Analiza

Sanksionet, “goditet” dhe cari i naftës ruse

sanksionetSHBA dhe BE zgjerojnë sanksionet që synojnë të godasin sistemin e pushtetit politiko-financiar të Vladimir Putinit, të cilin e konsiderojnë përgjegjës për klimën destabilizuese që ka provokuar me dërgimin e ushtarakëve nga Moska në kufijtë e Ukrainës. Në shënjestër këtë herë ka përfunduar numri një i kolosit rus të naftës, Igor Sechin, një prej njerëzve më besnikë të Putinit. Si zakonisht, më të matur kanë qenë sanksionet e BE që ka shumë më tepër për të humbur krahasuar me SHBA, që nga furnizimi me energji, deri tek shkëmbimet tregtarë. Në takimin e Brukselit të ambasadorëve të 28 vendeve anëtarë u ra dakord për ngrirjen e llogarive dhe bllokimin e vizave për 15 persona.

Kremlini ka deklaruar se kundërpërgjigja do të jetë “e dhimbshme” për Uashingtonin, duke kritikuar politikën e sanksioneve të nxitur nga SHBA sepse bazohet mbi vlerësime “absolutisht të shtrembëruar” për atë që ka ndodhur në Ukrainë. Moska e ka quajtur edhe të papërgjegjshëm nisjen e misionit eksplorues të OSCE në Ukrainën lindore, i cili u mor peng nga forcat filoruse. Ndërkohë dje, po në këtë rajon është plagosur rëndë edhe kryebashkiaku i Kharkivit, Gennadi Kernes.

Fillimisht pritej që sanksionet e presidentit Obama do të preknin Alexei Millerin, numri dy i Gazpromit, kolosit rus të gazit, një njeri shumë pranë Putinit. Por më pas dolën emrat e Sechinit, Vyacheslav Volodinit, që konsiderohet strategu i fushatave elektorale të Putinit, Sergei Chemezovi, që kontrollon kompanitë e teknologjisë së lartë, gjenerali Eugheny Murov, përgjegjës për sigurinë e presidentit, Oleg Belavencevi, i dërguar i Kremlinit në Krime, Dimitri Kozaku, zëvendës president i federatës ruse dhe deputeti Alexei Pushkov. Në “listën e zezë” janë përfshirë 17 kompani të rëndësishme të aparatit të mbështetjes financiare për Putinin dhe me llogari në parajsa fiskale si Luksemburgu apo Qipro. Disa i përkasin Gennadi Timchenkos, bankierit Yuri Kovalchuk dhe vëllezërve Boris dhe Arkadi Rotenberg.

Shtetet e Bashkuara janë ofruar që të zëvendësojnë furnizimin rus me gazin që nxirret në SHBA. Por Brukselin e shqetëson një ndërprerje e mundshme e furnizimeve për Ukrainën. Dje, ekonomisti Nouriel Roubini ka shkruajtur se një bllokim i furnizimeve me energji nga Rusia mund të godasë rimëkëmbjen e eurozonës dhe ta cojë sërish drejt recesionit.

Leave a Reply

Back to top button