“Der Spiegel”
Mhamad sheh para tij telat me gjemba dhe më pas ushtarët polakë. Fytyrat e tyre janë të mbuluara, dhe ata janë të armatosur. Kur kthen kokën pas,Mhamad sheh ushtarë bjellorusë. Edhe ata janë të armatosur dhe mbajnë maska në fytyrë.
Sa herë që Mhamad ose fëmijët e tij duhet të hyjnë në pyll për nevojat personale, ata duhet të kalojnë para burrave që kanë zënë pozicione pas tyre. Mhamad na shpjegon përmes telefonit se bjellorusët u japin vetëm 5 minuta për ta bërë këtë. “Mos ikni. Ne do t’ju gjejmësërish!”- na thonë ata.
Mhamad, një 40-vjeçar i martuar dhe baba i tre fëmijëve, nuk është i interesuar të arratiset.
Ai dëshiron që të vazhdojë rrugët përpara. Mhamad u largua nga qyteti i Sulemanie në Irakun Verior, dhe mbërriti në Minsk me avion me familjen e tij nëpërmjet Dubait,me shpresën për të shkuar në Bashkimin Evropian dhe për të aplikuar për azil, duke u detyruar të rrezikojë jetën duke kaluar nëpër ujërat e Mesdheut.
Tani ai ka mbetur i bllokuar në kufirin e jashtëm të BE-së me gruan dhe tre fëmijët e tij. Më i vogli është më pak se 2 vjeç. Rreth 4.000 refugjatë po qëndrojnë prej disa ditësh në anën bjelloruse të gardhit kufitar pranë fshatit polak Kuzhnica. Ata u nisën më këmbë të hënën e kaluar, duke ecur për shumë kilometra përgjatë rrugës M6 drejt BE-së.
Ishte një marshim dëshpërues. Shumë prej tyre janë përpjekur vazhdimisht gjatë javëve të fundit që të kalojnë kufirin për në Poloni. Ata thonë se zyrtarët polakë i kthejnë vazhdimishtpas në duart e forcave të sigurisë bjelloruse. Pastaj bjellorusët i detyrojnë të kalojnë sërish kufirin, ose i zhvendosin në zona të tjera kufitare.
Pamjet nga helikopterët ushtarakë polakë tregojnë kampin në kufi, ku njerëz kërkojnë strehë në tenda ose në çadra dhe ndezin zjarre për të shmangur të ftohtin. Gjatë natës temperaturat bien nën zero gradë. Mhamad na dërgon foto të strehës së tij, të cilën e ndërtoi vetë duke përdorur pjesë metalike, tela, plastmasë dhe degë bredhi.
Gjatë muajve të fundit, diktatori bjellorus Alexander Lukashenko ka transportuar enkas njerëz nga Turqia dhe Lindja e Mesme. Bashkimi Evropian qëndroi duarkryq për një kohë të gjatë,teksa sundimtari në Minsk lëshonte viza turistike për njerëzit që dëshironin të iknin për në Perëndim.
Në fillim, bjellorusët i çuan drejt Lituanisë, ndërsa tani po dërgohen drejt kufirit polak.
Duket se Lukashenko po hakmerret kundër BE-së për shkak të sanksioneve të ashpra të vendosura kundër regjimit të tij, pas uljes së detyruar të një avioni pasagjerësh të kompanisë “Ryanair” në maj të këtij viti.
Dhe refugjatët janë mjeti i përsosur për shantazh. Për momentin nuk ka asgjë tjetër që krijon një panik më të madh në BE, sesa disa mijëra azilkërkues të tubuar para një pikë kufitare.Duke dashur të shtojë presionin mbi Evropën, Lukashenko ka krijuar një sistem të turpshëm,që tani shtrihet deri në Siri, Irak dhe Turqi.
Një ekip gazetarësh të “DER SPIEGEL”kanë kaluar disa javë duke raportuar në Minsk, Stamboll dhe përgjatë kufirit polak. Ata shqyrtuan të dhënat e fluturimeve dhe vizave,intervistuan trafikantët dhe ndërmjetësit që sjellin emigrantë në Bjellorusi për regjimin. Hulumtimi i tyre zbulon një sistem trafiku kundër të cilit BE nuk ka gjetur ende një zgjidhje.
Stambolli, një vatër trafikantësh
Njerëzit vijnë kur bie nata. Të rinj me pulovra të grisura. Baballarë dhe nëna me foshnja në krahë. Çdo gjë që kanë, ata e mbajnë me vete në qese plastike apo çanta shpine. Këtu fillon puna për Ibrahimin. Ai shëtit në dukje pa ndonjë synim konkret nëpër tregun në lagjen Aksaraj të Stambollit.
Në një moment, ndalon para një kafeneje me një emër arab. Ai i njeh klientët e tij nga pamja në fytyrat e tyre, dhe u shkel syrin. Ibrahimi, 34 vjeç, u largua nga lufta në Siri 7 vjet më parë. Ai thotë se u përpoq 2 herë që të kalonte në Greqi, por dështoi në të dyja rastet.
