MagazineMAIN

Shfaqja mbaroi! Anulohet Stephen Colbert Show, si dhuratë për Trumpin

Ky është gjithashtu anulim i satirës në Amerikë

Donald Trump është përballur me mijëra kritikë thumbues, por vetëm një satirist të madh: drejtuesin e emisionit të natës Stephen Colbert. Me njoftimin e rrjetit CBS javën e kaluar se po anulon programin e Colbert-it, është, për fat të keq, presidenti ai që duket se po qesh i fundit.

Ishte në shumë kuptime, një vdekje e paralajmëruar. Në fillim të këtij muaji, Paramount, i cili zotëron CBS-në, tradhtoi stafin e vet – bashkë me pjesën tjetër të gazetarisë amerikane – duke rënë dakord t’i paguante Trump-it 16 milionë dollarë, në një marrëveshje ligjore. Trump-i kishte kërkuar 20 miliardë dollarë për dëme, për shkak të montimit të një interviste në 60 Minutes me ish-zv.presidenten Kamala Harris, e cila ishte transmetuar përpara zgjedhjeve të nëntorit të kaluar. Çështja nuk kishte bazë. Siç provoi transkripti, pretendimi i Trump-it se CBS kishte modifikuar një përgjigje të Harris-it për Izraelin, për ta bërë atë të dukej më koherente, ishte krejtësisht mashtrues.

Një pjesë e intervistës thjesht ishte ndarë në dy pjesë më të shkurtra për t’u transmetuar në programe të ndryshme. Sigurisht, nga një pikëpamje ligjore dhe jo etike, nuk do të kishte rëndësi nëse 60 Minutes do ta kishte ndrequr përgjigjen e Harris-it.

Ndërkohë që Amendamenti i Parë është ende në fuqi, nuk ka asnjë bazë për një pretendim ligjor.

Megjithatë, Paramount ra dakord të paguajë duke i dhënë fondet për bibliotekën presidenciale të Trump-it. E bëri këtë, beson shumëkush, thjesht sepse Brendan Carr, të cilin Trump e kishte emëruar në krye të Komisionit Federal të Komunikimeve (FCC), po mbante peng shitjen prej 8 miliardë dollarësh të kompanisë së argëtimit Skydance derisa të arrihej një marrëveshje. Tani shitja mund të vazhdojë. (Skydance kontrollohet nga David Ellison, djali i mogulit të softuerëve Larry Ellison.)

Gjithçka rreth kësaj padie ishte një fyerje ndaj lirisë së shtypit dhe një simptomë e rënies së saj gjatë administratës së dytë të Trump-it. Askush nuk e shpjegoi këtë më mirë se vetë Colbert në një hapje të emisionit të tij javën e kaluar: “Besoj se kjo lloj marrëveshjeje e ndërlikuar financiare me një zyrtar qeveritar në detyrë ka një emër teknik në qarqet ligjore,” tha Colbert. “Është një rryshfet i madh, shumë i madh.”

Tre ditë më vonë, emisioni i tij u anulua. Senatorët Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren, ndër të tjerë, kanë ngritur dyshime nëse kjo ishte një formë dhurate për presidentin. Ishte apo jo dhuratë, Trumpi e priti mirë. “E adhuroj faktin që e pushuan Colbert-in,” u mburr ai në Truth Social, rrjeti social që zotëron vetë. I trimëruar nga dorëzimi i CBS, që vjen pas një dorëzimi të ngjashëm nga ABC-ja në pronësi të Disney-t, Trump tani ka ngritur padi edhe kundër Wall Street Journal dhe pronarit të saj, Rupert Murdoch, duke pohuar se gazeta ka shpifur për të përmes një raportimi për një kartolinë ditëlindjeje me përmbajtje të dyshimtë, që ai gjoja i kishte dërguar mikut të tij Jeffrey Epstein.

George Cheeks, drejtuesi i CBS-së, ka thënë se mbyllja e The Late Show ishte një vendim financiar. Është e vërtetë që emisioni i Colbert-it – ndër më të ndjekurit dhe më të vlerësuarit në orarin e vonë të mbrëmjes – ka pësuar humbje financiare kohët e fundit.

Por Walter Cronkite, prezantuesi legjendar i CBS Evening News, i cili më shumë se çdo gazetar tjetër ekspozoi “hendekun e besueshmërisë” në lidhje me Vietnamin, po rrotullohet në varr.

Që në lojë ishin edhe interesa të tjera, sugjerohet nga raportet për bisedat “ringside” (pranë ringut) të David Ellison-it me Trump-in, në dy ndeshje të Kampionatit të Arteve Marciale të Përziera (UFC).

Në një mënyrë apo tjetër, Trump-i doli prej aty me bindjen se pronarët e ardhshëm të rrjetit do të japin 15 milionë dollarë vlerë reklamuese për kauza konservatore. Nuk është e vështirë të imagjinosh që shkarkimi i Colbert-it është një shtesë e pashkruar në këtë marrëveshje.

Cilatdo qofshin motivet, mbyllja e The Late Show është një goditje jo vetëm për humorin, por edhe për demokracinë. Colbert fitoi vëmendje fillimisht si korrespondent në The Daily Show, emisioni i natës i Comedy Central i drejtuar nga Jon Stewart. Aty ai zhvilloi personazhin e analistit energjik, por me ndikim të dobët, të djathtë dhe mediokër – të frymëzuar nga figurat e Fox News si Bill O’Reilly. Colbert e përshkroi versionin e tij si “një idiot me qëllime të mira, i painformuar dhe me status të lartë”.

Kur nisi emisionin e vet në Comedy Central, The Colbert Report, ai luante këtë personazh çdo natë për gati një dekadë, pa dalë nga roli. Ishte një version proto-MAGA që solli konceptin e “truthiness” – cilësinë për të qenë në dukje i vërtetë, edhe nëse nuk je. Colbert luante këtë parodi të mediave të djathta duke shpërndarë komente mashtruese, duke bërë pyetje budallaqe ndaj ekspertëve të vërtetë dhe duke mbuluar konventat politike.

Ishte një performancë artistike në një nivel që televizioni amerikan nuk e kishte parë më parë dhe nuk e ka parë më pas. Edhe konservatorët e shijuan – ndonëse disa nuk e kuptuan shakanë.

Kur Colbert zëvendësoi David Letterman-in si drejtues i CBS Late Show në vitin 2015, shumë nga ndjekësit e tij kishin frikë se do të “zbutej” për një format më konvencional. Por nuk ndodhi. Ai nuk ishte më në rol, por vazhdoi me monologë thumbues politikë, skeçe me të ftuar të famshëm dhe performanca muzikore. Askush nuk ka qenë më i mirë në ekspozimin e hipokrizisë politike. Amerikanët do të kenë edhe disa muaj për ta shijuar përpara se episodi i fundit të transmetohet në majin e ardhshëm. / The Observer – Bota.al

Back to top button