Shkence

SHKENCE / Si ne magji, uji i detit per karburant

uji i detitPër shekuj me radhë, alkimistët janë përpjekur ta kthejnë plumbin në ar. Prej kohe, kjo përpjekje është provuar si e pamundur, por një tjetër ëndërr, kthimi i ujit në karburant, duket se është i mundur. Shkencëtarët e një Laboratori të Marinës Detare amerikane e provuan këtë duke ngritur në ajër një avion të vogël, i cili në vend të karburantit të zakonshëm përdor lëndën djegëse të prodhuar nga uji i detit. Gazi natyror dhe llojet e tjera të karburanteve të lëngshme që përdoren në të gjitha llojet e motorëve me djegie të brendshme, janë një përzierje e elementeve kimike të hidrogjenit dhe karbonit, që vijnë kryesisht nga rezervat nëntokësore.

Por edhe oqeanet janë rezervuare të mëdha të hidrogjenit dhe dioksidit të karbonit, i cili shton nivelin e acidit në det. Nxjerrja e këtyre kimikateve nga oqeani dhe konvertimi i tyre në një formë karburantesh të lëngshme është mundësuar nga disa përparime teknologjike të fundit, thotë studiuesja, Heather Willauer. “Kemi arritur të dëshmojmë se në një laborator ne mund ta shndërrojmë dioksidin e karbonit dhe hidrogjenin në lëndë djegëse të lëngshme”, vlerëson ajo.

Procesi kërkon shumë energji elektrike, e cila për të qenë më ekonomike duhet të vijë nga një burim me kosto të ulët, si një central bërthamor. Natyrisht, vendi më i efektshëm për një proces të tillë do të ishte në bordin e një aeroplanmbajtëseje bërthamore. Willauer thotë se këto anije një ditë mund të prodhojnë karburant për avionët në bordin e tyre. Sipas saj “nga kjo mund të përfitojnë marina detare apo anijet komerciale sepse kur është nevoja karburanti mund të prodhohet aty ku nevojitet”.

Karburanti i ri është testuar me sukses në një aeroplan me një motor. Tani për tani, prodhimi i tij kërkon dy herë më shumë energji se sa normalisht, por studiuesit shpresojnë ta ulin koston. Dr. Willauer thotë se procesi i ri nuk do të rrisë sasinë e dioksidit të karbonit në atmosferë, që ndikon në ngrohjen globale. “Pasi ta nxjerrim nga uji, oqeani e thith atë menjëherë nga atmosfera, sepse ky proces është në ekuilibër të vazhdueshëm”, thotë Willauer. Shkencëtarët shpresojnë se një uzinë e vogël në shkallë industriale mund të fillojë kthimin e ujit të detit në karburant brenda pesëmbëdhjetë viteve të ardhshme. /VOA/

Leave a Reply

Back to top button