
Lindja e Mesme po hyn sërish në një moment kritik, ku diplomacia dhe fuqia ushtarake ecin paralelisht në një ekuilibër të brishtë. A është gati sulmi ndaj Iranit?
Ndërsa bisedimet mes Uashingtonit dhe Teheranit afrohen drejt një pike vendimtare, në horizont shfaqen aeroplanmbajtëset, avionët luftarakë dhe skenarët e përshkallëzimit që mund të riformatojnë arkitekturën e sigurisë rajonale. A jemi përballë një presioni të kalkuluar për marrëveshje, apo pragut të një përplasjeje që mund të ndryshojë balancat gjeopolitike në gjithë Lindjen e Mesme?
Pak orë përpara atij që me shumë gjasa do të jetë raundi i fundit i bisedimeve midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, që do të mbahet në Gjenevë të enjten, forcat amerikane po përfundojnë dislokimin në teatrin e gjerë të Lindjes së Mesme.
Aeroplanmbajtësja “Ford” ndodhet në gjirin e Sudës, në Kretë, në pritje për t’u pozicionuar me shumë gjasë përballë brigjeve të Levantit, përflitet edhe një ndalesë në portin e Haifës, ndërsa ura ajrore mes SHBA-ve dhe bazave në Lindjen e Mesme, përmes Evropës, vazhdon.
Pse bisedimet SHBA–Iran rrezikojnë të dështojnë
Sinjalet për një marrëveshje të mundshme janë jashtëzakonisht të dobëta, pavarësisht optimizmit iranian: ministri i Jashtëm Abbas Araghchi kishte deklaruar për CBS, në një intervistë të transmetuar të dielën, se kishte “mundësi të mira” për një zgjidhje diplomatike të çështjes bërthamore, duke shtuar se kjo ishte e vetmja temë në diskutim.
Mbështetja e Kinës dhe ndikimi në ekuilibrin ushtarak
Ndërkohë, Teherani po merr mbështetje nga Kina: përveç publikimit të imazheve satelitore të bazave amerikane në Lindjen e Mesme, njësoj si përpara sulmit të qershorit 2025, Republika Popullore ka dërguar në Gjirin Persik një shkatërrues të klasës Type 055 dhe anijen e saj më të avancuar spiune, Liaowang-1.
Kjo anije është e pajisur për të monitoruar satelitët ushtarakë dhe për të gjurmuar lëshimet e raketave, duke shërbyer edhe si qendër e lëvizshme komande dhe kontrolli për operacionet detare.
Mbi të gjitha, Pekini i ka dhënë Teheranit akses në sistemin e tij satelitor të navigimit BeiDou, pas braktisjes nga Irani të GPS-it amerikan. Besohet se Kina po i furnizon Iranit të dhëna inteligjence të dobishme në rast të një kundërsulmi.
Sot është bërë e ditur se Teherani është pranë finalizimit të një marrëveshjeje me Pekinin për blerjen e raketave kundëranije CM-302, megjithëse nuk është rënë dakord për një datë dorëzimi. Këto raketa supersonike kanë një rreze veprimi rreth 290 kilometra dhe janë projektuar për të shmangur mbrojtjet detare duke fluturuar në lartësi të ulët dhe me shpejtësi të lartë.
Dislokimi i tyre do të rriste ndjeshëm kapacitetet sulmuese të Iranit dhe do të përbënte kërcënim për forcat detare amerikane në rajon, por për momentin nuk ka tregues se dorëzimi është në proces.
Tre skenarët amerikanë
Në këtë kontekst politik dhe ushtarak, cilat do të ishin opsionet amerikane për një sulm ndaj Iranit?
Opsioni i parë do të ishte i natyrës jo-kinetike. SHBA, së bashku me Izraelin, mund të kryejnë sulme kibernetike për të nxjerrë jashtë funksionit objektiva ushtarake dhe civile, duke reduktuar kapacitetin mbrojtës dhe reagues iranian dhe duke goditur infrastrukturat kritike të Gardës së Revolucionit Islamik (pasdaranët), që menaxhojnë arsenalin raketor dhe programin bërthamor iranian.
Një tjetër mundësi jo-kinetike do të ishte përdorimi i armëve me radiofrekuencë ose mikrovalë për të degraduar apo shkatërruar mikroçipat në sistemet kyçe iraniane, natyrisht ato që nuk janë të mbrojtura, siç janë ato në bunkerë të thellë.
Duhet marrë në konsideratë edhe lufta e informacionit: SHBA mund të lehtësojnë hyrjen e më shumë terminaleve Starlink në Iran për të anashkaluar bllokimin e internetit nga regjimi dhe për të përhapur propagandë anti-regjim.
Opsioni i dytë, i përmendur edhe nga presidenti Donald Trump, do të përfshinte sulme ajrore të kufizuara ndaj objektivave me vlerë të lartë strategjike: infrastrukturë bërthamore, qendra komande dhe kontrolli të pasdaranëve, seli të forcave të armatosura dhe depo të njohura raketash. Do të ishte një fushatë ajrore e kufizuar, dy ose tre ditore, që do të përdorte kryesisht sisteme stand-off si raketat “Tomahawk”, dronë sulmues dhe avionë F-35 me armatim me rreze të gjatë.
Opsioni i tretë, do të ishte një fushatë e gjatë dhe intensive ajrore, që do të përfshinte sulme për “dekapitimin” e udhëheqjes politike dhe ushtarake iraniane, shkatërrimin e të gjitha infrastrukturave të lidhura me programin bërthamor, dhe përpjekjen për të eliminuar sa më shumë arsenalin raketor iranian, duke goditur jo vetëm pozicionet e njohura të lëshimit dhe magazinimit, por edhe industrinë raketore iraniane.
Arsenali raketor iranian, pika kyçe e konfliktit
Çështja kryesore që ka bërë të dështojnë përpjekjet e mëparshme për marrëveshje pas përfundimit të JCPOA-s (marrëveshja bërthamore e epokës Obama) është pikërisht arsenali i raketave balistike të Iranit, i cili përbën mjetin e vetëm realisht efektiv të parandalimit në duart e regjimit iranian. / bota.al