Bota

Sfida e sulltanit për udhëheqësit e përçarë të Evropës

sfd

Me atë pamje gënjyese prej njeriu të druajtur e të arsyeshëm, si dhe pakëz të përhumbur, Kryeministri turk Davutoglu erdhi në Bruksel për t’u hedhur një kamerdare shpëtimi evropianëve, për t’i shpëtuar nga një fundosje politike në ujërat e Egjeut. Por, ashtu si çdo shpëtim, edhe ky e ka një çmim. Të kripur. Dhe çmimin e vendos presidenti Erdogan, i cili sapo ka “pushtuar” një prej të paktave gazeta turke që vazhdonin të guxonin ta kritikonin.

Nuk ka qenë një spektakël i bukur ai që ofruan dje udhëheqësit e BE-së, të përçarë dhe të pavendosur për gjithçka, përballë këtij turku në Europë që, ashtu si turku në Italinë e Rossinit, shfaqet autoritar në të gjithë fushën, i sigurtë për pandëshkueshmërinë e tij.

Goditja e fortë kishte nsiur mbrëmjen e të hënës, gjatë gjashtë orëve bisedime të rezervuara, mes Davutoglusë, Merkelit dhe kryeministrit holandez, Rutte, vendi i të cilit ka presidencën e radhës të BE-së. Duke hedhur në det marrëveshjet e arritura në nivele të larta pak orë më herët, gjatë vizitës së presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk në Ankara, Davutoglu ka rritur stekën dhe ka vendosur mbi tryezë një propozim shumë më radikal. Turqia angazhohet në të ardhmen që të mbajë të gjithë imigrantët e paligjshëm që zbarkojnë në brigjet greke, si sirianët dhe irakenët që kanë të drejtë azili, ashtu edhe ata që nuk mund të aspirojnë për këtë kusht. Në këmbim, Evropa duhet të pranojë që të presë një refugjat sirian të përzgjedhur në kampet e refugjatëve, për çdo refugjat sirian që ka hyrë parregullsisht në BE dhe që kthehet mbrapsht në Siri. Veç kësaj, Ankaraja kërkon që financimi europian të dyfishohet: nga 3 në 6 miliardë Euro, deri në vitin 2018. Kërkohet edhe hapja dhe përshpejtimi i të gjithë kapitujve të negociatave për anëtarësimin, që kanë mbetur pezull. Dhe dëshiron të afrojë për në qershor heqjen e vizave të hyrjes për qytetarët turq në vendet e Bashkimit Europian.

Përtej lëvizjeve dhe kundërlëvizjeve që janë normale në negociata, propozimi turk ka meritën se e zhvendos krejtësisht logjikën me të cilën është përballuar deri tani emergjenca e refugjatëve, duke goditur që në rrënjë trafikun e qenieve njerëzore. Rregulli i ri është që nuk mund të hysh në mënyrë klandestine në BE, por mund të shkosh vetëm përmes një proçedure të rregullt kërkese për strehim. Kush zbarkon në mënyrë të paligjshme, kthehet në Turqi. Dhe në vendin e tij do të hyjë një refugjat që ka ndjekur proçedurën e parashikuar dhe dakordësuar. Por ky sistem ka edhe avantazhin se është i zbatueshëm vetëm falë një skeme shpërndarjeje të refugjatëve të dakordësuar në nivel europian, duke hedhur në det marrëveshjet e Dublinit dhe duke rivendosur rregulla të reja për dhënien e të drejtës për strehim. Dhe pikërisht kjo ka qenë pika që ndezi dje zemërimin dhe shkaktoi veton e kryeministrit hungarez, Orban, zëdhënës i frontit të Lindjes që nuk dëshiron të dëgjojë për kuota të detyrueshme të pranimit të refugjatëve.

Italisë, e cila prej kohësh këmbëngul për një ribërje të regullave të Dublinit, do i shkonte fort për shtat. Edhe pse ekziston risku shumë real, që trafiku i imigrantëve të paligjshëm, i bllokuar në rrugën Turqi-Ballkan, do të zhvendosej sërish në Itali duke kërkuar rrugë të tjera.

Pastaj është çmimi i shpëtimit që ka ofruar Davutoglu. Një çmim i lartë, edhe financiarisht, edhe politikisht. Dyfishimi i 3 miliardëve që BE ka akorduar tashmë, por që ende nuk i janë derdhur Akarasë, do të sillte një tjetër barrë mbi buxhetet e shteteve, duke qenë se buxheti europian tashmë është shtrydhur si limon. Përveç këtyre, kërkesa për të rihapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe përshpejtuar proçesin e anëtarësimit të Turqisë në BE, e bërë të nesërmen e ditës së ndalimit me forcë dhe në mënyrë arbitrare të gazetës opozitare Zaman, tingëllon si sfidë e hapur ndaj parimeve demokratike që Europa i ka paraqitur gjithmonë si kusht të padiskutueshëm për të hapur dyert e saj. Nuk është rastësi që nga pak të gjithë, nga Renzi tek Hollande, nga presidenti i Parlamentit Europian, Schulz deri tek Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të BE, Federica Mogherini, dje u janë referuar pikërisht këtyre parimeve. Me sa duket, Erdogani nuk kënaqet duke sulmuar liritë themelore në shtëpinë e tij, por synon të dobësojë edhe mbikëqyrjen demokratike edhe në Europë, ku dëshiron të futet pothuaj me forcë.

Në fund, europianët tregohen shumë të matur edhe për një tjetër arsye: luftën në Siri. Edhe pse nuk thuhet asnjëherë hapur, lidhja me Ankaranë me një pakt strategjik mbi çështjen e refugjatëve, nënkupton lidhje me një prej protagonistëve të tragjedisë siriane, që ka një strategji dhe një agjendë të vetën, e cila nuk përkon domosdoshmërisht me atë europiane.

Edhe kjo është diçka që krerët e qeverive duhet ta marrin në konsideratë. Por përballë ushtrisë së refugjatëve që shtyn në kufij, hapësirat e tyre të negociimit janë pothuaj joekzistuese./La repubblica – Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button