Vaksina anti-Covid e prodhuar nga Universiteti i Oksfordit dhe kompania AstraZeneca, mori të mërkurën aprovimin e shpërndarjes masive në Britaninë e Madhe. Po si funksionon kjo vaksinë? Vaksina e quajtur ChAdOx1 nCoV-19, përdor një version të padëmshëm dhe të dobësuar të një virusi të zakonshëm, që shkakton një ftohje tek shimpanzetë.
Studiuesit e kanë përdorur tashmë këtë teknologji për të prodhuar vaksina kundër një numri patogjenësh përfshirë gripin, Zikën dhe Sindromën e Frymëmarrjes në Lindjen e Mesme (MERS). Shkencëtarët kanë transferuar tek vaksina udhëzimet gjenetike për proteinën me thumba, që vesh nga jashtë koronavirusin, dhe që i duhet për të pushtuar qelizat.
Kur vaksina hyn në qelizat brenda trupit, ajo e përdor këtë kod gjenetik për të prodhuar proteinën e koronavirusit. Kjo indukton një përgjigje imune, duke filluar sistemin imunitar për të sulmuar koronavirusin nëse infekton trupin. Virusi është modifikuar gjenetikisht, ndaj është e pamundur që ai të rritet tek njerëzit.
Po sa efektive është vaksina e Oksfordit? Të dhënat e botuara në revistën mjekësore “Lancet” në fillim të dhjetorit treguan se vaksina ishte 62 për qind efektive në parandalimin e Covid-19 midis një grupi prej 4.440 personash që morën 2 doza standarde të vaksinës, dhe i krahasuar me 4.455 njerëzit që morën një ilaç placebo.
Nga 1.367 njerëz që morën gjysmën e dozës së parë të vaksinës të ndjekur nga një dozë e dytë e plotë, 90 për qind patën mbrojtje kundër Covid-19, kur u krahasuan me një grup kontrolli prej 1.374 personash. Të dhënat e përgjithshme të “Lancet”, të cilat u rishikuan nga kolegët, paraqesin rezultate të plota nga provat klinike me më shumë se 20.000 njerëz.
Në një intervistë për “Sunday Times”, shefi ekzekutiv i AstraZeneca, Paskal Sorio, sugjeroi se të dhëna të tjera të paraqitura tek autoriteti rregullator, treguan se vaksina mund të kenë një efikasitet 95 për qind të arritur nga vaksinat e Pfizer/BioNTech dhe Moderna.
“Ne mendojmë se e kemi kuptuar formulën fituese, dhe si të kemi efikasitet që pas dy dozave”- tha ai. Midis njerëzve që iu dha ilaçi placebo, 10 u pranuan në spital me koronavirus, përfshirë 2 me formë të rëndë, me njërin që humbi jetën.
Por midis atyre që u vaksinuan, nuk kishte shtrime në spital ose raste të rënda. Por a funksionon kundër llojit të ri mutant të koronavirusit? Profesori i Oksfordit Endrju Polard thotë:”Për momentin nuk ka asnjë provë që vaksinat, nuk do të funksionojnë kundër një varianti të ri, Por kjo është diçka që duhet ta shohim hap pas hapi. Ne nuk mund të jemi të vetëkënaqur për këtë variant, ose ndoshta edhe variantet e së ardhmes.
Një nga gjërat më të rëndësishme që shkenca duhet të vazhdojë të bëjë tani ndërsa ecim përpara, është të monitorojmë viruset që janë përreth, dhe të sigurohemi që vaksinat janë ende jenë efektive kundër tyre”- theksoi ai.
Po si u krijua “kaq shpejt” vaksina e Oksfordit, dhe a është e sigurt? Kjo vaksinë (ashtu si ajo e Pfizer) është zhvilluar më shpejt se vaksinat e tjera, për disa arsye. Asnjëra prej tyre nuk ka të bëjë me mungesën e sigurisë apo djegien e etapave. Së pari, puna për një plan për të trajtuar pandeminë tjetër të madhe në botë nisi vite më parë, me shpërthimin e Ebolës në vitet 2014-2016.
Ndërkohë financimi është një element kryesor për zhvillimin e vaksinave. Dhe paratë ishin me bollëk. Për më tepër vaksina ka nisur të testohet tek njerëzit që në prill. Dhe që atëherë, vaksina i ka kaluar të gjitha fazat e nevojshme. Faza e tretë përfshiu 30.000 vullnetarë.
Po si ndryshon vaksina e Oksfordit nga ajo e vaksina Pfizer-BioNtech? Ajo nuk ka nevojë të ruhet në -70 gradë Celcius siç bën vaksina Pfizer. Endrju Hajuord, profesor i epidemiologjisë së sëmundjeve infektive në Kolegjin Universitar Londër, thotë se kjo do të bëjë “një ndryshim të madh”. “Kjo do të thotë që ne mund t’i çojmë vaksinat atje ku është e nevojshme, në vend se t’i sjellim njerëzit në vendet e kufizuara, ku ne mund ta shpërndajmë atë”- tha ai. / bota.al