Shkence

SHKENCE / Binjakët që do të vënë në provë Ajnshtainin

binjaket ajnshtain1NASA ka më në fund në dispozicion atë që i kishte munguar gjithmonë, për të demonstruar teorinë e relativitetit të Albert Ajnshtainit: dy astronautë vëllezër binjakë. Në mars të vitit 2015, njëri prej të dyve, Scott Kelly, do i bashkohet astronautit rus Mikhail Kornienko për një mision në stacionin hapësinor që do të zgjasë një vit. Ndërkohë që Scott do të udhëtojë në orbitë për 365 ditë me shpejtësi 27 mijë kilometra në orë, vëllai i tij, Mark do të qëndrojë në tokë. Në fund të misionit dy binjakët do të ribashkohen, ndërkohë që NASA do të duhet të verifikojë nëse vazhdojnë të jenë identikë.

“Paradoksi i binjakëve” është një prej komponentëve më magjepsës të teorisë së relativitetit. Ajnshtaini kishte hedhur hipotezën që, nëse njëri prej të dyre do të larohej me një raketë në drejtim të një ylli të largët dhe do të udhëtonte me shpejtësi afër asaj të dritës (300 mijë kilometra në sekondë), koha për të do të ecte më ngadalë se sa për binjakun e tij mbi Tokë. Me rikthimin e tij, pas një numri të caktuar “vitesh tokësorë”, vëllai i mbetur në shtëpi do të ishte tashmë i plakur dhe me flokë të bardhë, ndërkohë që astronauti do të jetë vetëm disa vite më shumë në krahasim me moshën që kishte kur u nis.

Shkencëtarët kanë demonstruar tashmë se ka një korrelacion mes kalimit të kohës dhe shpejtësisë. Për shembull, është vërtejtur që koha e shkatërrimit të thërrmijave nënatomike ngadalësohet kur vendosen në laborator dhe udhëtojnë me shpejtësi afërsisht sa ajo e dritës. Ajnshtaini, tek teoria e relativitetit, donte të demonstronte që, përkundër asaj që mendohet zakonisht, nuk ekziston koha absolute, por kalimi i kohës varet nga sistemi i referimit në të cilin ajo matet. Ai i binjakëve është quajtur “paradoks”, për arsye se hedh hipotezën për dy sisteme referimi në dukje analogë: Toka dhe anija kozmike. Vëllai që ka mbetur në shtëpi shikon anijen kozmike të largohet dhe orën që është në bord të ngadalësohet. Por, në të njëjtën kohë, vëllai që është astornaut mund të thotë që është Toka ajo që largohet dhe që ora e vëllait ngadalësohet. Cili prej të dyve do të jetë më i plakur kur të takohen?

Paradoksi kërkon ekuacione matematikorë kompleksë për t’u përshkruar me saktësi dhe zgjidhet me vëzhgimin e faktit që të dy sistemet e refereimit nuk janë identikë sic duken: Toka lëviz në mënyrë inerciale të vazhdueshme, anija kozmike pëson një pëshpejtim në nisje, frenon dhe përshpejton sërish për t’u rikthyer. Eshtë e qartë që NASA nuk mundet të bëjë të fluturojë dikë për dekada të tëra me shpejtësinë e dritës, por shpreson që nga eksperimenti të nxjerrë përfundime interesantë mbi modifikimet që pëson një organizëm gjatë një qëndrimi të gjatë në hapësirë. Një prej 10 eksperimenteve të programuar parashikon vaksinimin e të dy binjakëve kundër gripit, dhe për të kuptuar më mirë përse sistemi imunitar dobësohet në orbitë. Një tjetër test ka të bëjë me shikimin, sepse astronautët në Stacionin hapësinor nuk arrijnë të përdorin më syzet që në tokë u bënin fare mirë punë. Do të studiohen edhe bakteret që favorizojnë tretjen, duke u dhënë të dy binjakëve të njëjtin ushqim.

“Për herë të parë – ka deklaruar Craig Kundrot, i Human Research Program të NASA – do të bëjmë eksperimente me dy individë që janë gjenetikisht identikë dhe do t’i studiojmë deri në thellësi, nga niveli biomolekular, deri tek ai psikologjik”. Eksperimenti i dytë do të ketë të bëjë me telomerët e ADN-së, pjesë të brendshme të kromozomeve shkurtimi i të cilëve konsiderohet përgjegjës për plakjen.Shkatërrimi i telomerëve në hapësirë është më i përshpejtuar: pavarësisht paradoksit të Ajnshtainit, kur Scotti të rikthehet në Tokë do të jetë pothuajse me siguri më i moshuar se Marku.

Leave a Reply

Back to top button