Motivuese

“SEKRETI” / Mirënjohja dhe Ligji i Tërheqjes Universale, sipas Rhonda Byrne

Ligji i Tërheqjes Universale thotë se objektet e njëjta tërheqin njëra-tjetrën. Bazuar në këtë ligj, në fillim duhet të krijoni në mendjen tuaj imazhin e objektit ose të çfarëdo gjëje tjetër që dëshironi. Pastaj, që ta tërhiqni dëshirën tuaj, duhet të ndiheni sikur e keni arritur atë që dëshironi ose, e thënë më saktë, të ndiheni ashtu sikurse do të ndiheshit po ta kishit bërë tuajën atë çka doni. Mënyra më e thjeshtë për ta bërë një gjë të tillë është të ndihëni mirënjohës që përpara se ta realizoni dëshirën tuaj. Në qoftë se më parë nuk ju kishte shkuar ndër mend që ta përdornit mirënjohjen për të arritur atë që dëshironi, tani mësuat edhe një veti tjetër të forcës së saj magjike. Edhe Shkrimet e Shenjta pikërisht këtë premtojnë:

“Ata që ndihen mirënjohës (tani), do të marrin akoma më shumë (në të ardhmen) dhe ai ose ajo do të jetojë në begati…”.

Ju duhet të falenderoni përpara se të merrni, e jo pasi arrini atë që dëshironi. Shumica e njerëzve tregohen mirënjohës pasi kanë arritur diçka të mirë, por që t’i realizoni të gjitha ëndrrat, që ta ndryshoni krejtësisht jetën tuaj duke pasuruar çdo aspekt të saj, duhet të tregoheni mirënjohës, edhe më parë, edhe më pas.

Kur tregoheni plotësisht mirënjohës për plotësimin e njërës prej dëshirave tuaja që para se ta arrini atë, automatikisht ju krijoni edhe një imazh në mendjen tuaj dhe ndiheni sikur tashmë e keni realizuar një gjë të tillë. Kaq është ajo që duhet të bëni. Nëse vazhdoni ta perceptoni atë imazh dhe atë ndjenjë, dëshira juaj do të plotësohet si me magji. Ju nuk do ta mësoni kurrë se si do të ndodhë kjo; dhe nuk është detyra juaj që ta gjeni. Kur ecni në rrugë, a ju shkon ndonjëherë nëpër mend të gjeni se si funksionon ligji i gravitetit që këmbët tuaja të lidhen me tokën e ju të mos fluturoni në ajër? Sigurisht që jo! Kështu duhet të bëni edhe në rastin e dëshirave tuaja. Ashtu siç besoni në ligjin e gravitetit, ashtu duhet të besoni edhe në forcën magjike të mirënjohjes. Ju duhet të besoni pa mëdyshje që, sa herë do të tregoheni mirënjohës që më parë për atë që dëshironi, në mënyrë të magjishme dëshira juaj do të bëhet realitet, sepse ky është një ligj universal. Bëjini të gjitha dëshirat tuaja realitet me mirënjohje.

Shkëputur nga libri “Magjia” i autores Rhonda Byrne.

Leave a Reply

Back to top button