Analiza

Si ndërtohet një dinasti politike

Screen Shot 2015-04-03 at 12.57.30 PM

Nga Madeleine Colbert “Yale University”*

Pra, ju doni pushtetin politik? Mund të vendosni emrin tuaj në shkollat fillore dhe autostrada, ëndërroni që një turmë të thërrasë emrin tuaj? Në Amerikë, kjo do të thotë se duhet të drejtoni një fushatë të pamëshirshme, ndërsa duhet të mbeteni i pëlqyeshëm për votuesit. Kjo kërkon punësimin e strategëve më të mirë, fjalime të llogaritura saktë, dhe para për ta bërë emrin tuaj të njohur.

Dhe kush merr pjesë në fushatat më të mira? Ekspertë dhe opinionistët e kanë gjithnjë përgjigjen në majë të gjuhës: dinastitë politike. Ato janë quajtur versioni amerikan i familjes mbretërore, pasi kanë qasje tek më shumë burime, sesa çdo kandidat mesatar. Pra, ju doni të jetë i fuqishëm? Provoni të themeloni një dinasti.

Dinastitë politike kanë ekzistuar në politikën amerikane për shekuj me radhë. Por çfarë do të thotë një dinasti sot? Ajo duket e vjetëruar nën një klimë politike, që ndryshon me shpejtësi. Shumë njerëz kanë përkufizimet e tyre. Stefën Hes, profesor në Institutin Brookings dhe një anëtar i veteran i stafeve presidencale të SHBA-së, e shpjegoi çfarë përbën një dinasti, në një artikull në “Washington Post” në vitin 2009.

Ai përcaktoi se duhet të ketë të paktën 3 breza njerëzish me poste të larta publike, për ta quajtur një familje dinasti dhe se anëtarët duhet të jenë në lidhje gjaku (kështu, për shembull, Kenedit s’mund të llogarisin Arnold Shvarcenegerin).
Megjithatë, Barbara Kelerman, një profesore e lidershipit publik në Universitetin e Harvardit, ka një mendim krejt tjetër. “Në përgjithësi, nëse flisni për një dinasti politike, edhe një brez i vetëm ndoshta mund të quhet i tillë. Nuk mendoj se duhet të shkohet nga gjyshi, djali dhe i nipi” – shprehet ajo. Kelerman ndërkaq pohon se termi dinasti nuk është mënyra më e drejtë për të kategorizuar prirjet aktuale politike. “Ajo që është më interesante tani, është se ndërsa gratë kanë hyrë ne jetën publike dhe gradualisht marrë role udhëheqëse, (pushteti familjar politik) nuk është domosdoshmërisht një gjë brezash, por më shumë ajo që ne (mund) ta mendojmë si nepotizëm – që thjesht lidhet me një anëtar të familjes, vetëm për shkak të njohjes së emrit” – thotë Kelerman. Sipas saj, një mënyrë e mirë për të menduar për këtë, në dekadën e dytë të shekullit të XXI-të është rëndësia farefisnore, jo domosdoshmërisht farefisnia dinastike.

Pavarësisht sesi e përcaktoni atë, ne mund të pajtohemi që këto lidhje familjare ekzistojnë në politikën e sotme – një garë presidenciale në vitin 2016 mes Hilari Klintonit dhe Xheb Bushit është shumë e mundur. Këshilltari politik dhe analisti Bazil Shmikle shpjegon: “Kur keni të bëni me një dinasti politike, nuk ka rëndësi çfarë marrëdhënie në familje kanë zyrtarët e zgjedhur. Ata do të ndërtojnë aty rrjetin e mbështetjes së tyre, dhe kjo është ajo që ka shumë rëndësi”.

Si mund të fillojë ndërtimi i një dinastie politike? Për fat të keq, dikush duhet të bëjë punën e vështirë të hapjes së rrugës për themelimin e një zyre politike. Këtë mund ta bëjë personin që ka ambicjet, ose një pjesetar tjetër i familjes. Ras Bejker, gazetar investigativ dhe autor i librit “Familja e Sekreteve, një histori mbi Bushët”, e përshkruan kështu këtë skenar: “Ka pasur njerëz në historinë e Amerikës, të cilët nuk kanë dashur të jenë zyrtarisht në politikë, por kanë qenë pushteti prapa fronit. Ata mbështesin zgjedhjen e një vëllai ose fëmijës që i pëlqen jeta publike dhe që mund të jetë më shumë karizmatik. Ka disa shembuj të vërtetë, ku anëtari i qetë i familjes, ishte lloj mjeshtri-projektues.

Për shembull, David Rokefeler, i cili ishte tepër i fuqishëm, vendosi të mbetet i përqëndruar në sektorin e financës dhe të punojë në “prapaskenë”, ndërsa vëllezërit dhe motrat e tij morën poste zyrtare. Pasi jeni zgjedhur dhe keni shërbyer, për një kohë të mjaftueshme në detyrë, është koha të inkurajoni brezin e ardhshëm për të marrë stafetën. Dhe këtu është momenti, kur gjithë puna e madhe fillon të shpërblejë familjen tuaj”.

