Një nga mitet më intriguese të Greqisë së Lashtë, është ai i Minotaurit në ishullin e Kretës, hibridi gjysmë dem dhe gjysmë njeri i mitologjisë greke. Historia e Minotaurit të bllokuar në një labirint të ndërtuar enkas për të nga njerku i tij i tmerruar, mbreti Minos i Kretës, dhe që ushqehej me mish njeriu në burgun e tij nëntokësor, i ka magjepsur njerëzit për breza të tërë.
Piktura që paraqesin një përbindësh të tillë dhe labirinte të ndryshme janë zbuluar në ishullin mesdhetar, që janë gjurmët e fundit të kulturës antike minoane. Ndërsa legjenda ka evoluar gjatë shekujve si në veprat kulturore greke ashtu edhe në ato romake.
Në mitologjinë greke, mbreti Minos ishte një nga 3 djemtë e lindur nga Zeusi dhe Evropa. Kur njerku i tyre, mbreti Asterion vdiq, Minos u shpall mbret dhe e emëroi vëllain e tij Sarpedon si ligjvënës të të gjithë ishujve. Sarpedoni e vuri në dyshim autoritetin e vëllait të tij, por Minos i tha se ishte vullneti i Zotave që ai të bëhej mbret.
Si provë për këtë gjë, ai i flijoi një dem perëndisë Poseidon, duke i kërkuar më pas që t’i dërgonte një dem tjetër për të njëjtin qëllim. Poseidoni e dëgjoi kërkesën e tij dhe i dërgoi një dem të bukur të bardhë nga deti. Mbretit Minos – si dhe qytetarëve të Kretës – u bëri përshtypje dhe për shkak se demi ishte aq i bukur, Minos e la të lirë dhe flijoi në vend të tij një dem më të vogël.
Minos ishte martuar me perëndeshën Pasifa, dhe së bashku patën shumë fëmijë, përfshirë Ariadne, Fedra, Galucus dhe Androgeus. Kur Poseidoni e kuptoi që Minos kishte flijuar një dem më të vogël, ai vendosi ta ndëshkonte mbretin për egoizmin dhe mosrespektimin e tij, duke bërë që Pasifa të dashurohej me demin e bardhë.
Pasifa – e dëshpëruar nga dashuria e saj për demin – kërkoi ndihmë nga skulptori dhe inxhinieri Dedalus. Ky i fundit ndërtoi një lopë prej druri të zbrazët nga brenda, në të cilën ajo mund të fshihej. Skulptura ishte aq e bukur saqë demi i bardhë u mashtrua dhe ata e konsumuan dashurinë e tyre.
Rezultati i këtij bashkimi ishte Minotauri, një kafshë e fuqishme me një trup njerëzor dhe kokën e një demi. Kur Minosi e pa kafshën, u tërbua nga inati dhe i kërkoi Dedalusit të ndërtonte një labirint me korridore të shumta, ku Minotaur mund të mbahej rob përgjithmonë.
Kjo ishte origjina e labirintit të madh të famshëm, nga i cili Minotauri nuk mund të dilte dot. Me kalimin e kohës, arkeologët janë përpjekur që të zbulojnë vendndodhjen e këtij labirinti në ishullin e Kretës, duke besuar se ai ishte frymëzimi për mitin e Minotaurit.
Bazuar në leximin e një teksti të lashtë grek nga Pausanias, arkeologu anglez Artur Evans besonte se labirinti mitik e kishte zanafillën në Knosos, në bregdetin verior të Kretës. Siti më i madh arkeologjik i epokës së bronzit në ishull, Knosos ishte dikur qendra e civilizimit Minoan, si dhe shtëpia e mbretit Minos.
Por ka ndërkohë edhe struktura të tjera në formë labirinti në shpellat e vendosura afër Gortinit. Më vonë, kur djali i Minosit Androgeus u vra nga athinasit, Minos i shpalli luftë Athinës dhe fitoi. Si ndëshkim, ai e detyroi Athinën t’i dërgonte çdo 9 vjet7 djem të rinj dhe 7 vajza të reja për t’i sakrifikuar tek Minotauri.
Vlen të përmendet se mbreti Minos ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me Zeusin, çka do të thotë se të gjitha veprimet e tij kishin miratimin indirekt të Zotave. Një nga të rinjtë athinas, i dërguar për t’u flijuar ishte një princ i ri, i quajtur Tezeu, bir i Egjeut, mbreti i Athinës.
Pasi doli vullnetarisht për tu bërë fli, Tezeu u zotua ta vrasë Minotaurin. Disa versione të legjendës pretendojnë se vajza e Minosit, Ariadne, u dashurua me Tezeun dhe i dha një top me fije për ta ndihmuar që të gjente rrugën e tij nga burgu labirint.
Tezeu njihet tashmë për vrasjen e Minotaurit, produkt i lakmisë njerëzore dhe zemërimit hyjnor. Brenda kësaj përrallë mitike, është intriguese të shohësh edhe një herë përfshirjen e Zotave në punët njerëzore, si dhe ndëshkimet që pësonin kur njerëzit nuk ishin të bindur ndaj tyre.
Lindja e hibrideve – gjysma njerëz dhe gjysmë kafshë – është gjithashtu një model i zakonshëm në mitet e të gjithë botës. Por a ka gjasa që krijesa të tilla të kenë ekzistuar në realitet? Arkeologjia sugjeron që këta të ashtuquajtur popuj “primitivë”kishin thjesht një imagjinatë shumë të gjallë. / Ancient Origins – Bota.al