Your Life

Sëmundjet tona varen nga lloji i personalitetit

semundjet

“Llojet e personaliteteve” është një temë për të cilën mund të lexosh shumë dhe jo vetëm në librat shkencorë e profesionalë, por gjithnjë e më tepër nëpër revista e gazeta. Personalitetet njerëzore dhe tipat e ndryshëm të tyre janë trajtuar nga shumë këndvështrime shpesh të bazuara shkencërisht, por jo rrallë për to edhe është abuzuar, duke qenë se bëhet fjalë për një temë që ngjall gjithmonë interes. Ne jemi të etur të njohim vetveten dhe shpesh tentojmë të gjejmë përgjigjet e pikëpyetjeve tona te  librat, apo edhe te testet e ndryshme. Së fundi, në morinë e studimeve e kërkimeve të shumta shkencore është edhe një syresh që thekson rëndësinë e madhe të tipareve të personalitetit tonë. Madje rëndësia është aq e madhe sa luan një rol primar edhe në çështjet e shëndetit. Tashmë dihet se personat me të ashtuquajturin personalitet i tipit A pra armiqësor, ambicioz dhe të paduruar, janë më të prirur për të pasur probleme me zemrën. Së fundi, shkencëtarët po zbulojnë gjithnjë e më tepër lidhje mes personalitetit dhe sëmundjeve të trupit të tilla si ulcera, infeksionet e rrugëve respiratore apo Parkinsoni. Për sa i përket formimit të personalitetit dihet se fazat e  para të jetës janë shumë të rëndësishme. Shumë tipare njerëzore lidhen edhe me gjenetikën e individëve si për shembull sjelljet neurotike të cilat kanë lidhje me praninë e madhe të gjenit të serotoninës. Ajo që nuk dihet është mënyra se si tiparet e personalitetit ndikojnë në gjendjen shëndetësore të organeve të ndryshme të trupit edhe pse për këtë qarkullojnë shumë teori. Ja disa nga lidhjet që ekzistojnë mes sëmundjeve dhe tipareve të personalitetit.

Impulsivët

Personat që janë shumë impulsivë, të hedhur, apo të paduruar mund të mendohet se janë më të rrezikuarit nga aksidentet, por në fakt rreziku më i madh që u vjen nga tiparet e tyre është ulcera e stomakut. Sipas përfundimit të disa studimeve të ndërmarra ndaj 4000 personave, është zbuluar se ata që kanë tiparet e sipërpërmendura janë më të prirur ndaj sëmundjeve të stomakut në krahasim me të tjerët në masën 2.4 herë. Arsyeja është se personat impulsivë i përgjigjen stresit me prodhimin e një sasie më të madhe të acidit sesa personat e tjerë. Pikërisht kjo sasi sjell edhe sëmundjen e ulcerës. Këta persona kanë edhe probleme me të ushqyerit. Probleme që shkojnë nga bulimia deri tek anoreksia.

Gazmorët

Një nga zbulimet më të papritura ishte ai që njerëzit me humor të mirë janë më të prirur për të vdekur më herët se të tjerët. Sipas një studimi, fëmijët që konsideroheshin nga prindërit dhe mësuesit si më të qetët e me humor më të mirë, në moshë madhore kishin vdekur më herët se ata që nuk gëzonin humor të shëndetshëm. Ndryshe nga sa mund të pritej në rastin e personave me humor të mirë, studimet e fundit kanë provuar se një tipar i tillë i personalitetit mund të jetë problematik. Po cili është shkaku? Sipas një teorie kjo vjen sepse njerëz të tillë i nënvleftësojnë rreziqet e jetës dhe ndoshta kanë vështirësi për t’u marrë me situata të cilat nuk kanë dalë ashtu sikurse ata shpresonin.

