BotaMAIN

Si e bindën evropianët Zelenskyn prapa kuintave?

Gjatë gjithë fundjavës, zyrtarë të ndryshëm të Shtëpisë së Bardhë kanë informuar privatisht se Zelensky duhet të shprehë pendesë, të kërkojë falje dhe të tregojë keqardhje për përplasjen e së premtes, nëse dëshiron të riparojë marrëdhëniet me Trumpin.

Në një intervistë për Fox News atë natë, Zelensky nuk e pranoi ofertën për të kërkuar falje. Me anglishte të çalë, ai këmbënguli se nuk e ndiente të nevojshme ta bënte këtë.

“Jo,” i tha ai gazetarit Bret Baier. “Unë e respektoj presidentin dhe e respektoj popullin amerikan, dhe… mendoj se duhet të jemi shumë të hapur dhe shumë të ndershëm. Dhe nuk jam i sigurt se kemi bërë diçka të gabuar.”

Por me manovrat tipike të Trumpit, presidenti amerikan dhe përfaqësuesit e tij ushtruan një presion të jashtëzakonshëm, që e arritën kulmin me ndërprerjen e ndihmës ushtarake brenda natës – një ndryshim tronditës në politikën e jashtme dhe vlerat gjeopolitike të Amerikës.

Mesazhi i Evropës për Zelensky-n pas dyerve të mbyllura

Refuzimi fillestar i Zelensky-t për të kërkuar falje nuk kishte të bënte vetëm me bindjen e tij se nuk kishte bërë asgjë të gabuar në Zyrën Ovale, por edhe me dëshirën e tij që marrëveshja e mineraleve të përfshinte garanci të qarta për sigurisë nga SHBA, më shumë se thjesht kontraktorë amerikanë si mburojë njerëzore.

Megjithatë, liderët evropianë i kanë dhënë Zelensky-t një mesazh të qartë privatisht: Ndikimi i vendimit të Trump për të prerë ndihmën ushtarake është aq serioz, saqë ai duhet të bëjë një hap pas.

Mesazhi është: “Riparo përplasjen me Trumpin, firmose marrëveshjen e tij, dhe më pas punojmë së bashku – ne evropianët – për të siguruar garanci të vërteta sigurie nga Amerika, në mënyrë që të zhvendosim presionin te Putin.”

Çfarë po e shqetëson Zelensky-n?

Por, ka një problem që me siguri po rëndon më shumë mbi mendjen e Zelensky-t dhe po e shton rezistencën e tij: Gjuha që po përdorin njerëzit përreth Trump-it është kaq hapur pro-Putin, saqë duket e pashpjegueshme.

Shikoni se çfarë ka postuar Elon Musk në X gjatë 24 orëve të fundit – një dhuratë për Putinin:

“Sado e pakëndshme të jetë, Zelensky-t duhet t’i ofrohet një lloj amnistie në një vend neutral, në këmbim të një tranzicioni paqësor drejt demokracisë në Ukrainë.”

Një gjë është të ruash një strategji të kujdesshme për të mos provokuar palën tjetër (Rusinë) në mënyrë që ta sjellësh në tryezën e negociatave.

Por është krejtësisht tjetër gjë të dobësosh qëllimisht palën tënde, duke i dhuruar kundërshtarit një retorikë të marrë drejtpërdrejt nga manuali i tij politik. / bota.al

Back to top button