Tani, ai trafikon njerëz të tjerë në Evropë në emër të grupeve mafioze turke.
Aksaraj ka qenë prej vitesh një vend grumbullimi për trafikantët dhe refugjatët. Ibrahimi thotë se e përdorte atë si një terren për të trafikuar qindra njerëz në BE, gati gjithmonë përmes Greqisë. Por ky biznes ka ndryshuar muajt e fundit. Greqia mbylli kufijtë e saj me Turqinë, por rruga nëpërmjet Bjellorusisë për në Poloni tani është hapur dhe Ibrahimi i ështëpërshtatur situatës.
Organizatat humanitare turke vlerësojnë se disa mijëra refugjatë kanë udhëtuar nga Turqia në Bjellorusi. Ibrahimi hapi një seri llogarish me emra të rremë në Facebook dhe Telegram, duke u paraqitur si emigrant dhe i entuziazmuar për udhëtimin drejt BE-së përmes Minskut, kryeqytetit të Bjellorusisë.
Strategjia e tij është të krijojë besim tek të tjerët. Ai u dërgon disa herë mesazh emigrantëve përpara se të organizojë takimin me ta në Aksaraj. Nëse gjithçka shkon mirë, Ibrahimi i referon klientët e tij, në këmbim të një komisioni, tek një kompani e maskuar si një “agjenci udhëtimi” në Stamboll, e cila nga ana tjetër punon me “agjenci udhëtimi” të ngjashme në Minsk.
Bjellorusët më pas u lëshojnë vizat, ndërsa turqit, sirianët, irakianët dhe libanezët merren me biznesin në vend. Që nga vera, dhjetëra “agjenci udhëtimi” të tilla janë hapur në Stamboll, në qytetet veriore të Irakut, Erbil dhe Dohuk, në Bejrut, Liban dhe në Damask, Siri.
Ibrahim thotë se autoritetet turke janë plotësisht të vetëdijshme për biznesin, e megjithatë e tolerojnë atë. Nga njëra anë, mafia i jep ryshfet policisë. Nga ana tjetër, presidenti turk Erdogan, dëshiron të promovojë emigrimin në BE për të mbajtur presionin mbi evropianët.
Tani këtë taktikë po e imiton edhe Lukashenko.
Në fillim, çdo kompani në Bjellorusi ishte në gjendje të lëshonte viza për emigrantët nga Turqia dhe Lindja e Mesme. Por që nga fundi i shtatorit, vetëm 12 kompani lejohen që ta bëjnë këtë. Të paktën kështu thonë trafikantët. Me sa duket regjimi i Lukashenkos dëshiron të sigurojë sa më shumë fitime nga trafikimi i qenieve njerëzore.
Kontrabandistët dhe refugjatët thonë se tarifa për vizë është rritur nga 1200 dollarë në 1700 dollarë deri në 2500 dollarë, përveç kostos së një bilete avioni, e cila mund të jetë deri në 1000 dollarë në “Turkish Airlines” nga Stambolli në Minsk. Puna e Ibrahimit përfundon sapo klientët e tij të arrijnë në Minsk.
Ai thotë se ata duhet ta organizojnë vetë udhëtimin në vazhdim. Në Minsk, kompanitë iakomodojnë refugjatët kryesisht në hotele, të cilat kanë lidhje me administratën presidenciale të Lukashenkos. Është një biznes fitimprurës, pasi vlerësohet se aktualisht në Bjellorusi ka rreth 15.000 azilkërkues. Dhe shumë njerëz vijnë çdo ditë.
Një përfaqësues i kompanisë “FlyDubai”,tha se 200 refugjatë udhëtojnë çdo ditë vetëm me këtë linjë. Një punonjës në aeroportin e Minskut foli për deri në 400 të ardhur të rinj në ditëqë në fillim të tetorit. Kërkesa është bërë aq e madhe saqë ambasada bjelloruse në Damask përkohësisht nuk po pranon më aplikime për viza, zyrtarisht për “arsye teknike”. Sipas një postimi në Facebook, aktualisht janë duke u përpunuar 2200 pasaporta.
Si ligji evropian po ashtu edhe Konventa e Gjenevës për Refugjatët, thonë se azilkërkuesit që kanë hyrë në territorin e BE-së, kanë të drejtën e procedurave të drejta të azilit. Por në Poloni, kjo e drejtë është shumë e kufizuar. Anëtarët e Parlamentit Evropian nga Partia e Majtë, Të Gjelbrit, Socialistët dhe Demokratët dhe disa Liberalë kanë kërkuar prej javësh që të nisin procedurat kundër Varshavës.
Edhe Komisioni Evropian po shqyrton ligjet përkatëse në vendet e Evropës Lindore të përfshira në këtë krizë, por nuk ka marrë ende një vendim. Por nënë parim, shumë vende në BE e mirëpresin qasjen e ndërmarrë nga qeveria polake. Në fakt, në Bruksel ka shpërthyer një debat nëse BE duhet të paguajë për gardhin e ri në kufirin polak.
Marrë me shkurtime