“The Economist”
Për cilindo që është mjaftueshëm i rritur për të kujtuar rënien e komunizmit, historia e kohëve të fundit ka qenë tronditëse. Sepse është zhbërë triumfi i sistemeve politike dhe ekonomike liberale. Kjo gjë ka ndodhur nga gabimet e vendeve të pasura, ngritja e Kinës autoritare, por sidomos për shkak të një humbjeje shqetësuese t besimit tek vetë demokracia në atë që dikur quhej bota e lirë.
Kjo krizë e demokracisë duket disi më pak e tmerrshme sesa një 1 ose 2 vite më parë, dhe kjo falë ndryshimeve politike që kanë ndodhur në SHBA, por edhe hapave të gabuara nga Kina dhe Rusia. Por rreziku nuk ka kaluar, dhe mbetet ende urgjente nevoja për të kuptuar arsyet e tkurrjes së demokracisë.
Martin Wolf është i vendosur që ta analizojë në detaje këtë problem. Një nga figurat më të njohura të gazetarisë së financave, ai ka qenë për dekada të tëra analisti kryesor ekonomik i gazetës Financial Times. Libri i tij më i ri “Kriza e kapitalizmit demokratik”, bazohet në mençurinë e akumuluar gjatë karrierës së tij të shquar.
Në të, Wolf argumenton se pjesa më e madhe e fajit për regresin demokratik të botës në tërësi, lidhet me rekordin e një ecurie ekonomike të keqe. Teza dhe argumentet që ai mbron janë të gjera. Megjithatë në fund ai nuk është plotësisht bindës. Rishikimi i historisë së viteve të fundit nga Wolf do të tronditë edhe njerëzit më të mirë–informuar.
Qeveritë e të gjitha llojeve janë bërë më pak të përgjegjshme në raport me publikun. Shtetet autoritare janë bërë më shtypëse; disa demokraci të forta janë lëkundur; më të dobëtat janë shembur. Dhe shkaku i vetëm nuk është oportunizmi i udhëheqësve autoritarë.
Sondazhet tregojnë se njerëzit e zakonshëm janë bërë më pak mbështetës të qeverisë përfaqësuese. Mbi 60 për qind e amerikanëve të lindur në vitet 1940, thonë se është “thelbësore” të jetosh në një demokraci. Por sipas një studimi, vetëm pak më shumë se 30 për qind e atyre të lindur në vitet 1980, mendojnë të njëjtën gjë.
Të dhënat e publikuara në vitin 2020, tregojnë se ndër afro 1.9 miliardë banorë që jetojnë në vende demokratike, më pak se çereku i tyre jeton në vende ku shumica e votuesve janë të kënaqur me atë sistem qeverisjeje. Për Wolf, kjo humbje e madhe e besimit – dhe tërheqja nga demokracia që e pasoi – i ka rrënjët në dekadat e dështimeve të politikave ekonomike.
Në pamje të parë, ky duket një argument tepër i arsyeshëm. Që nga fillimi i viteve 1980, pabarazia e të ardhurave dhe pasurisë është rritur në mënyrë dramatike në shumë vende. Për shembull në SHBA, pjesa e të ardhurave nga 1 për qind e popullsisë më të pasur, është gati 2-fishuar, nga rreth 10 në 19 për qind.
Në ekonomitë e pasura, ka qenë zhgënjyese rritja e produktivitetit dhe e të ardhurave të rregulluara nga inflacioni në një familje tipike. Procesi i de-industrializimit i ka zhytur në një depresion të përhershëm ekonomik shumë qytete ku dominon shtresa punëtore.
Tronditja që shkaktoi kriza financiare globale e viteve 2007-2009, e shndërroi pakënaqësinë e akumuluar në një zemërim të madh kundër elitave qeverisëse dhe në një humbje të besimit tek sistemi. Martin Wolf nuk e mohon se racizmi, migrimi dhe ankthet kulturore e nxitën zhgënjimin e njerëzve ndaj demokracisë.
Por ai mendon se faktorë të tillë, mund të ndikojnë tek zgjedhjet vetëm në një klimë besimi të dobësuar ndaj elitave, të ushqyer nga dështimet ekonomike. Një dinamikë e ngjashme, thotë ai, me atë që ngjiti dikur në pushtet nazistët në Gjermani. Narrativa e librit se si gjërat kanë shkuar keq ekonomikisht është e plotë, dhe rekomandimet e tij mbi politikat janë të detajuara dhe shumë të arsyeshme.
