Bota

ANALIZA / Shteti Islamik dhe mundësia e përdorimit të armëve kimike

Në rast se ISIS-i është në gjendje të zhvillojë armë të tilla, SHBA-ja do të duhet të ndryshojë strategjinë e saj

Screen Shot 2016-03-11 at 07.47.12

Nga Xhorxh Fridman

Një skuadër speciale e ushtrisë amerikane kapi muajin e kaluar në veri të Irakut, Sleiman Daud Al-Afarin, një ish-zyrtar i qeverisë irakiane nën Sadam Huseinit. Zyrtarët thanë këtë të mërkurë se Al-Afari kishte qenë i përfshirë në zhvillimin e armëve kimike gjatë sundimit të Sadamit. Armët kimike, në veçanti gazi mustardë, ishin përdorur gjerësisht kundër kurdëve gjatë kryengritjes së vitin 1991, si edhe në luftën Iran-Irak, kështu që ne e dimë me siguri se Sadami i zotëronte këto lloj armësh.

SHBA-ja është duke pretenduar se Al-Afari, ishte i përfshirë në këtë program. Kjo është e rëndësishme, sepse gjithashtu theksoset se Al-Afari qe i përfshirë së fundmi edhe në prodhimin e gazit mustardë për Shtetin Islamik. Disa vite më parë ka patur raporte që pretendonin se Sadami zotëronte armë kimike në kohën e pushtimit të SHBA-së, dhe që i kishin mbijetuar luftimeve dhe u ishin dorëzuar xhihadistëve nga ish-oficerë të ushtrisë irakiane.

Ky raport ishte e vështirë për t’u besuar, sepse forcat amerikanë e kthyen përmbys Irakun në vitin 2003 në kërkim të armëve të tilla, dhe që gazi mustardë të ruante fuqinë e tij pas më shumë se një dekade më vonë, në kushte padyshim të përafërta, kjo është e dyshimtë. E rëndësishme është nëse ISIS-i është në zotërim të gazit mustardë, dhe sipas raporteve të marrjes në pyetje të Al-Afarit, ka patur një ekip të posaçëm pune për të zhvilluar këtë dhe armë të tjera kimike. Natyrisht kjo do të ndryshojë në mënyrë dramatike dinamikën e luftës kundër ISIS-it.

Gazi mustardë është përdorur gjerësisht në Luftën e Parë Botërore. Cilësohet si një agjent i ashpër. Ai shkakton flluska në çdo sipërfaqe që prek, përfshirë mushkëritë apo sytë. Edhe nëse nuk të vret, do të molisë viktimën në atë shkallë sa ta bëjë atë të pafuqishëm. Arma kimike shpërndahet nga predha artilerie, ndonjëherë të pajisurq me një pajisje aerosoli për t’u përhapur teksa udhëton. Ajo mund të shpërndahen përmes çdo lloj enë mjaftueshëm të fortë për të përballuar procesin – predha nuk duhet të plasë, ndërsa ajo del nga artileria e sulmuesit. Kjo është një armë zonale, kur konfigurohet si duhet.

Një breshëri artilerie me gaz mustardë, mund ta bëjë një zone të pakalueshme. Gjatë Luftës së Parë Botërore, përveç viktimave që shkaktonte në front, ajo u përdor për të bllokuar zona të caktuara, në mënyrë që asnjë sulm të mos mund të përgatitej në kahun ku ndodhej gazi mustardë.  Përderisa sulmi qe i vazhdueshëm, mund të mbronte një krah të frontit për të paktën një ditë, në varësi të përqendrimit të gazit. Nuk ishte e dobishëm në përgatitjen e një ofensive, pasi trupat s’mund të kalonin nëpër atë zonë. Por ajo mund të bënte të mundur një ofensivë duke mbrojtur forcat nga një drejtim, ndërsa ato përqëndrohen në një tjetër.

Shtetet e Bashkuara luftojnë në thelb me trupa të lehta të këmbësorisë në këmbë ose në mjete të vogla të blinduara. Ajo përdor helikopterë, avionë dhe dronë të telekomanduar për të kryer sulmet. Ka forca të blinduara të kufizuara – automjete luftarake Abrams ose Bradley. Kjo është e rëndësishme, për shkak se këto mjete kanë aftësinë NBC – bërthamore, biologjike dhe kimike – që do të thotë se ato mund të mbrojnë ata që gjenden brenda gazit mustardë.

Problemi është se kjo nuk është një luftë e blinduar. Trupat e këmbësorisë kanë mbrojtjen e tyre kundër gazit; një maskë gazi është e dobishme, por e pamjaftueshme teksa gazi mustardë do të djegë lëkurën. Ata veshin një kostum të plotë të quajtur MOPP. Problemi me këto kostume, edhe pse ato janë përmirësuar me kalimin e kohës, është se ato i bëjnë ushtarët jo tërësisht, por pothuajse të padobishëm.

Menaxhimi i diçkaje komplekse si një armë kimike, ndërsa mban veshur kostum është vetëm minimalisht i mundur. Edhe më keq, në një mot shumë të nxehtë, si ai i Irakut në verë, kostumi mund të jetë i padurueshëm. Ai mund t’i shpëtojë jetën dhe shëndetin një ushtari, por me koston e nxjerrjes së tij jashtë misionit, ndërsa ai e vesh atë.

