EkonomiMAIN

Shërbëtorë të Internetit, bashkohuni!

“Shërbëtorë, proletarë dhe vasalë të reve të të gjithë botës, bashkohuni! Nuk kemi asgjë për të humbur përveç zinxhirëve tanë mendorë”. Kështu e riformulon  Yanis Varoufakis apelin e famshëm të Karl Marksit në librin e tij të ri “Teknofeudalizmi (Anija e Tezeut)”. Në fund të Manifestit Komunist (1848), filozofi i madh gjerman iu drejtohej proletarëve të të gjitha vendeve, të shtypur nga zinxhirët e fortë (çeliku) të kapitalizmit të hershëm. Pse ringjallet shprehja “bujkrobër”?

Kush janë vasalët e resë dhe çfarë na i shtrëngon mendjet sot? Duke vënë në skenë një bisedë imagjinare me të atin, në libër Varoufakis ilustron me një qartësi të lakmueshme dhe shkrim të rrjedhshëm kalimin nga kapitalizmi në një formë të re ekonomie, që e quan, pikërisht, teknofeudalizëm. Në një tekno-dialog interesant në internet, i kërkova autorit të sqaronte tezën e tij, të vendosur midis ekonomisë dhe filozofisë.

Pse na duhet një koncept i ri për të përshkruar ekonominë bashkëkohore? A nuk mjaftuan ato të turbo-kapitalizmit apo kapitalizmit të platformave?

“Siç thoshte Simone Weil, për të kuptuar një realitet që tenton të fshihet, duhet të krijojmë shprehje origjinale, madje duke përdorur fjalë të vjetra. Kapitalizmi u vendos në fillim të epokës moderne, kur arriti të zëvendësonte ekonominë e bazuar në rentën. Në regjimin feudal, “zotërit” kishin arritur të kapnin një pasuri të përbashkët, tokën dhe pasurinë e grumbulluar duke mbajtur një pjesë të madhe të të korrave të bujkrobërve.

Ishte një sistem statik, i paaftë për risi. Pak nga pak, një klasë e re shoqërore filloi të përdorte mjetet që kishte në dispozicion (kapitalin) për të krijuar mallra e për t’i shitur direkt në sheshe (tregjet e para), duke nxjerrë fitime. U deshën shekuj, por kjo mënyrë e re prodhimi evoluoi gjithnjë e më shumë, duke triumfuar mbi qiranë dhe duke u bërë një motor i jashtëzakonshëm pasurie. Megjithatë, gjatë dy dekadave të fundit, kapitalizmi është transformuar në mënyrë progresive, veçanërisht falë revolucionit dixhital. Ai vazhdon të prodhojë mallra, por roli i tij kryesor është të kontrollojë dhe modifikojë sjelljen e njerëzve, duke i mbrërthyer ata brenda çifligjeve të reja virtuale (si Amazon ose Instagram), nga të cilat mund të nxjerrin të ardhura gjithnjë e më të mëdha.”

Në libër, ju e përshkruani këtë ndryshim epokal me një mjet retorik efikas. Ai e ndan tranzicionin në katër faza, secila e përfaqësuar në mënyrë emblematike nga po aq “figura”: Don Draper, Minotauri, Alexa dhe… “claudalisti”. Le t’i ilustrojmë ato një nga një. Kush është Don Draper?

“Ai është një personazh nga seriali televiziv Mad Men. Draper punon për një kompani amerikane, ai është një djalë i çuditshëm dhe i paparashikueshëm, kalon orë të tëra i shtrirë në divanin e zyrës së tij. Por ka dhuntinë e shndërrimit të çdo produkti në një objekt dëshire të madhe nga ana e konsumatorëve. Nëse një hamburger mediokër i ngrënë në një fast food paraqitet në televizion si një mundësi për të ribashkuar familjen të shtunën në mbrëmje, kjo stimulon formimin e një nevoje të re emocionale tek ata që shikojnë, gjë që nxit shitjet. Draper kap një fazë të re evolucionare të kapitalizmit të pasluftës, zbulimin e një tregu të ri: atë të vëmendjes sonë, për t’u stimuluar dhe zgjeruar duke prodhuar dëshira të reja.”

