Psikologji

Shumica e njerëzve na duan për interes. Të paktë janë ata që na duan vërtet

Është e pashmangshme, në një shoqëri ku ndjenjat sa vijnë dhe ftohen, shumica na do për interes. Secili nga ne e ka provuar diccka të tillë. Mund të kemi pasur miq që nuk janë kujtuar për një kohë të gjatë për ne dhe, kur kanë pasur nevojë për diccka, na kanë kontaktuar. Mirëpo kjo nuk duhet të ekzistojë më kështu. Duhen marrë masa që të shmangemi prej personave të tillë, pasi prej tyre ne nuk përfitojmë asgjë. Nuk e kam fjalën këtu për përfitim material, apo për ccfarëdo përfitimi personal që do të na bëjë po njësoj persona që i duam të tjerët për interes. Unë e kam fjalën për përfitim të tipit, rritje e vetes.

Na është thënë dhe stërthënë kur ishim të vegjël se personat rreth vetes, duhet t’i zgjedhim më të mirë se vetja. Një person që na do për interes, nuk është më i mirë se ne. Nga ai/ajo ne nuk mund të përfitojmë asgjë.

Dikur, në një bisedë me një mikeshë timen, u shpreha mbi një situatë të tillë. Kisha muaj pa folur me një mik nga universiteti dhe ai më shkruan pas një periudhe shumë të gjatë kohore. Kishte nevojë ta ndihmoja me një problem të tijin. M’u duk shumë e pavend të më kërkonte ndihmë, kur nuk ishte kujtuar të më pyeste thjesht “Si je?” në gjithë muajt që kishim kaluar pa folur. Kjo gjë më mërziti më tepër. Mikesha ime më tha, se jo të gjithë kanë kohë në ditët e sotme; se secili ka punët e veta dhe nuk gjen mundësinë të mbajë kontakt me të gjithë miqtë e vet. Por ky shpjegim m’u duk i palogjikshëm. Për njerëzit që duam, ne të gjithë e gjejmë kohën e duhur, ndaj dhe nuk u qetësova aspak pas arsyetimit të saj.

Ajo situatë tashmë ka kaluar, por jua solla si një nga shembujt e shumtë, kur na kontaktojnë, apo na takojnë, vetëm për të përmbushur interesat e tyre. Nëse e arrijnë atë që duan, shkojnë pas dikujt tjetër për të arritur diccka të re, sepse dëshirat përherë zëvendësojnë njëra-tjetrën në momentin që realizohen. Rrjedha e historive do të jetë e njëjta. Dikush do të përfitojë dhe personi tjetër mbetet viktima në atë rast.

Por a është normale të vazhdohet kështu? Sigurisht që jo. Nuk është normale që me vetëdije të plotë, të lejosh dikë të luajë me ty, të të përdorë si një lodër sa herë ka nevojë të luajë dhe pastaj, kur mërzitet, të të hedhë sërish mënjanë. Askush nuk e ka këtë të drejtë. Secili nga ne ka vlera, ka virtyte, dhe meriton pranë persona që na duan dhe bëjnë të pamundurën për të na bërë të lumtur.

Tashmë dihet që ccdo gjë bëhet me të shkruar, askush nuk kujtohet të na telefonojë. Telefonatat kanë dalë nga moda. Por edhe për të na shkruar kanë harruar. Na shkruajnë, kur u duhemi dhe na harrojnë, kur nuk u duhemi. Gjithccka po vërtitet rreth interesit dhe sa herë që ne e ushqejmë atë, ne ushqejmë ftohjen e ndjenjave. Ne kontribuojmë në shkatërrimin e marrëdhënieve dhe kjo gjë është e pafalshme, ndaj ndrysho që sot. Tregoji vendin atyre që ta tregojnë hapur se të duan për interes. Mos e vrisni mendjen se mund t’i lëndoni ata, pasi të parët po ju lëndojnë ata juve duke ju përdorur! / f.xh. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button