Pra, thjesht duke i detyruar njësitë e këmbësorisë të pajisen me një kostum MOPP, i neutralizon ato për një periudhë kohe ose të paktën ul efektivitetin e tyre në mënyrë dramatike. Me kalimin e kohës, ai paraqet sfida të tjera për ushtarin për të cilin ne kemi nevojë të shkojë në një vend të caktuar. Kjo e bën gazin mustardë një armë të frikshme.

A mund ta prodhojë ISIS-i atë? Ka tre faza në krijimin e një armë kimike. Së pari, ju duhet të siguroni materialet paraprake të nevojshme për ta prodhuar atë. Së dyti, duhet të krijoni armë kimike efektive, të cilat kërkojnë pajisje mbështetëse dhe individët me njohuritë teknike përkatëse. Së fundmi, duhet të krijoni një sistem të shpërndarjes, së gazit.

Secila nga këto faza ka sfidat e veta. Është e mundur të identifikohet dikush, që është duke u përpjekur të blejë kimikate dhe përzierësit e nevojshëm për të prodhuar një armë kimike, kësisoj blerja e materialeve rrezikon zbulimin e projektit. Prodhimi i lëndës kimike, përfshin një rrezik të konsiderueshëm për të pësuar një vdekje të tmerrshme, në qoftë se ajo keqpërdoret në fazat e mëvonshme.

Dhe shpërndarja është pjesa e vështirë. Sikurse e thashë, artileria është forma e preferuar e shpërndarjes, por predha nuk duhet në asnjë rrethanë të thyhet dhe hapet në çdo kohë. Momenti më i rrezikshëm është kur predha lë tytën. Predha e artilerisë është modifikuar për të përmbajtur lëndën kimike, ku mund të përdoret çdo lloj sistemi shpërndarës.

Nëse ju nuk e dini se çfarë jeni duke bërë, gjuajtja e parë mund të jetë edhe e fundit. Ka çështje të tjera në procesin e zhvillimit, si ngarkimi i predhës, dhe vendosja e lëndës kimike në të, ku janë të gjitha mundësitë për katastrofë. Kjo është një armë e tmerrshme dhe tejet e efektshme.

Ky është një prej gazrave më të thjeshta për t’u prodhuar, dhe ne do të supozojmë se ISIS-i ka aftësinë për të siguruar materialet paraprake, edhe pse ato mund të mos jenë në dispozicion në magazinën tuaj.

Ajo është në ‘gatim’ derisa gjëra të fillojnë të vlojnë. Përveç një shkalle saktësise, janë të nevojshme enët për prodhimin dhe ruajtjen. Këto nuk duhet të jetë thjesht tenxhere. Predhat e artilerisë duhet të fabrikohen në mënyrë të posaçme. Ajo çfarë duket se po thotë Departamenti i Mbrojtjes, është se ISIS-i mund ta zotërojë ose jo ketë pajisje, por ai ka të paktën disa ekspertë me përvojë në luftën e suksesshme kimike.

Këta ekspertë mund të thonë se çfarë i nevojitet Shtetit Islamik për të prodhuar gazin mustardë, dhe padyshim që ISIS-i është i aftë për të siguruar në njëfarë mënyre këto materiale. Dhe nëse e bën atë, atëherë modeli aktual i luftës së SHBA-së duhet të ndryshojë. Çështja është se pse SHBA-ja duhet të njoftonte se e ka kapur të gjallë këtë djalë, dhe se ai ka folur. Përgjigja tjetër është se ai nuk ka folur, por zyrtarët amerikanë duan që ISIS-i të mendojë  se kjo ka ndodhur. Përgjigja tjetër është se ai ka folur, dhe ata duan që Shteti Islamik të çmontojë pajisjet e saj dhe të zhvendoset, çka do të shtyjë programin për disa muaj.

Një arsye e tretë mund të jetë për të paralajmëruar ata që në Shtetet e Bashkuara, janë të etur për t’iu bashkuar ISIS-it, është se duke e bërë këtë mund të jetë edhe më e vështirë se sa e imagjinojnë pesimistët. Ose mund të jetë se administrata e presidentit Barak Obama do të tregojë se është duke bërë diçka agresive.

Me fjalë të tjera, unë nuk e di pse SHBA duhej ta bënte publike këtë. Por mua më duket se ky është lloji i saktë i armës që ISIS-i do të donte të kishte. Dhe qëkur irakianët kanë prodhuar dhe përdorur gazin mustardë në të kaluarën, kjo s’mund të jetë aq e pamundur sa tingëllon. Çfarëdo informacioni që është marrë nga ky i dyshuar, mundësia e gazit helmues në fushën e betejës nuk është e pabesueshme.

Frika është se ISIS-i do të jetë në gjendje për ta transportuar këtë armë në pjesë të tjera të botës. Kjo do të jetë e vështirë të bëhet pa u zbuluar. Dhe zotërimi i pajisjeve të nevojshme për prodhimin e kësaj arme pa vetë-shkatërrimin vetjak do të jetë e vështirë. Por jo e pamundur. Prandaj, kjo mundësi nuk duhet të shpërfillet.

“Geopolitical Future” – Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button