Megjithëse Wolf është i gatshëm të pranojë disa sugjerime jo shumë radikale – ai mendon se ia vlen të shikohet një garanci e punës – ai pranon se nuk është koha për revolucion. Ajo që nevojitet, shkruan ai në libër, është ndryshimi në rritje: mbështetja e sistemit të sigurisë sociale, rritja e konkurrencës dhe ruajtja e tregtisë globale.
Në përgjithësi, libri dominohet nga një frymë ngushëlluese. Ai i siguron lexuesit se ajo që ka shkuar keq dihet, dhe se gjithçka që nevojitet për të ndrequr situatën është pak më shumë teknokraci kompetente. Por, sado e dëshirueshme që është jetë komoditeti – dhe për këtë arsye një teknokracia kompetente – është e vështirë të zbehet ndjenja se demokracive të mëdha të botës u ka ndodhur diçka më e thellë.
Nëse thelbi i krizës janë problemet ekonomike dhe dështimi i elitës, atëherë pse ato nuk ndodhën më shpejt? Vitet 1970 ishin një epokë e inflacionit galopant, recesioneve të mëdha, kriminalitetit në rritje dhe e plagëve të tjera sociale, që sollën kolapset të cilat e shkatërruanindustrinë e fillimit të viteve 1980.
Megjithatë demokracia dukej e sigurt. Kriza globale financiare ishte vërtet tronditëse, dhe përqindjet e votave të partive populiste u rritën qartë menjëherë pas saj. Por lidhjet midis dhimbjes ekonomike dhe populizmit, dhe midis populizmit dhe rënies demokratike, nuk janë aq të thjeshta dhe automatike.
Greqia vuajti shumë gjatë viteve 2010, por pjesa e votave të partisë fashiste Agimi i Artë arriti kulmin me vetëm 7 për qind. Kur u ngjitën në pushtet, populistët grekë të Syrizaqeverisën njëlloj si të majtët normalë evropianë. Ose merrni parasysh një tjetër kundër–fakt:nëse Bernie Sanders, një tjetër populist i të majtës, do të kishte arritur të bëhej president i Amerikës në vitin 2017, nuk ka asnjë dyshim që ai do të kishte bërë shumë gabime.
Por duket e pamundur që ai të kërcënonte institucionet demokratike të vendit. Shumë qartësues është edhe një krahasim i vështirësive aktuale me ato të gjysmës së parë të shekullit XX0-të. Gjermania humbi një luftë, miliona njerëz, një perandori dhe monedhën e saj kombëtare.
Në kulmin e Depresionit, një e katërta e fuqisë së saj punëtore ishte e papunë. Dekadat e fundit, bota e pasur ka përjetuar disa recesione të dhimbshme. Por ajo i ka përballuar ato me politika makroekonomike dhe me rrjete të sigurisë sociale shumë më të mira se ato të viteve 1930.
Pabarazia nuk është rritur shumë që nga viti 2000. Përveç disa vendeve, të ardhurat mesatare janë rritur, qoftë edhe në mënyrë të ngadaltë. Është e vërtete që ky fillim–shekulli ka qenë i trazuar dhe qeveritë kanë gabuar. Por pavarësisht kësaj, kur Donald Trump u zgjodh president në nëntor 2016, shkalla e papunësisë në Amerikë ishte vetëm 4.7 për qind.
Nëse demokraci të tilla të konsoliduara janë në rrezik, atëherë është e sigurt se forca të tjera gërryese duhet të kenë komplotuar me tendencat ekonomike për t’i bërë ato shumë problematike. Pyetja se cilat janë ato forca po e përndjekin jo pak botën demokratike.
Ju mund të përmendni vetëkënaqësinë e nxitur nga aftësia e internetit për të përhapur ide të shëmtuara, apo mënyrën përmes së cilës globalizimi ka forcuar ndonjëherë lidhjet midis vendeve duke gërryer lidhjet brenda tyre. Sipas disa analizave, fajin e ka vetë progresi:zbrazëtia shpirtërore e krijuar pas plotësimit të nevojave materiale (dhe mposhtjes së ideologjive rivale) i ka shtyrë disa njerëz në Perëndim të kërkojnë në vende të rrezikshme kuptimin dhe komunitetin.
Aty ku Wolf ka padyshim të drejtë, është vlerësimi i tij pesimist se demokracitë, madje edhe ato më të vjetra dhe krenare, mund të rrëzohen një ditë. Dhe parandalimi i kësaj kërkon një mënyrë menduarit përtej zonës së rehatisë. / The Economist – Bota.al