Shkence

SHKENCE / Rikthim në qendrën e Tokës

Për të kuptuar më mirë se për se bëhet fjalë, është e nevojshme të kryhet një udhëtim virtual në zemër të planetit tonë, paksa siç bëri Zhyl Verni në udhëtimin e tij  për në qendër të Tokës, ekzaktësisht 150 vjet të shkuara

center of the earth

Në Zelandën e Re po kryhet një shpim shumë i ndryshëm nga ata që kryejnë zakonisht gjeologët. Nuk kërkohet naftë, as ujë i ëmbël: shpuesja është duke penetruar në zemër të një çarje të madhe, domethënë në një nga ato fraktura të sipërfaqes tokësore, që kur lëvizin prodhojnë tërmete me intensitet të lartë. Kjo çarje, me emrin “Alpine Fault përshkon të gjithë vendin  dhe është e aftë të provokojë tërmete me magnitudë prej më shumë se 7 ballë, të krahasueshme me ata që në vitin 1908 rrafshuan Messin-ën e Reggio Kalabria-n në Itali. “Sipas analizave statistikore, këtu mund të ndodhë së shpejti një tërmet”, paralajmëron gjeologu neozelandez Rupert Sutherland, përgjegjës për projektin. Dhe motivi i studimit është pikërisht ky: të hyhet nën koren tokësore për të kuptuar se çfarë ndodh me afrimin e një tërmeti e ndofta ta parashikojmë.

Zbulime të jashtëzakonshme
Të studiosh çarjet është e rëndësishme për të kuptuar më mirë sesi është e ndërtuar “litosfera”, domethënë pjesa më e jashtme e Tokës, “lëkura” e saj. Por, edhe nëse do të arrinim të kishim një kuadër të saktë të strukturës së saj – përmes këtij kërkimi e shumë të tjerëve të llojeve të ndryshëm (analiza të valëve sizmike, shpime nafte, studimi i shkëmbinjve të ardhur në sipërfaqe nga thellësia si pasojë e fenomeneve të gjata gjeologjike) – njohjet e brendësisë së planetit tonë do të ishin sërish në një nivel shumë sipërfaqësor. Litosfera (që përfshin koren e pjesës së mantelit të jashtëm) ka në fakt një trashësi që varion nga 70 km nën oqeane në 120 km poshtë vargjeve malore, gjë e vogël në krahasim me mbi 6300 km që na ndajnë nga qendra e tokës: e njohim më mirë sipërfaqen e hënës ose të marsit, se sa atë që fshihet në zemër të planetit tonë. Në vitet e fundit, megjithatë, gjeologët kanë bërë zbulime të jashtëzakonshme: shkumë prej magme të fshehura poshtë oqeaneve, një det gjigand i varrosur në thellësi dhe i trupëzuar në shkëmbinjtë nëntokësorë, minerale me të njëjtën përbërje kimike të asteroidëve primitivë që i dhanë origjinën sistemit tonë diellor 5 miliardë vite më parë. Për të kuptuar më mirë se për se bëhet fjalë, është e nevojshme të kryhet një udhëtim virtual në zemër të planetit tonë, paksa siç bëri Zhyl Verni në udhëtimin e tij  për në qendër të Tokës, ekzaktësisht 150 vjet të shkuara.