Agresivët

Tipat armiqësorë janë të hapur ndaj një numri të madh problemesh shëndetësore dhe për këta persona janë zhvilluar shumë kërkime shkencore. Njerëzit që vuajnë nga artereoskleroza janë ata që kanë më së shumti personalitete armiqësore. Një studim amerikan tregoi se tipat agresivë janë më të hapur ndaj rreziqeve të infeksionit në të gjitha pjesët e trupit dhe sëmundjeve të zemrës, atyre të lidhura me infektimin e arterieve. Shkaku mund të jetë sepse ky lloj tipari i personalitetit ka nivele më të mëdha proteinash të sistemit imunitar që kanë lidhje me inflamimin. Një tjetër teori është se njerëzit armiqësorë kundërpërgjigjen shumë më shpejt dhe shumë më ashpër ndaj stresit si mendërisht, ashtu edhe psikologjikisht. Kjo shkakton rritjen e presionit të gjakut dhe shpeshtimin e rrahjeve të zemrës që çon në çrregullim të sistemit kardiovaskular. Tipat inatçinj e kanë shumë më të vështirë që të shërohen në krahasim me të tjerët. Atyre u duhet më shumë kohë. Studiuesit e Universitetit të Ohios kryen këtë eksperiment për të vërtetuar sa më sipër. Një grupi personash iu shkaktuan plagë të vogla në krahë. Pas 4 ditësh vetëm 70% e pacientëve kishte përmirësime të dukshme, 30% ishin ende në fazat e para dhe pikërisht këta pacientë ishin persona me tipare agresive. Këta njerëz janë më të pritur edhe ndaj depresioneve dhe sëmundjeve mendore.

Të ndrojturit

Personat e ndrojtur, ata që nuk marrin shumë iniciativa në shoqëri, apo në jetën e tyre personale janë më të dhënë ndaj marrjes së infeksioneve virale. Në disa studime të ndërmarra te kafshët, shkencëtarët kanë dalë në rezultatin se personat që pëlqejnë të shoqërizohen kanë më shumë nyje limfatike mbrojtëse se ata që janë të ndrojtur dhe parapëlqejnë vetminë. Nyjat limfatike janë pjesë e sistemit imunitar të trupit dhe ndihmojnë në shkatërrimin e infeksioneve të ndryshme dhe viruseve e baktereve.

Optimistët

Ata gjithmonë shohin anën pozitive të jetës dhe jetojnë përafërsisht 7 vjet më shumë se ata që shohin vetëm zymtësi përreth. Rreziku i vdekjeve të hershme për shkak të ndonjë sëmundjeje është te këta persona 55% më i ulët se te të tjerët. Sipas një teorie del se optimizmi rrit dëshirën për të jetuar, ndërkohë që sipas një teorie tjetre dëshira për shoqëri luan një rol shumë të madh në jetëgjatësi. Këto situata të mira ulin sasinë e prodhimit të hormonit të stresit. Optimizmi i jep një ndihmë shumë të madhe funksionimit të sistemit imunitar duke e mbrojtur atë nga stresi psikologjik. Një studim amerikan i kryer mbi individë të caktuar përgjatë një periudhe 30-vjeçare nxori në pah se optimistët janë më të shëndetshëm dhe kanë më pak paaftësi se tipat pesimistë.

Të mbyllurit në vetvete

Personat që janë të mbyllur në vetvete dhe janë melankolikë me një gjendje që shkon shpesh në pikëllim, të klasifikuar se personalitete të tipit D, vuajnë nga një shkallë e lartë dhimbjeje shpirtërore, por në mënyrë të ndërgjegjshme i shtypin ndjenjat e tyre dhe si rezultat mund të jenë shumë më të prirur ndaj risqeve të kancerit, apo sëmundjeve të zemrës. Si pasojë, te këta persona regjistrohet edhe numri më i madh i vdekjeve. Këta njerëz kanë një sistem të prodhimit të hormoneve që është shumë i brishtë dhe shpesh i çrregullt që do të thotë se kanë rrahje të shpeshta zemre, presion gjaku të lartë dhe ngushtim të enëve të gjakut. Të gjitha këto janë shumë të këqija për sistemin kardiovaskular. Persona të tillë janë më të prirur edhe ndaj infeksioneve

Të përgjegjshmit

Personat e përgjegjshëm janë edhe më jetëgjatët. Kjo veti ka një ndikim të jashtëzakonshëm në jetëgjatësi, pasi te këta njerëz presioni i gjakut, niveli i kolesterolit dhe rrahjet e zemrës janë në nivele normale. Shkaku ndoshta është se njerëzit e përgjegjshëm shmangin rrezikun dhe kanë një jetë larg faktorëve që do të dëmtonin shëndetin.

Të hapurit

Ashtu si edhe optimistët ata ka më pak shanse që të vuajnë nga sëmundjet e zemrës. Një studim italian doli në përfundimin se personat që janë më të hapur ndaj realitetit dhe të tjerëve kanë 15% shanse më pak për të kapur epidemitë, apo sëmundjet e virozat gripale të stinës së ftohtë.

Leave a Reply

Back to top button