë që shpesh ngjall mëri midis vartësve. Duhanxhi i thekur, Pardo shpesh punon natën dhe mban mbledhje në orën 22 e 30 minuta. Do ta ketë materialin përpara çdo mbledhjeje, në mënyrë që shpesh të çmontojë planet që punonjësit e tij kanë hartuar me kujdes për të gjatë javëve të tëra puna. Në ndryshim ngaMeir Dagan, Pardo është i ftohtë, i pargët, pothuajse i paarritshëm. I privuar nga karizma, Pardo është i vështirë, kurrë i prirur ndaj humorizmit, edhe pse ushtron një sharm krejtësisht të vecantë, pothuajse stoik. Kur është emëruar nga Netanyahu si shef i Mossadit, komshinjtë e tij në Moshav Nir i injoronin deri ekzistencën. “Askush nuk e dinte atë se çfarë po bënte”, do të thonë më pas. Pardo e ka revolucionarizuar Mossadin në dy fusha. Mbi të gjitha në fushën e rekrutimit, pas vetëvrasjes së spiun – tradhtarit Ben Zygier, të “burgosurit X”. Pikë së pari nuk duhej të ishte emëruar, megjithëse në momentin e misioneve sekrete të Zygier dhe të arrestimit të tij, regjisor i Mossadit ishte paraardhësi i Pardo, Meir Dagan. Kreu aktual i Mossadit ka fuqizuar veç të tjerash rolin e femrave në brendësi të shërbimit sekret. Gjithçka filloi në periferinë e Parisit me një bionde të mahnitshme. Është nëpërmjet asaj që Mossadi (në atë kohë Pardo ishte tashmë një drejtues i spikatur) kontakton një iraken naiv dhe që bridhte pas kënaqësive i ngarkuar me ndërtimin e një reaktori bërthamor. Pas një periudhe seksi dhe intrigash, me 7 qershor 1981, një patrullë avionësh bombardues izraelianë i shpëton survejimit të radarëve dhe shkatërron centralin bërthamor të Tuëaitha. Ëndrra e atomikes e kultivuar nga Saddam Hussein bëhet copë copë. Bota indinjohet ndaj guzimit izraelian. Por as 10 vite më pas nuk do të psherëtijë e kënaqur kur Raisi i Bagdadit do të ndezë flakë Gjirin. Qysh atëhere, Mossadi i përdor gjithnjë e më shumë femrat fatale. Si puna e Sylvia Rafael, bukuroshe, e gjatë, e arrestuar në Norvegji pas dështimit të Lillehammer. Ose e Cindy, që u shtir si estetiste dhe kapi në një jaht në brigjet e Ostia teknikun bërthamor Mordechai Vanunu, i cili kishte tradhtuar vendin e tij duke i shitur sekretet atomike jashtë vendit.