5 km – liqene prej magme
Pengesa kryesore për të kuptuar humnerat tokësore është e karakterit teknik: mënyra më e mirë për t’i eksploruar do të ishte me anë të shpueseve si ata në veprim në Zelandën e Re. Por asnjë shpues nuk është në gjëndje të kalojë 20-30 km thellësi, deri sa presionet dhe temperaturat e larta do të ishin në gjëndje të shkrinin çfarëdolloj materiali. E vetmja mënyrë për të parë se çfarë ka poshtë është të studiosh valët sizmike, si ato që çlirohen menjëherë pas një tërmeti. Këto lëkundje, që janë regjistruar nga sizmografët e shpërndarë në të gjithë botën, në fakt, lejojnë të bëhet një “ekografi” e planetit. Në këtë mënyërë ka qënë e mundur të studiohet një nga misteret që gjithmonë ka intriguar gjeologët: prej ku vijnë sasitë e mëdha të magmës që dalin jashtë nga shtretërit oqeanikë, ose nga frakturat që përshkojnë oqeanet e nga të cilat largohen pllakat tokësore?
Dhe pikërisht këtu gjemë surprizën e parë, fryt i një studimi të fundit: “Në një testim të kryer në afërsi të shtratit të Paqësorit Lindor kemi zbuluar që në rreth 5-6 km thellësi ekzistojnë “lente” të mëdha prej magme. Janë liqene të vërtetë për të cilët askush nuk dyshonte se ekzistonin, që shpesh janë lidhur midis tyre me lumenj llave”, shpjegon Susan Carbottw e Universitetit të Kolumbias, autore e kërkimit. “Kur ndodh, në serbatorin më pranë sipërfaqes arrin një presion i tillë që bën të dalë magma”. Në praktikë, është pak a shumë ajo që ndodh kur shtypet tubeti i një paste dhëmbësh.

500 km – një oqean i fundosur
Poshtë Litosferës është një shtresë shumë ndryshe: manteli. Është i përbërë nga një substancë e ngjashme me plastelinën, që lëviz ngadalë nga pjesët më të thella, drejt sipërfaqes. Materiali më i afërt për bërthamën, në fakt, është më shumë i nxehtë e më pak i dendur nga ai që i rri sipër, prandaj tenton të ngjitet siç bën uji në një tenxhere që vlon. Deri këtu asgjë e re: është e shkruar në librat e shkollës. Në vitet e fundit megjithatë, shumë dyshonin që manteli të përmbante në brendësinë e vet një shtresë të pasur uji. E sugjeronin të dhënat mbi valët sizmike dhe studimi në laborator i materialeve nën trysni të lartë. Materiali nën vëzhgim në këtë rast ishte olivina, një mineral silici, oksigjeni, hekuri e magnezi i pranishëm në sasi të mëdha poshtë litosferës. Duke i vendosur kampionet e olivinës në presione e në temperatura të ngjashme me ato që janë në mantel, gjeologët kanë zbuluar që në thellësi të rreth 500 km ky mineral transformohet e kthehet në “ringwoodite”, një shkëmb blu, i aftë të mbajë në brendësi të strukturës së vet shumë molekula uji. Studimi i këtij minerali ishte një ëndërr për shumë gjeologë. Tani, në ndihmën e tyre erdhi një diamant. Në Brazil ekzistojnë “vatra kimberlitike”, vullkane që sillen si shpërthime e që mund të përftohet për shembull kur hidhet një Mentos në Coca Cola (provojeni për ta besuar): bëhet fjalë për çlirim të gazrave të papritura të mantelit  që tërheqin në sipërfaqe mineralet e lindura në thellësi, midis të cilave, pikërisht edhe diamantet. Në brendësi të njërës nga këta gurë të çmuar janë gjetur gjurmë të ringwoodite-ve. Pas vitesh mbushur me hipoteza, ky ishte pohimi që shumëkush kishte shpresuar. Jo vetëm: kampioni përfshinte ujë në sasi më të larta se sa parashikimi. Dhe shkencëtarët kanë arritur në një konkluzion të çuditshëm: “Midis mantelit të sipërm dhe atij të poshtëm ka një shtresë kaq të pasur me ujë, që  në qoftë se do të “shtrydhej”, do të përftohej ekuivalentja e të gjithë oqeaneve të Tokës”, thotë Graham Pearson, autor i zbulimit. Uji do të ishte sjellë atje, si mbi një rrip transportieri, nga pllakat oqeanike, që pasi janë përplasur me ato kontinentale drejtohen në thellësi duke marrë me vete “pakëz det”.

