Bota

Salman Rushdie: Në botën e përmbysur, mbreti i “fake news” është në Shtëpinë e Bardhë

Jam dakord të themi që nuk e prisnim këtë. Mbrëmjen e 8 nëntorit ndodhesha në Nju Jork, e mund t’ju zbuloj se askush, nga drejtori e poshtë, nuk e kishin kuptuar. Tre orë nga fitorja e Trumpit, po diskutohej për Clintonin presidente dhe titullin që duhej të vendosnin. Mund t’ju them që e kishin gjetur: Madame President. E pabesueshme që, duke qenë kaq pranë një ngjarjeje në kohë, askush nuk e kishte parashikuar

Që nga zgjedhja e Donald Trumpit president të SHBA kanë kaluar pothuaj pesë muaj, por Salman Rushdie është i zemëruar, njësoj si ditën e parë. Ashtu si pjesa dërrmuese e qytetarëve të Nju Jorkut, që ende e kanë të vështirë të bëjnë bashkë dy fjalë: president dhe Trump. Gjëra që shkrimtari i famshëm i ka shprehur edhe në një intervistë që ka dhënë për italianen La Repubblica.

Pyetjes së gazetarit, që i kujton se si një vit më parë, Rushdie bënte shaka për presidenten e parë femër që po vinte në Amerikë dhe çfarë ka ndodhu prej atëherë, Rushdie i përgjigjet: “Bota është përmbysur. Një vit më parë, lajmet e rreme ishin diçka që qarkullonte në Internet, zakonisht në faqe pak të besueshme. Por ato patën një impakt të papritur mbi zgjedhjet. Për shembull duke vënë në shënjestër zgjedhësit e Bernie Sandersit, me qëllim që t’i largonin nga Clintoni. Gjë e cila ka funksionuar mirë. Tani, personat përgjegjës për shumicën e gënjeshtrave që kemi dëgjuar në këta muaj janë në Shtëpinë e Bardhë, dhe akuzojnë median se prodhon lajme të rreme. Eshtë një ndryshim i dukshëm”.

Sipas Rushdie, “ajo që po shohim është një sulm kundër të vërtetës, që duhet të na trembë. Të gjithë ata që, si unë, kanë besuar në një të vërtetë objektive, sot janë në telashe. Po ju jap një shembull: njerëzit duhet të kuptojnë që, nëse thonë se toka është e sheshtë, nuk do të thotë që është. Që nuk ka nevojë që dikush të thotë se toka është e rrumbullaktë, për të qenë e tillë: toka është e rrumbullaktë dhe kaq. E thotë shkenca. Sot, kjo siguri është dobësuar. E vërteta është e kushtëzuar prej paragjykimeve. Dhe për këtë arsye është në rrezik”.

Pyetjes, nëse edhe mediat e intelektualët janë përgjegjës për këtë ndryshim, pasi nuk kuptuan atë që po ndodhte, Rushdie i përgjigjet: “Jam dakord të themi që nuk e prisnim këtë. Mbrëmjen e 8 nëntorit ndodhesha në Nju Jork, e mund t’ju zbuloj se askush, nga drejtori e poshtë, nuk e kishin kuptuar. Tre orë nga fitorja e Trumpit, po diskutohej për Clintonin presidente dhe titullin që duhej të vendosnin. Mund t’ju them që e kishin gjetur: Madame President. E pabesueshme që, duke qenë kaq pranë një ngjarjeje në kohë, askush nuk e kishte parashikuar”.

Por ndërkohë, a sheh Rushdie në horizont, një politikan me profilin e duhur? “Eshtë shumë herët”, sipas tij. “Sapo ka ndodhur dhe prej atëherë jetojmë në një situatë krize të vazhdueshme. Gjithçka duket sikur është ndalur në nëntor, bashkë me reflektimin politik. Më besoni, mua më pëlqen shumë Joe Biden, por nuk do të doja ta shihja të kandidonte”.

Nuk do t’i interesonte Salman Rushdies, një përplasje ideologjike me Stephen Banonin, kryestrategun e Shtëpisë së Bardhë? “Jo”, përgjigjet ai prerë. “Flasim për racistë dhe fanatikë, nuk mendoj se duhet t’u kundërvihemi. Obama fitoi duke patur me vete vetëm 39% të popullsisë së bardhë. Duhet të rigjallërojmë atë shumicë. Nëse ia dalim, paqja me fanatikët nuk do të ketë fare rëndësi. Nuk duhet t’i shtrijmë dorën Marine Le Penit, duhet ta mundim. Dhe shpresoj që Europa ta kuptojë, sepse përparimi i populizmit nuk është problem vetëm amerikan”.

E ardhmja e Amerikës? Salman Rushdie e ka të vështirë ta parashikojë. Sipas tij, askush nuk e di si do të zhvillohet hetimi për ndërhyrjen e rusëve. “Mund të jetë vetëm tym: për momentin s’e kemi gjetur zjarrin e nevojshëm për ta ndezur situatën. Por nëse gjërat mbeten kështu si janë, kemi përballë katër vite beteja të tmerrshme”. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button