Me emërimin e Pardo, Mossadi ka marrë sidomos kontrollin e të gjitha operacioneve klandestine, përfshi ato të ushtrisë, gjithmonë xheloze për pavarësinë operative të saj. Tamir Pardo i ka dhënë Mossadit një pushtet praktikisht të pakufizuar në menaxhimin e sigurisë së shtetit hebraik. Me 5 gusht të 2006, komandot izraeliane arritën në portin mesdhetar Tiro në Liban, duke vrarë 27 midis agjentëve të Hizballahut dhe Gardës Revolucionare Iraniane. Në drejtim të inkursionit ishte pikërisht Pardo, në atë kohë shef i operacioneve të shërbimit sekret. Ishte hera e parë që një oficer i Mossadit vihej në krye të një reparti të ushtrisë. Kjo metodë nuk u zbatua në luftën e Gazas në fundin e 2008 dhe në 2009, për shkak të objeksioneve të Kryeministrit të atëhershëm Ehud Olmert, i cili frikësohej një përqëndrimi të pushtetit. Nën Netanyahu, Mossadi e ka rritur me 26 përqind edhe buxhetin e vet. Disa javë më parë një operacion i ngjashëm me atë të 2006 është përsëritur në territorin libanez me vrasjen e krerëve të Hizballahut si Imad Mughniyah dhe të pasdaranëve iranianë si Mohammed Ali Allahdadi. Nën drejtimin e Pardo, Mossadi ka pushuar së vrari shkencëtarë iranianë (aktivitet natyrisht për të cilin nuk ka pasur kurrë konfirmime). Katër vitet e fushatës së “targeted killings” ka pushuar në 2012, me 4 vrasje nën Dagan dhe 1 nën Pardo. Sipas një raportimi të së përjavshmes “Der Spiegel”, vrasja e Dariush Rezaie qe aksioni i parë i kreut të ri të Mossadit, Tamir Pardo, siç e quajti e përjavshmja gjermane një funksionar të vetë shërbimit skeret izraelian. “Izraeli nuk përgjigjet”, replikoi Ehud Barak, duke treguar një buzëqeshje të lehtë, ndaj atyre që i kërkonin llogari për këto vrasje të çuditshme në Iran. Qysh atëhere, armiqësia e Shtëpisë së Bardhë të Barack Obama dhe aksioni gjithnjë e më i fortë i kundërspiunazhit iranian, i kanë shtyre “Pardo boys” që të përqëndrohen tek inteligjenca, mbledhjen e informacioneve lidhur me programin bërthamor iranian. Nga këtu fuqizimi i kryer prej Tamir Pardo në degën “Neviot” të Mossadit, specialistët në survejim, hyrje në shtëpi dhe interceptim që janë ridërguar edhe në Europë në 2012 pas një mungese të gjatë. Është “lufta e valëve” i së cilës Pardo do t’i ishte gjeniu absolut. E tij ideja me 16 prill të 1988 e një avioni Boeing 707 me kundërmasa elektronike për të mbuluar operacionin e komandos së Mossadit që vrai Abu Jihad në Tunizi? I tij “Stuxnet”, super virusi që do t’i ngadalësonte fuqimisht centrifugat bërthamore iranianë? Por a nuk është dora e gjatë e Pardo edhe në interceptimin e verës së kaluar që shërbimet sekrete izraeliane u kanë bërë telefonatave të Sekretarit të Shtetit John Kerry? Shefi i diplomacisë amerikane interceptohet nga Mossadi gjatë bisedave të zhvilluara në traktativat midis Izraelit dhe Autoritetit Palestinez. Dhe nuk qe një dëgjim i bukur për Jeruzalemin.

Një vit më parë, Pardo do të takohej në Vjenë me Bandar bin Sultan, kreun e inteligjencës saudite, për një aksion bojkotimi të përbashkët të bërthamores iraniane. Deri më tani Pardo është shprehur kundër një goditjeje paraprake mbi instalimet atomike iraniane. Fëmijë hebrenjsh turq, diplomim të dyfishtë në Shkenca Politike dhe Histori, Pardo ka kaluar një periudhë edhe si oficer edhe në skuadrën sekrete “Cesarea”, dega e vrasësve të Mossadit e lindur për të goditur komandantë dhe financues të grupeve terroriste. Grupi ishte krijuar për të gjuajtur kriminelët e

luftës nazistë dhe është formuar nga elita e elitës së Izraelit. Por është survejimi pika e fortë e tij. largësia e madhe që ndan Izraelin nga Shtetet e Bashkuara lidhur me bërthamoren iraniane është tani mbi kohën që do t’ju duhej iranianëve për ta prodhuar bombën atomike atëhere kur do ta vendosin. Një vit për amerikanët, gjashtë muaj për izraelianët. Por ndoshta edhe më pak. Do t’i takojë Pardo që ta interceptojë këtë sinjal. Dhe nëse Izraeli duhet të përgatitet për 10 vite frenimi midis Teheranit dhe fuqive perëndimore, sahatçiu i Mossadit është vërtet njeriu i duhur për ta parandaluar “bombën e Allahut”. Është shumë i durueshëm. Një cilësi e rëndësishme në Lindje të Mesme./Il Foglio/

Përgatiti per www.bota.al: ARMIN TIRANA

Leave a Reply

Back to top button