1.000 km – mister i plotë
Duke zbritur akoma më poshtë, sipër oqeanit, arrihet në mantelin e poshtëm. Deri pak muaj më parë mendohej që ndoshta përbëhej nga një mineral i quajtur perovskite, i përbërë nga kalciumi, titani e oksigjeni. Por provat në laborator nuk kanë gjetur gjurmë të këtij materiali në kushte presioni (1 milion atmosferë, e njëjta që do të gjendej poshtë një kolone prej 10 mijë kilomtrash uji) e temperature (2 mijë gradë, që është më shumë se pika normale e shkrirjes së hekurit) e parashikuar në atë zonë. Prandaj duhet të jetë një mineral tjetër, ende i panjohur.

2.900 – udhëtim në kohë
Edhe më në thellësi takohet kufiri me bërthamën. Të arrish aty është si të bësh një udhëtim në kohë. Tani së fundi, në fakt, Mathew Jackson e kërkues të tjerë të Universitetit të Kalifornisë e të Santa Barbarës, duke analizuar kampione prej llave që vinin nga vullkanet e ishujve Samoa – magma e të cilës arrin pikërisht aty – kanë zbuluar që përbërja e tyre kimike është e ngjashme me atë të Nebulës që ka gjeneruar Diellin dhe planetet. Një pohim, ky, i teorive mbi përbërjen e sistemit diellor, sipas të cilave, midis të tjerash, toka e planetet e tjera janë formuar nga përplasja midis asteroidëve primitivë.

4.000 km – mburoja manjetike
Bërthama ruan edhe një sekret tjetër: origjinën e fushës gjeomanjetike, që është forca që drejton busullat drejt Veriut. Kjo zonë është në fakt e përbërë nga shkëmbinj të pasur dhe është e ndarë në dy pjesë: një e lëngshme më shumë e jashtme (ku ngrohtësia mbizotëron mbi presionin) dhe një e ngurtë në qendër (ku, në të kundërtën, mbizotëron presioni). Manjetizmi është i gjeneruar nga lëvizje të pjesës së lëngët, që krijojnë rryma të forta elektrike dhe sillen si një dinamo gjigante.
Fusha gjeomanjetike është e rëndësishme pasi mbron nga shumë rrezatime të dëmshme që vijnë nga Dielli. Nga studimi i disa shkëmbinjve që sillen si busulla fosile, megjithatë, e dimë që herë pas here kjo fushë ndërrohet: poli Veri ndërrohet me polin Jug. Herën e fundit ka ndodhur pak më shumë sesa 780.000 vjet të shkuara. E qartë, por përse ndodh ndërrimi? E sa kohë zgjat proçesi?

Në Abruzzo
Përgjigje ndaj pyetjes së parë nuk ka, ajo ndaj të dytës u gjet para pak kohësh në Itali, në pllajën e Sulmona-s, në Abruzzo. “Kemi analizuar sedimente vullkanike të depozituara me regullsi në harkun e 10 mijë vjetëve: në brendësinë e tyre ka mbetur stampuar drejtimi i fushës manjetike në periudhën e kthimit”, thotë Courtney Sprain, përgjegjëse për kërkimin. “Ka qënë e mundur të përcaktojë se procesi ka ndodhur në harkun e një shekulli, dhe ka qënë paraprirë  për më shumë 6.000 vjet nga një fushë manjetike shumë e paqëndrueshme”. Ka tashmë nga ata që janë duke vënë në dukje që sot fusha gjeomagnetike është duke u zvogëluar në intensitet, me një ritëm 10 herë mbi normën, e në disa zona ka anomali të forta: shenja, sipas ndonjërit, që mund të kemi një ndërrim në harkun e pak mijëvjecarëve. Për ne është kohë e gjatë, por për planetin tonë është vetëm një kapsallitje sysh./new scientist/

e.xh./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button