Kalojmë tek Minotauri.

“Ky përbindësh mitologjik kishte një uri të pangopur për mish njerëzor. Për ta kënaqur, mbreti i Kretës, Minos herë pas here vinte një anije plot me të rinj nga Athina dhe ia dorëzonte Minotaurit haraçin e tij njerëzor. Një ritual i egër, i cili megjithatë i lejoi Kretës të zgjeronte rrjetin e saj tregtar. Në tranzicionin në mijëvjeçarin e ri, nga zorrët e ekonomisë amerikane, dhe veçanërisht nga deficiti tregtar i saj në rritje, lindi një Minotaur i ri, i uritur për mallra të prodhuara evropiane dhe aziatike dhe mbi të gjitha për kapital financiar për të ushqyer Wall Street-in. Me ndihmën e kompjuterëve, u krijua tregu i derivateve, i cili u lejoi financuesve të shumëfishonin “bastet” e tyre. Në vitin 2002, të ardhurat totale të njerëzimit ishin rreth 50 trilion dollarë. Në të njëjtin vit, financierë nga e gjithë bota kishin investuar 70 trilionë në baste të ndryshme në bursë. Pesë vjet më vonë, shuma e këtyre basteve ishte rritur në 750 trilion (miliardë) dollarë: çmenduri. Financializimi i kapitalizmit ishte në gjendje të ndodhte falë derregullimit të promovuar nga neoliberalizmi, i cili sulmoi edhe sindikatat dhe shtetin e mirëqenies, duke shkaktuar pabarazi dhe pasiguri në rritje”.

Shumë (përfshirë babain tuaj, në libër) menduan se interneti do të ishte thembra e Akilit të kapitalizmit. Një e mirë e re e përbashkët, e aksesueshme lirisht për të gjithë, do t’u kishte kthyer fuqinë konsumatorëve dhe do t’i lejonte ata të hidhnin në erë monopolet dhe teknostrukturat.

“Nuk ndodhi kështu. Interneti ka sjellë në jetë një formë të re kapitali, të përqendruar në një numër gjithnjë e më të vogël individësh. Unë e quaj kapitalin e reve, që i dha shkas teknofeudalizmit”.

Duhet të flasim edhe për Alexa-n.

“E drejtë. Gjithnjë e më shumë njerëz dinë për këtë pajisje të lezetshme, të gatshme për të mirëpritur komandat tona. Nëse për ju që e keni blerë Alexa është një asistent virtual i përkushtuar, për zotërinjtë tekno-feudalë është një ingranazh i vogël, por themelor në një rrjet të madh energjie, të bazuar në renë kompjuterike. Në fakt, cloud nuk është gjë tjetër veçse një rrjet i dendur i fibrave optike dhe kompjuterëve gjithnjë e më inteligjentë, të aftë për të mësuar përmes algoritmeve. Ajo që u intereson atyre që kontrollojnë renë kompjuterike është të fitojnë njohuri gjithnjë e më të detajuara për preferencat dhe zakonet tona. Ndërsa ne bisedojmë në telefon, Alexa dëgjon; kur i kërkojmë një shërbim, ajo e ruan informacionin. Pas pak kohe, ajo fillon të na japë këshilla për të ndikuar në zgjedhjet tona. Dhe teksa algoritmi Alexa mëson duke bërë gjëra në emrin tonë, ai bëhet i aftë të ndikojë sjelljen tonë. Sigurisht, nuk është vetëm Alexa. Motorët e kërkimit dhe aplikacionet bëjnë të njëjtën gjë.”

Qartë. Tani na shpjegoni kush janë teknofeudalët, apo siç i quani ju, klaudalistët.

