Articles

Si do t’i formësojë zgjedhjet Inteligjenca Artificiale – dhe çfarë po bëjnë qeveritë për këtë?

Rregullimi i Inteligjencës Artificiale (IA) duhet të kalojë kufirin midis parandalimit të dezinformimit dhe mbrojtjes së lirisë së fjalës brenda procesit politik.

“Gjërat nuk duhet të jenë domosdoshmërisht të vërteta, për sa kohë që ato besohen.”

Këto janë fjalët e Alexander Nix, ish-CEO i Cambridge Analytica. Në vitin 2016, kompania e analizimit të të dhënave me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, tani sinonim i dezinformimit, “korri” paligjshmërisht 87 milionë profile në Facebook ndërsa punonte ngushtë me ekipin e fushatës së Donald Trumpit.

Në shkurt të vitit 2023, një hetim i fshehtë ekspozoi bashkëpunimin e Cambridge Analytica me hakerat izraelitë, “Team Jorge”, gjatë zgjedhjeve të vitit 2015 në Nigeri. Duke përdorur programe të fuqishme softuerike për të profilizuar dhe shënjestruar votuesit me reklama të personalizuara politike, “Team Jorge” ka mbikëqyrur fushatat në 33 zgjedhje presidenciale në mbarë botën – 27 prej të cilave ishin të suksesshme.

Dezinformimi ka ekzistuar me shekuj, por inteligjenca artificiale (IA) tashmë e ka intensifikuar ndikimin dhe pasojat e tij. Mes një vërshim lajmesh të rreme dhe faktesh alternative, sistemet e IA parashikohet të shtojnë tendencat përçarëse të demokracisë, që nisën të vihen re në dekadën e mëparshme.

Inteligjenca Artificiale si armë për dezinformimin

“Ekipi Jorge” mund të jetë demaskuar dhe Cambridge Analytica është shpërbërë, por këto organizata thjesht përbëjnë majën e një ajsbergu global të shkeljes së privatësisë së të dhënave. Sipas një studimi të Universitetit të Oksfordit, mediat sociale u përdorën për të manipuluar opinionin politik dhe për të përhapur propagandë mashtruese në të paktën 81 vende në vitin 2020. Metodat përfshijnë chatbots-et politike, shënjestrimin e personalizuar, algoritmet e formësimit të përmbajtjes, zërat e klonuar njerëzorë dhe bazat e të dhënave për njohjen e fytyrës.

Në versionin më të thjeshtë të teknologjisë së automatizimit, robotët përdorin metoda të mësimit të makinerive (Machine Learning) për të gjeneruar fotografi realiste të profilit për llogaritë e rreme të mediave sociale. Llogaritë e operuara nga bot-et kanë shpërndarë në masë dezinformatat, nga datat e gabuara të votimit dhe vendet e votimit deri te mesazhet që shfrytëzojnë dyshimet për efikasitetin e proceseve politike midis votuesve të margjinalizuar.

IA do të mundësojë shënjestrimin e asaj përqindjeje të vogël të elektoratit që mbetet e pavendosur në ditën e zgjedhjeve, me “mesazhin e saktë që do t’i ndihmojë ata të marrin vendimet përfundimtare”, sipas Darrell West, bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Inovacionin Teknologjik të Brooking Institution. Mesazhe të tilla ka të ngjarë të ngjallin pakënaqësi për tema si aborti, emigracioni ose çështjet transgjinore.

Ndërsa robotët janë në gjendje të prodhojnë të ashtuquajturat “deepfakes” (video të klonuara ku njerëzve u vendosen fytyrat e personave të njohur) të figurave politike, platformat gjeneruese të IA kanë kapacitetin për të krijuar video të tëra fushatash. Më 25 prill, Komiteti Kombëtar Republikan (RNC) iu përgjigj njoftimit për rizgjedhjen e Presidentit Biden me një video të krijuar nga IA, që përshkruan një të ardhme distopike për SHBA-në, nëse Biden do të mbajë detyrën në 2024.

Votimi presidencial në SHBA nuk është i vetmi i planifikuar për vitin 2024. Gjatë gjithë vitit, më shumë se një miliard votues do të shkojnë drejt qendrave të votimit në Indi, Mbretërinë e Bashkuar, Bashkimin Evropian, Rusinë, Afrikën e Jugut, Meksikë, Indonezi, Korenë e Jugut dhe Ukrainë, në një konvergjencë të rrallë të cikleve zgjedhore.

