Shkence

Shkencëtarët më të mëdhenj në botë kanë një pyetje: “Si ka mundësi që Universi nuk është vetëshkatërruar?”

Universi ynë nuk duhet të ekzistojë, thonë shkencëtarët.

Shkencëtarët më elitarë në botë ende përpiqen të gjejnë pse pikërisht universi ynë nuk e shkatërroi veten, sapo u krijua. Kjo është ajo që shkenca thotë se duhej të kishte ndodhur – por nuk ndodhi, përderisa dhe ju po e lexoni këtë artikull.

Në fillim të universit, sipas modelit standard, ka sasi të barabarta të materies dhe anti-materies. Problemi me këtë është se secila do të asgjësonte njëra-tjetrën, duke mos lënë pas materien që na rrethon sot.

Studiuesit kanë qenë në kërkim të një ndryshimi midis materies dhe anti-materies, që mund të shpjegojë pse universi është ende këtu ku është. Por ata kanë provuar një sërë mundësish të ndryshme – ndoshta ato kanë masë të ndryshme, ngarkesë elektrike të ndryshme ose diçka tjetër – por nuk kanë gjetur dallime.

Kjo ka bërë që shkencëtarët të pyesin pse universi është ende këtu ku është.

“Të gjitha vëzhgimet tona gjejnë një simetri të plotë midis materies dhe antimateries, prandaj universi nuk duhet të ekzistojë,” shpjegon Christian Smorra, autor i një studimi të ri të kryer në CERN.

“Një asimetri duhet të ekzistojë diku, por thjesht nuk e kuptojmë se ku është ndryshimi. Cili është burimi i thyerjes së simetrisë?”

Mundësia më e fundit ishte magnetizmi i ndryshëm i materies dhe i anti-materies. Por kërkimet e reja tregojnë se ato janë identike edhe në këtë drejtim – duke ia zgjatur jetën misterit pse universi ekziston ende.

Studimi i ri, i udhëhequr nga Dr Smorra, do të maste anti-protonet për të gjetur se si ishin të ndryshëm nga protonet që na rrethojnë. Ata matën magnetizmin e anti-materies në detaje më të sakta se kurrë më parë, dhe u befasuan kur zbuluan se si materia, ashtu edhe anti-materia dukeshin saktësisht simetrike.

Në studimin e CERN, shkencëtarët kapnin anti-protone në “kurthe të veçanta”, pasi që nuk është e mundur të mbajmë anti-materien brenda një ene fizike. “Kjo rritje e jashtëzakonshme në një periudhë kaq të shkurtër ishte e mundur vetëm në sajë të metodave krejtësisht të reja”, tha Stefan Ulmer, zëdhënës i grupit të studiuesve që kryen studimin.

Studiuesit shpresojnë të jenë në gjendje të shqyrtojnë anti-protonet në detaje edhe më të sakta, dhe të shohin nëse ka një ndryshim, kur të jenë në gjendje të vëzhgojnë edhe më nga afër misterin. Por shkencëtarët e tjerë po shohin mundësi të tjera – duke përfshirë atë që anti-materie mund të ketë gravitet të përmbysur, që do të thotë se do të binte nga poshtë lart, raporton Cosmos Magazine. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button