“Ata janë pronarë të rrjeteve të reja cloud si Amazon, Google, Alibaba e kështu me radhë. Ashtu si feudalët e lashtë, ata kanë marrë në zotërim një të mirë të përbashkët, internetin, duke e ndarë atë në hapësira të ndryshme virtuale (feudet e reja), nga të cilat nxjerrin të ardhura gjigante”.

Nga kush i marrin ato, saktësisht?

“Nga të gjithë ne: duke lundruar në internet, ne ofrojmë falas dhe pa e kuptuar të dhënat që u duhen algoritmeve, për të influencuar tek ne (çfarë blejmë, me kë bisedojmë e kështu me radhë). Dhe pastaj, nga të gjithë ata (përfshirë zotëruesit e kapitalit tradicional, si një kompani që prodhon mallra) që janë të interesuar të kontaktojnë me ne për të na ofruar gjërat më të ndryshme. Për të shitur në Amazon, një operator duhet të lërë deri në 40% të të ardhurave në platformë. Me fjalë të tjera, klaudalistët nxjerrin vlerë nga puna e të tjerëve, pa pasur nevojë ta shpërblejnë atë. Ata që përdorin platformat kontribuojnë pa pagesë në riprodhimin e tyre dhe në rritjen e të ardhurave të tyre”.

Është gjithësesi një treg, zgjedhin konsumatorët.

“Në realitet ne zgjedhim nga një menu opsionesh të paracaktuara nga klaudalistët. Tregu është një hapësirë ​​ndërveprimi, diçka shumë më komplekse se një sekuencë transaksionesh të ndërmjetësuara nga algoritme. Nëse dy persona kërkojnë për të njëjtin lloj produkti në Amazon, algoritmi i ofron çdo personi gjëra të ndryshme, të kalibruar në bazë të të dhënave individuale që ai ka. Vetëm shitësit që pranojnë kushtet mund të hyjnë në platformë. Klaudalistët nxjerrin të ardhura të dyfishta: informacionin që japim dhe detyrimin që paguajnë ata që duan të na përgjojnë për qëllime tregtare. Për t’u riprodhuar dhe rritur, kapitalizmi tradicional duhej të bënte investime dhe të shpërblente punonjësit. Kapitalizmi i reve lulëzon duke shfrytëzuar aktivitetet e të tjerëve, pa paguar për to, por duke u paguar për to.”

Megjithatë, a nuk duket e ekzagjeruar të pretendosh se teknofeudalizmi po zëvendëson kapitalizmin, i cili bazohet në prodhimin e mallrave dhe shërbimeve reale? Në fund të fundit, janë pikërisht mallrat dhe shërbimet që ne blejmë në Amazon.

“Ka dy përgjigje. E para është se kapitali cloud po grumbullon gjithnjë e më shumë fuqi mbi kapitalin tradicional. Më shumë se një zëvendësim, është një vartësi. E dyta është se formimi i kapitalit cloud u ushqye nga cikli i gjatë i parasë së kollajtë, i parave të printuara nga bankat qendrore pas shpërthimit të flluskës së derivateve. Në vend që të ushqenin investimet dhe të ringjallnin rritjen, këto para shpëtuan ndërmjetësuesit financiarë, ndërkohë që qeverive iu kërkua masa shtrënguese. Minotauri shkaktoi një krizë ekonomike dhe sociale të përmasave të paprecedentë, e cila u hoqi të ardhurat grupeve më të varfra dhe uli kërkesën agregate”.

Në gjysmën e parë të vitit 2015, ju ishit Ministër i Financave në Greqi, në një periudhë shumë të vështirë. E imagjinoj se e gjetët veten përballë vetë Minotaurit.

“E vërtetë. Trojka na kërkonte masa shtrënguese për të na dhënë hua euro, të cilat të nesërmen do të përfundonin në xhepat e bankave”.

Nga ana tjetër, qeveritë e mëparshme të vendit tuaj kishin akumuluar një borxh publik të madh, duke fshehur masën e vërtetë të defiçitit nga BE.

