Kinema & TV

Sekretet e James Bondit, i fundmi hero i pavdekshëm

Screen Shot 2015-10-15 at 18.52.31

Ka xhiruar një prej filmave më të lodhshëm që mund të imagjinohen, tani është promovimi i filmit në të gjithë botën. Por Daniel Craig shfaqet i qetë, energjik. Më shumë se sa një tjetër pjesë të sagës së James Bondit, duket se ky 47-vjeçar ka marrë një pushim të gjatë. E gjithë kjo tradhëton një ndjesi lirie të rigjetur. Eshtë i qetë sepse e ka luajtur atë rol për herë të fundit?

Si ka ndryshuar James Bond, pas filmit të fundit “Skyfall”?

Nuk e di nëse ka ndryshuar shumë. Në 4 filmat që kam xhiruar, që ndoshta janë ndryshe nga ata të të kaluarës, personazhi ka pësuar një evolucion të vazhdueshëm. “Casino Royale” çoi natyrshëm tek “Quantum of Solace” që çoi tek “Skyfall”, që çoi tek “Spectre”. Kam çuar përpara historinë. Nuk e kam idenë nëse do të ndryshojë. Mua, në çdo rast, më dukej gjëja e duhur, që duhej bërë. Eshtë plakur, ndoshta është më i ngadaltë në krahasim me të kaluarën, por në një farë kuptimi ka ndryshuar pikërisht ashtu si duhej, ashtu si unë vetë kam ndryshuar.

Në këtë film, 007 ka disa gjëra për të zgjidhur…

Ka gjithmonë disa gjëra… NUk mund të futem në hollësi, për të mos zbuluar skenarin, por ajo që Sam Mendes ka bërë me “Skyfall” ka patur shumë sukses, pavarësisht fundit të trishtë të M. Fundi i filmit paraardhës është një fillim. Kemi rifutur Money-penny dhe Q, kemi marrë një tjetër M, që e luan Ralph Fiennes. Ka qenë një mënyrë për të bërë tabula rasa dhe për të rifilluar. Bond ndodhet në një vend të bukur kur fillon filmi. Pastaj plas një rrëmujë… sepse ky është një film prej James Bondi.

Një histori përfshirëse?

Gjithmonë. Flas vazhdimisht. Jam fatlum që kam marrë pjesë në këtë projekt. Për të mirën e historisë, duhet të mendojmë gjithmonë për diçka të re dhe origjinale, nuk ka një tekst për t’u konsultuar. Filmi i fundit ka patur një sukses shumë të madh, tani duhet të përpiqemi të bëjmë edhe më mirë. Kriteri sipas të cilit punojmë është gjithmonë ky. Disa ide i kam patur në tre të mëngjesit. Dhe ishin ide brilante!

Për ju, këtë herë ka qenë një eksperiencë e ndryshme?

Për sa më takon, kisha si qëllim që të relaksohesha sa më shumë që të mundesha. Doja të xhiroja në një vend të mrekullueshëm, më të bukurin që ekziston. Ja pra, kjo shpjegon të gjithë punën përgatitore fillestare. Doja të bëja një lloj festimi për atë që është Bondi, dhe besoj se ia kam dalë.

Sot ndiheni më rehat kur luani Bondin?

Po dhe jo. Për mënyrën si xhiruam filmin, doja të bija në rol dhe të ndihesha sikur të ishte hera e parë. Jam përpjekur të përjashtoj pjesën tjetër dhe të përparoj duke shijuar historinë dhe të merrja sa më shumë që të mundesha. Ka qenë shumë bukur.

Tek “Spectre”, roli juaj ka kërkuar një angazhim të madh, edhe fizik.

Ka qenë më intensivi që kam luajtur. Edhe më argëtuesi.

Përse më intensivi?

Ka kërkuar dy vite punë, jemi nisur nga zeroja. Më është dashur të marr të gjithë kohën e nevojshme, për t’u ndjerë i përfshirë deri në fund. Që në ciak-un e parë, dija gjithçka për skenarin. U desh goxha punë, duhej të ndërtonim vendndodhje të tëra në sheshxhirim, presioni ka qenë shumë i madh.

Si u përgatitët?

Shumë mirë… nëse përjashtojmë një lëndim në gju që më ngadalësoi. Nuk ia dola të bëja disa gjëra dhe më është dashur të gjej një tjetër mënyrë për t’i bërë. Më është dashur të qëndroj në formë për të mos përkeqësuar situatën e gjurit. Pastaj gjithçka shkoi mirë, sepse pata kohë ta bëj, ndoshta nuk u lodha aq shumë sa tek “Skyfall”, që më kishte shkatërruar.

Cfarë ju argëton më shumë?

Ishim një grup i mirë, me shumë prej këtyre njerëzve punoj prej 25 vjetësh. Sam dhe unë kishim nisur një bashkëpunim të mirë herën e fundit, doja vërtetë që të ishte ai që ta bënte, sepse e dija që mund të shkonte përtej, të kalonte kufijtë. Nuk di nëse filmi ka dalë mirë ose jo, por jemi vlerësuar dhe stimuluar mes nesh, një mirëkuptim i madh. Na interesonte vetëm një gjë: që filmi të dilte mirë. Kur në sheshxhirim je i relaksuar me regjisorin, gjithçka bëhet më argëtuese. Kishte aktorë të mëdhenj dhe të gjithë ishin të relaksuar. Pak recitonim dhe pak improvizonim, vetëm e vetëm që filmi të dilte më mirë nga sa e kishim parashikuar.

Cfarë ju la më shumë përshtypje nga Roma?

Koloseumi. Në të vërtetë edhe shumë të tjera, me kalimin e viteve kam kaluar shumë kohë në ROmë, e adhuroj. Kemi patur fatin që të xhirojmë në disa prej sheshxhirimeve më të mirë që mund të imagjinohen. Eshtë një prej qyteteve më të bukur të botës, ka qenë shumë bukur të lëvizje në Shën Pjetër me Aston Martin dhe Jaguar. Shpresoj vetëm të mos i kem bezdisur shumë banorët…

Leave a Reply

Back to top button