Analiza

SHBA dhe Europa nuk duhet të harrojnë Bosnjen

US Europe BosniaSofía Sebastián

Paqëndrueshmëria e vazhdueshme në Lindjen e Mesme me të drejtë po tërheq një pjesë të madhe të vëmendjes së Shteteve të Bashkuara dhe Europës. Por, pothuajse 20 vjet pas firmosjes së Marrëveshjeve të Dejtonit, që i dhanë fund Luftës së Bosnjes, ndarjet politike mes tre grupeve kryesorë etnikë vazhdojnë të kërcënojnë qëndrueshmërinë e shtetit. Dhe për Bosnjen, ashtu si për Lindjen e Mesme, në lojë janë gjëra të mëdha.

Atëherë, çfarë ka shkuar keq?

Siç e kanë theksuar shumë analistë, Dejtoni përbënte zgjidhjen më të mirë të mundshme për t’i dhënë fund luftës. Por gjithashtu, ajo marrëveshje e ngarkoi Bosnjen me barrën e institucioneve shumë të ndërlikuar dhe jofunksionalë. Duke qenë se i mungojnë stimujt politikë dhe institucionalë për bashkëpunimin ndëretnik, sistemi shpërblen platformat nacionaliste të bazuara mbi etninë, si dhe “luftën” brenda të njëjtës etni, duke e bërë pothuajse të pamundur bashkëpunimin mes grupeve. (Për shembull Mirolad Dodik, presidenti i Republika Srpska, ka zgjedhur të përdorë retorikën nacionaliste që nga viti 2006, për të fituar dhe konsoliduar pushtetin).

Historikisht, aktorët ndërkombëtarë në Bosnje janë përpjekur t’i kundërvihen dinamikës nacionaliste në përpjekjet e tyre për të forcuar shtetin boshnjak. Por procesi i shtet-formimit nisi të zhbëhet në vitin 2006, mes ndarjeve ndëretnike dhe brendaetnike, si dhe dështimit të udhëheqësve politikë për të arritur në një ujdi për reformat më të rëndësishme.

Nismat për reformën kushtetuese u paraqitën në vitin 2005 si pjesë e një strategjie nga ana e SHBA, dhe më vonë e mbështetur nga BE, për të ndihmuar në ndërtimin e një shteti më funksional – një shtet që mund t’i mbijetonte tranzicionit drejt sovranitetit të plotë dhe ta përgatiste Bosnjen për anëtarësimin në BE. Megjithatë, pas disa vitesh diskutime të pasuksesshëm për reforma, Dejtoni nuk shihet më nga aktorët vendas si një marrëveshje e shenjtë. Në të vërtetë, politikanët kanë nisur të sfidojnë publikisht marrëveshjen, duke çuar përpara axhenda të orientuara etnikisht, si dhe duke përshkallëzuar tensionet.

Ndërkohë, negociatat kushtetuese që po vazhdojnë kanë nxjerrë edhe më zbuluar ndarjet brenda vendit – thënë thjeshtë, boshnjakët përpiqen të forcojnë shtetin, ndërkohë që kroatët dhe serbët nuk e pranojnë plotësisht ekzistencën e tyre.

Dhe këto ndarje vetëm sa janë arritur pas një farë tërheqjeje të SHBA dhe BE. Boshnjakët, për shembull, i druhen shpërbërjes së Bosnjes pas mbylljes së zyrës së përfaqësuesit të lartë, i dërguari ndërkombëtar të cilit i ishte besuar zbatimi i Dejtonit. Nga ana e tyre, kroatët janë bërë gjithnjë e më të frikësuar prej pozicionit të tyre si “pakicë”, dhe kështu po kërkojnë të zgjidhin “çështjen kroate” përmes krijimit të një entiteti të tretë për kroatët, një lëvizje kjo që kundërshtohet prej boshnjakëve (Bosnja aktualisht është e ndarë në Federatën myslimane-kroate dhe Republikën Srpska).

Sa për serbët, ata e shohin shtetndërtimin si një strategji që synon të dëmtojë statusin e tyre, dhe po kërkojnë një tërheqje të pranisë ndërkombëtare në vend, si mënyrë për të siguruar më shumë barazi “në fushën e lojës”.

Së fundi, grupet etnikë në Bosnje kanë filluar t’i shohin axhendat e tyre si çështje mbijetese, gjë që ka dëmtuar përpjekjet për shtetndërtim dhe për të punuar drejt procesit të anëtarësimit në BE. Por ky problem është përkeqësuar prej faktit që komuniteti ndërkombëtar është edhe vetë i ndarë se si duhet të trajtojë Bosnjen dhe shfaqet hezitues për të adresuar disa prej problemeve më të mprehtë.

Si rezultat i këtij neglizhimi dhe konfuzioni, përfaqësuesi i lartë është bërë i parëndësishëm, dhe ndonësi theksi që kanë vënë ndërkombëtarët kohët e fundit tek emërimi i një vendasi është në parim i mirëpritur, është e vështirë të mos ndjesh se kjo qasje nxitet kryesisht prej vetëdijësimit se ata që janë të angazhuar nuk munden të ndikojnë ngjarjet në terren.

Nëse Shtetet e Bashkuara dhe Europa duan të luajnë një rol domethënës, ato do të duhet të forcojnë angazhimin dhe bashkëpunimin e tyre si dhe të ofrojnë stimuj për bashkëpunimin etnik. Dhe duhet të kuptojnë se shtetndërtimi në Bosnje, ashtu si kudo, u nënshtrohet gjithmonë pritshmërive, perceptimeve dhe interesave të ndryshueshme të palëve.

Pavarësisht pasigurive, nuk ka gjasa të ketë një shpërthim të dhunës, ndonëse ndarjet etnike, që vijnë në sfondin e kushteve të përkeqësuar ekonomikë, lënë të kuptohet se ka potencial për trazira sociale. Si rezultat, zgjedhjet e ardhshme të planifikuara për në tetor përbëjnë një moment ndoshta vendimtar në një vend i cili ka qenë i paralizuar politikisht qysh prej zgjedhjeve të kaluara.

Mund të duket sikur dhuna tragjike në Irak dhe Siri po hyn në një spirale, përtej aftësisë së fuqive perëndimore për të influencuar ngjarjet. Por SHBA dhe Europa kanë ende një shans për një angazhim në Bosnje, që do të mundësonte një të ardhme më të qëndrueshme. Nuk duhet ta humbasin këtë shans. CNN

Sofía Sebastián është autore e “Shtetndërtimi i asluftës dhe reforma kushtetuese: Përtej Dejtonit në Bosnje”

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button