“Dakord, por receta e Trojkës do ta kishte mbytur ekonominë greke dhe do të kishte çuar në varfëri një pjesë të madhe të popullsisë. Ne kishim një armë shumë të fuqishme në duart tona: duke refuzuar propozimin e Trojkës, euro do të shembej. Edhe kinezët u tmerruan nga ky skenar”.

Në fund, ju dhatë dorëheqjen dhe Tsipras pranoi. Greqia ka rikuperuar terren dhe euro është shpëtuar.

“Aleanca e shenjtë midis Minotaurit dhe masave shtrënguese fitoi. Një fitore që i hapi rrugën teknofeudalizmit”.

Disa studiues tregojnë një histori tjetër. Konsolidimi i financave publike shmangi falimentimin fiskal, pa shkatërruar shtetin social. Shumë vende në fakt kanë rritur mbrojtjen e shtresave më të dobëta (mendoni të ardhurat minimale, edhe në Greqi) dhe të ashtuquajturat investime sociale. Në përgjigje të pandemisë, BE-ja lëshoi ​​një borxh të përbashkët për të mbështetur nga papunësia (programi SURE) dhe nisi programin e gjeneratës tjetër të BE-së. Dymbëdhjetë vjet pas krizës së borxhit sovran, mirëqenia publike vazhdon të thithë më shumë se një të katërtën e PBB-së…

“Unë jam më pak optimist se ju. Shërbimet publike ende vuajnë nga një defiçit i madh burimesh, në disa vende ato po privatizohen, me një rënie të ndjeshme të cilësisë për përdoruesit”.

Në pjesën e fundit të librit ju ngrini “pyetjen vrasëse”, që mund t’i bëjë një kritik: nëse nuk ju pëlqen ajo që kemi, me çfarë do ta zëvendësonit? Duke iu referuar asaj që është thënë tashmë në një vëllim të mëparshëm (“Një tjetër e tashme”), ju nuk i shmangeni sfidës së parashtrimit të vizionit tuaj. Mundohuni ta përmblidhni atë.

“Sigurisht që ky është një reflektim spekulativ. Ashtu si Marksi në kohën e tij, edhe unë mendoj se një projekt alternativ konkret mund të lindë vetëm nga ndërgjegjësimi dhe mobilizimi i të shtypurve të sotëm. Gurët e themelit të vizionit tim janë pronësia kolektive e mjeteve të prodhimit, liria personale, hapësira për mendimin inovativ dhe përparimin teknologjik dhe, po, demokracia e vërtetë”.

Një formë e re komunizmi?

“Më shumë një tekno-demokraci e re, në të cilën të gjitha vendimet përkatëse merren nga grupe të zgjedhura rastësisht të qytetarëve (ose punëtorëve, në rastin e kompanive). Nuk e kam në mendje socializmin real: tregu do të mbetej, i çliruar nga plaga e qirasë dhe monopoleve të pushtetit. Në kompani, pagës bazë do t’i shtohej një bonus i përcaktuar me votën e vetë punëtorëve-aksionerëve, bazuar në vlerësimet e tyre për kontributet individuale në prodhim.

Të ardhurat nga reja kompjuterike do të fshihen nëpërmjet dy mjeteve: secilës kompani do t’i jepet një pikë “vlerë sociale” nga një juri demokratike (një rezultat i ulët mund të çojë në fshirjen e kompanisë); ndalimi i ofrimit të shërbimeve “falas”. Një platformë mikro-pagesash, e kombinuar me një Ligj të të Drejtave Dixhitale, do të na jepte të gjithëve zgjedhjen se cilat të dhëna t’i shisnim kujt (zhvilluesve të aplikacioneve). Më tej, çdo qytetar do të pajisej me një portofol dixhital falas, ku do të kreditohej me një divident bazë”. / Marrë me shkurtime nga “La Lettura” – Bota.al

Back to top button