Your Life

“Sekreti” mbi lumturinë, që Albert Ajnshtajni shkroi dhe ia dhuroi një mesazheri

Flitet për dy shënime që Albert Ajnshtajni ia dha një mesazheri në Tokio. Nuk kishte monedha për një shpërblim dhe në këtë shënim shpjegonte shkurtimisht teorinë e tij për një jetë të lumtur. Kjo fletë doli në dritë pas 95 vitesh dhe do të shitet në ankand në Jeruzalem. Ngjarja ndodhi në vitin 1922, kur fizikanti gjerman i njohur për teorinë e relativitetit, ndodhej në Japoni për koferenca shkencore. Ishte informuar më parë se do ta fitonte çmimin Nobel në fizikë dhe fama e tij përtej qarqeve shkencore po rritej. Një mesazher japonez mbërriti në hotelin Imperial të Tokios për t’i dorëzuar një mesazh. Nuk është shumë e qartë: ose mesazheri nuk pranoi shpërblim sipas zakoneve lokale ,ose Ajnshtajni nuk kishte të thyera për t’i dhënë. Sido që të ketë qenë Ajnshtajni nuk donte që mesazheri të ikte me duar bosh, kështu që shkroi disa rreshta me shkrim dore në gjermanisht. Burimi vjen nga një familjar i mesazherit që citon: “Kushedi nëse do të kesh fat, ky shënim do të jetë më i vlefshëm se një shpërblim i vogël,” – i tha Ajnshtajni dorëzuesit. Është një shënim i shkruar në një fletë me vulë të Imperial Hotel dhe citon si më poshtë:

“Një jetë e thjeshtë dhe e qetë sjell më shumë gëzim sesa kërkimi i suksesit në një trazirë të vazhdueshme”

Shënimi tjetër është i shkruar mbi një letër të thjeshtë:

“Ku ka një dëshirë, ka një rrugë”

“Mbetet e paqartë nëse shënimet ishin reflektime të Ajnshtajnit për famën e tij, – shprehet Roni Grosz, arkivisti i koleksionit më të madh të Ajnshtajnit në botë, në Universitetin Hebre të Jeruzalemit. – Edhe pse shënimet e panjohura deri më tani për historianët e tij, nuk kanë vlerë shkencore, mund të sjellin në dritë mendimet më intime të fizikantit, emri i të cilit u shndërrua në gjeni,- shprehet Groszi. – Ajo që po përpiqemi të bëjmë këtu është të ravijëzuarit e portretit të Ajnshtajnit, njeriut, shkencëtarit, ndikimit të tij në botë përmes shkrimeve të tij, – vazhdon Grosz. – Deri më tani është një gur i mozaikut.” Të dy shënimet do të dalin në ankand të martën nga shtëpia e ankandeve Winner e Jeruzalemit, së bashku me dy letrat që fizikanti shkroi vite më vonë. Çmimi fillestar i këtyre shënimeve do të jetë 2000 dollarë. Fotoja e tij me gjuhën përjashta u shit për 100 mijë dollarë, ndërsa letrat e tij janë shitur me gjysëm milioni dollarë. /f.a./bota.al

Leave a Reply

Back to top button