Analiza

Shthurja e Madhe

Roger Cohen

Ishte koha e shthurjes. Shumë kohë më vonë, në mesin e rrënojave, njerëzit pyesnin: Si ndodhi vallë? Ishte koha e prerjes së kokave. Ishte koha e agresionit. Ishte koha e ndarjes. Ishte një kohë dobësie. Ishte një kohë urrejtjeje. Deri kur ishte shumë vonë, njerëzit nuk mund ta shihnin Shturjen e Madhe për atë që ishte dhe për atë që kishte shkaktuar

shthurjaIshte koha e shthurjes. Shumë kohë më vonë, në mesin e rrënojave, njerëzit pyesnin: Si ndodhi vallë?
Ishte koha e prerjes së kokave. Me një lëvizje të beftë të dorës së majtë, në një sfond shkretëtire, në dritë të diellit, një mysliman me theks britanik preu kokat e dy gazetarëve amerikanë dhe një punonjësi britanik. Xhihadisti dukej rehat në punën e tij, nuk e kishte me nxitim. Viktimat ishin thyer. Terrori është teatër. Qiellgërvishtës që digjen, koka që priten: Terroristi merr pamje filmike të një lehtësie të padurueshme dhe u jep peshën e mjaftueshme, për t’i ngulitur në psikikën tonë.
Ishte koha e agresionit. Udhëheqësi i kombit më të madh mbi tokë deklaroi se vendi i tij ishte i rrethuar, madje i poshtëruar. Ai aneksoi një pjesë të një vendi fqinjë, akti i parë i këtij lloji në Europë që nga viti 1945, dhe shkaktoi një luftë pak më tutje, në toka që i lakmonte. Njerëzit që mbështeste ai rrëzuan një avion civil pasagjerësh. Viktimat, shumë prej tyre europianë, u lanë të kalben nën diell për ditë të tëra. Ai mohoi të kishte gisht në aktet e dhunës, ashtu si aktori me kukulla që mohon se lëvizjet e kukullave kanë lidhje me lëvizjet e tij. Ai përmendi ligjin, por më pas e shkeli me këmbë. Ai përmendi historinë, por më pas e ktheu në farsë.

Ishte koha e ndarjes. Unioni më i suksesshëm në histori, i krijuar mbi një ishull në Detin e Veriut në 1707-ën, shkoi drejt ndarjes së mundshme – jo sepse kishte dështuar (që nga deti vazhdojnë të vijnë refugjatë që e ëndërrojnë), as edhe për shkak të urrejtjes mes popujve të tij. Qytetarët më veriorë ishin mërzitur. Ata ishin të pakënaqur. Ata ishin të lodhur nga jugu dhe kryeqyteti i tij i parasë, që për ta ishte një emblemë e globalizimit dhe pabarazisë.

Ata imagjinuan se duhej të kontrollonin Shërbimin e tyre Shëndetësor Kombëtar, me qëllim që ta shpëtonin, ndonëse tashmë e kishin nën kontroll prej decentralizimit dhe mund të kishin në fakt më pak para për mbajtjen e tij (jo se ishte i kërcënuar) si shtet i pavarur. Fakti që monedha, borxhi, të ardhurat, mbrojtja, aftësia paguese dhe anëtarësimi në Bashkimin Europian i këtij shteti të sapolindur ishin të gjithë në dyshim, u duk se nuk peshoi shumë mbi një vendim të udhëhequr prej emocioneve, prej nevojave, prej një dëshire për t’u dëgjuar në kakofoninë moderne – dhe në djallë shkoftë e nesërmja. Nëse gjithë të tjerat dështonin, nafta do t’i shpëtonte (gjithmonë nëse nuk e kishte në zotëri dikush tjetër, apo nëse nuk shteronte).

Ishte një kohë dobësie. Kombi më i fuqishëm në botë ishte i lodhur nga luftërat e largëta, vullneti dhe thesari i tij ishin tkurrur prej mungesës së fitores. Një botë mosmirënjohësve mund të bënte policin e vetvetes. Kombi i madh kishte ura për të ndërtuar dhe sisteme arsimorë për të ndrequr. Luftërat civile mes arabëve mund të qelbeshin. Armiqtë mund të vrisnin madje armiqtë e tjerë, një fitore me kosto të ulët. Kufijtë në Lindjen e Mesme mund të shuheshin; ato ishin thjeshtë vija artificiale koloniale mbi një hartë. Shiitët mund të luftonin me sunitët, dhe sunitët me shiitët, nuk i ndalje dot ata. Ashtu si luftërat fetare disa-dekadëshe në Europë, edhe këto luftëra duhej të liheshin të bënin të tyren. Lideri i kombit përqeshi qasjen e tij “të zbehtë, mosbesuese, prej profesori” ndaj botës, duke lënë të kuptohet se ai nuk është asnjë prej këtyre, ndonëse këtë përshtypje të krijonte. Ai vendoste objektiva për të cilat nuk kishte plan. Ai bëri premtime që nuk i mbajti. Bota këto gjëra i vuri re. Armiqtë testuan. Aleatët u neglizhuan, deri kur për këta lindi sërish nevoja, për t’iu kundërvënë prerësve të kokave që flisnin për një Kalifat dhe e quanin veten shtet.
Fjalë të tilla si “forcë” dhe “vendosmëri” u rikthyen në fjalorin e udhëheqësit. Por bota ishte tashmë e paankoruar, e zgjidhur prej tërheqjes së fuqisë që ruante rendin. Libri i rregullave ishte grisur.
Ishte një kohë urrejtjeje. Sloganë antisemitë nisën të dëgjohen në vendin që krijoi vrasjen masive të industrializuar për hebrenjtë e Europës. Hebrenjtë e frikësuar europianë hoqën mezuzah-ët nga shtëpitë e tyre. Myslimanët e Europës nisën të ndiejnë kundërgoditjen dhe hakmarrjen e shëmtuar për mëkatet e prerësve të kokave, që ishin të zotë për ta dërguar nëpër Facebook mesazhin e tyre. Struktura e shoqërisë nisi të tensionohet. Politikanët, të përndjekur prej paaftësisë së tyre, nisën të luajnë me frikërat e popullsive të tyre. Distopia (e kundërta e utopisë) ishte një fjalë në modë, ashtu si utopia në shekullin 20. Kombet e mëdhenj në ngjitje, me popullsi të mëdha, kishin në duart e tyre fatet e botës, por ata as që donin t’ia dinin.
Ishte një kohë ethesh. Në Afrikën Perëndimore, njerëzve u dilte gjak nga sytë.
Ishte një kohë corientimi. Askush nuk i “bashkonte më pikat”, apo lexonte Kiplingun për ato pak siguri që ka jeta: “Qeni rikthehet tek e vjella e tij dhe dosa rikthehet në llucën e saj / dhe gishti i fashuar i budallait, rikthehet për t’u tundur tek zjarri”.
Deri kur ishte shumë vonë, njerëzit nuk mund ta shihnin Shturjen e Madhe për atë që ishte dhe për atë që kishte shkaktuar. /NYT/
PERGATITI: www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button