Shumë prej këtyre zgjedhjeve do të jenë shumë të polarizuara përtej linjave politike, socio-ekonomike dhe etnike e fetare – dhe zgjedhjet e fundit në Tajlandë, Nigeri dhe Turqi kanë demonstruar bashkëvarësinë e rrezikshme të dezinformimit dhe polarizimit.

Përpara serisë së zgjedhjeve vendimtare që do të zhvillohen në vitin 2024, ja se si qeveri të ndryshme po rregullojnë IA.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA: 5 nëntor 2024

Më 16 maj, Sam Altman, CEO i OpenAI, i bëri thirrje Kongresit të SHBA që të parandalojë potencialin e IA për të shkaktuar “dëm të konsiderueshëm në botë” dhe “manipuluar” zgjedhjet presidenciale të SHBA. Senatori Dick Durbin e quajti “historike” që një kompani e sektorit privat po vinte në Komitetin Gjyqësor të Senatit duke kërkuar rregullim. Pozicioni i Altman ka bërë që disa liderë të industrisë të ngrenë pyetjen se pse OpenAI vendosi të nxjerrë softuerin e vet të IA për publikun, përpara se të vlerësojë plotësisht sigurinë e tij.

Pavarësisht nëse homologu republikan i Bidenit është Ron DeSantis, Nikki Haley apo Donald Trump i rikthyer, zgjedhjet presidenciale në SHBA të vitit 2024 do të jenë të kontestuara, personale dhe të polarizuara. Dezinformatat kanë shpërthyer nga niveli më i lartë, me pretendime të rreme të bëra mbi integritetin e rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2020. Shtimi i IA në këtë përzierje do ta fuqizojë këtë tendencë përpara nëntorit 2024.

Më 2 maj, kongresmenja demokrate Yvette Clarke prezantoi një projekt-ligj që kërkon zbulimin e plotë të përmbajtjes së krijuar nga IA në reklamat politike. Ndërsa ky projekt-ligj i propozuar është kryesisht një përgjigje e politizuar ndaj videos anti-Biden të RNC-së, ai ka potencialin për të mandatuar identifikimin e qartë të taktikave të automatizuara, potencialisht mashtruese gjatë fushatës. Besimi i republikanit Sean Cooksey se reklamat e IA mund të rregullohen nga ligjet ekzistuese tregon se veprimi ndërpartiak mund të vonohet nga debatet mbi rregulloren ndaj inovacionit.

E ndjekur nga afër nga Kina, SHBA është një lider global në zhvillimin e IA. Shumë besojnë se përgjegjësia për rregullimin e saj duhet të ilustrohet nga OpenAI, DeepMind i Google dhe kompani të tjera kryesore amerikane.

Zgjedhjet e Bashkimit Evropian: 6-9 qershor 2024

Si një bllok tregtar dhe jo një shtet, zgjedhjet e BE-së nuk kanë qenë të ngjyrosura me të njëjtat nivele polarizimi dhe dezinformimi. Por me më shumë se 400 milionë votues me të drejtë vote, zgjedhjet e Parlamentit Evropian janë të rëndësishme, si votimi më i madh transnacional në botë. Presidentja aktuale Ursula von der Leyen nuk ka konfirmuar nëse do të kandidojë sërish për postin, por parashikohet të ketë mbështetjen e vazhdueshme të shteteve anëtare kyçe, nëse po.

Së bashku me Kinën dhe Brazilin, BE-ja ka udhëhequr reagimin global në bërjen e rregullave të IA. Më 11 maj, Komiteti i Tregut të Brendshëm të BE-së dhe Komiteti i Lirive Civile hartuan një Akt të Inteligjencës Artificiale që do të ndalonte sistemet e identifikimit biometrik në vende publike dhe sistemet parashikuese të policisë.

Eurodeputetët vlerësuan gjithashtu aftësinë për IA “me rrezik të lartë” për të marrë të dhënat biometrike nga mediat sociale ose pamjet CCTV, duke krijuar bazat e të dhënave të njohjes së fytyrës, si një shkelje e madhe e privatësisë dhe e të drejtave të njeriut. Kjo listë “me rrezik të lartë” do të përfshijë sisteme të IA, të krijuara për të ndikuar tek votuesit në fushatat politike.

Siç u pa me Rregulloren e Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) në 2018, Akti i IA-së së BE-së mund të bëhet një sfidë e rëndësishme për kompanitë e mëdha amerikane të teknologjisë. Rregullatorët e privatësisë së BE-së dihet se i qëndrojnë besnikë fjalës së tyre, gjë që dëshmohet nga gjoba rekord prej 1.3 miliardë dollarësh e lëshuar për Meta në 22 maj 2023, për shkelje të privatësisë së të dhënave.

Zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar: Dhjetor 2024/Janar 2025

Ndryshe nga BE-ja, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar fillimisht tha se nuk do të miratojë asnjë legjislacion të ri për të kontrolluar IA dhe as nuk do të krijojë një organ të ri rregullator. Kjo është pjesë e premtimit të kryeministrit konservator Rishi Sunak për një qasje “pro-inovative” ndaj IA – megjithëse kryeministri që atëherë ka bërë një deklaratë më të kujdesshme për vendosjen e “shinave mbrojtëse”.

Ndryshe nga SHBA, reklamat politike janë të ndaluara në TV dhe radio britanike. Në vend të kësaj, partive u jepet kohë transmetimi përmes debateve dhe transmetimeve të tilla si BBC Newsnight. Pavarësisht thirrjeve të Autoritetit të Standardeve të Reklamimit (ASA) për rregullimin e reklamave politike, nuk ka asnjë organ rregullator për reklamat politike në MB, të cilat janë ende shumë të përhapura në mediat sociale dhe faqet e internetit.

Dezinformatat në përgatitjen e zgjedhjeve të përgjithshme të 2019 në Mbretërinë e Bashkuar përfshinin llogari mashtruese në Twitter, video të modifikuara dhe faqe interneti të paverifikuara. Fushata e fundit politike është goditur shumë, nga reklamat e konservatorëve – të cilat u konsideruan si shkelje nga ASA pasi shpenzuan 2.15 milion stërlina para nga taksapaguesit në tabela, postera dhe reklama të gazetave lokale – deri te reklamat e Laburistëve që sulmonin Sunak në prill 2023.

Shumë liderë të industrisë janë të shqetësuar se legjislacioni aktual i Mbretërisë së Bashkuar kundër dezinformimit është i papërgatitur për ndikimin e gjerë që IA ka të ngjarë të ketë tek elektorati. Nëse ratifikohet, projektligji i diskutueshëm i Sigurisë në internet do të detyronte platformat e komunikimit të kufizojnë përmbajtjen “ligjore, por të dëmshme”.

Projektligji mund të frenojë disa burime të dezinformimit, megjithëse kritikët kanë theksuar se ai do të cenonte privatësinë dhe lirinë e fjalës së qytetarëve përmes dobësimit të enkriptimit në aplikacionet e mesazheve si WhatsApp.

Zgjedhjet në Indi: Prill/Maj, 2024

Lufta e informacionit në Indi është përshkallëzuar në një shkallë të paprecedentë. Ushtritë kibernetike të partive politike bombardojnë votuesit me lajme të rreme dhe propagandë përçarëse nëpër TV dhe media sociale, nga konspiracioni anti-musliman i “xhihadit të dashurisë” deri te mesazhet e rreme për rrëmbyesit e fëmijëve në WhatsApp që çuan në linçimin e më shumë se një duzine njerëzish në vitin 2018.

Kryeministri aktual Narendra Modi drejton Partinë nacionaliste Bharatiya Janata (BJP). Pjesa më e madhe e fushatës së BJP-së është ndërtuar mbi polarizimin hindu-mysliman, duke synuar të fitojë favorin e hinduve që përbëjnë 80% të elektoratit të Indisë. BJP është përpjekur gjithashtu të njollosë partinë opozitare me prirje të majtë, Kongresin Kombëtar Indian (INC) si pro-muslimane përmes fushatave dezinformuese.

Pas Kinës, India përfaqëson tregun e dytë më të madh të internetit në botë. Zhvillimi teknologjik është një zonë strategjike e rritjes, e cila është kryesisht arsyeja pse qeveria indiane nuk po shqyrton ndonjë rregullim të AI, sipas ministrit të IT-së Ashwini Vaishnaw. Ndjenjat e shumicës dhe dezinformatat polarizuese parashikohen të jenë gjithnjë e më të përhapura në prag të zgjedhjeve të 2024 në Indi.

Gjendja aktuale e informacionit politik të demokratizuar është delikate. Zhvillimet e inteligjencës artificiale po bëhen tashmë një pretekst për censurë, ndërkohë që i shtohen grumbullit të dezinformatave dixhitale që turbullojnë gjykimin publik.

Përpara konvergjencës vendimtare të zgjedhjeve në vitin 2024, legjislacioni i IA i miratuar në muajt e ardhshëm do të vendosë një precedent, që ose e mban nën kontroll këtë teknologji ose e lë atë të dëmtojë proceset demokratike në shkallë globale. (bota.al)

Burimi: Verdict

Back to top button