Shmikle beson se ka disa hapa, që mund të ndërmerren për të pasuar një anëtar të familjes në një post zyrtar. Ai vë në dukje se nëse dikush niset thjesht nga emri i familjes, sigurisht që ka baza të shëndosha, megjithatë ka ende mjaft sfida përpara. “Ju duhet të premtoni të ndërtoni pikat e forta të paraardhësit tuaj, por edhe të premtoni se keni nxjerrë mësim nga dobësitë e tyre. Duhet ndërkaq të jeni në gjendje t’u shpjegoni votuesve, se pse nuk do të bëni të njëjtat gabime, ndonjëherë në mënyrë shumë specifike dhe haptazi, dhe nganjëherë vetëm duke e nënkuptuar”. Por si mund të merrni dikë tjetër në familjen tuaj për të kandiduar? Kjo është padyshim pjesa më thelbësore e ndërtimit të një dinastie. E pra, në disa raste ata mund të duan. Doug Wead, një historian presidencial dhe autor bestseller, beson se është befasues lloji i familjeve politike që formohen. “Është e natyrshme që një fëmijë të kërkojë të kënaqë prindërit e vet me anë të mimikës. Familjet presidenciale nuk janë të ndryshme; ju e vëreni atë shumë qartë tek presidentët, por ju duhet të shihni përmes historive me njerëz të pushtetit”.

Shmikle, nga ana tjetër, pretendon se më i rëndësishëm se presioni prindëror janë rrethanat e fushatës. “Duhet të jeni pak narcistik për të kandiduar për poste zyrtare. Duhet të shkoni jashtë në publik dhe t’u tregoni njerëzve se jeta e tyre do të shkojë mirë për shkakun tuaj. Unë nuk e di nëse ka familje të veçanta që janë më të prirura për të kandiduar sesa të tjerët, por unë e di se ju mund të transmetoni ambiciet tuaja politike tek anëtarët e tjerë të familjes. Megjithatë ata jo domosdoshmërisht duhet të kalojnë përmes rrethanave të një fushate të veçantë” – thotë ai.

Në të vërtetë, rrethanat përcaktojnë fushatat politike. Një kandidat duhet të garojë në kohën e duhur, me platformën e duhur për çështjet aktuale. Ju duhet të prisni me durim për kohën tuaj. Por, çfarë ndodh nëse është koha e duhur? Një kandidat që garon duke patur përkrah një anëtar politikisht aktiv të familjes, ka një avantazh të dukshëm në raport me kundërshtarin. Kjo pasi ata kanë qasje më të lehtë në përbërësin më të rëndësishëm të një fushate politike: paratë.

Financat e fushatës janë një nga avantazhet më të mëdha që kanë dinastitë politike. Sipas Kelerman, “njerëzit urrejnë t’u japin para njerëzve, për të cilët nuk kanë dëgjuar kurrë më parë”. “Ata do të japin shumë më tepër para për njerëzit që kanë dëgjuar, për shkak se mendojnë se ata kanë më shumë gjasa të jenë fitues”.

Fushatat kanë një shumëllojshmëri të gjerë shpenzimesh, por pjesa masive e shpenzimeve të tyre ka të bëjë me ndërtimin e njohjes së emrit. Shmikle pohon se nëse një anëtar i familjes hyn në një garë me një emër tashmë publik, këto burime mund të shpenzohen për aksione të tjera. “Ka një lejim të elitizmit të trashëguar dhe kapitalit intelektual në politikën amerikane” – pohon ai. Merrni për shembull Xhorxh W. Bushin. Ai kishte edhe emrin dhe mbiemrin e një presidenti, dhe

kështu burimet e tij të mëdha financiare do të mund të shpenzohen në prioritetet e tjera. Kur Bejker po shkruante librin e tij, ai hetoi mbi fushatën e parë të Bushit për t’u zgjedhur në Kongres. Bejker shqyrtoi financat e fushatës dhe zbuloi se Bushi kishte një numër të madh donatorësh nga shumëkush në Shtetet e Bashkuara, edhe pse ai do të përfaqësonte një zonë në perëndim të Teksasit.

“Unë pashë se familja Bush kishte krijuar një rrjet me disa prej njerëzve më të pasur dhe më konservatorë në Amerikë, që e kuptuan se kjo familje do të kujdesej edhe për interesat e tyre” – tha Bejker. “Unë mendoj se dinastia Bush është ndërtuar me idenë se ajo do të mbronte interesat e njerëzve të pasur, dhe se këta të fundit mund të kishin besim” – shton ai. Ndryshimet e fundit mbi ligjin e financave të fushatës kanë lejuar vërshimet masive të parave për të hyrë në arenën politike, veçanërisht vendimin e Gjykatës Supreme kundër Komisionit Federal të Zgjedhjeve. Bejker beson se të pasurit favorizojnë dinastitë politike dhe do të përdorin fuqinë e tyre në emër të tyre.

Nga ana tjetër Stefën Hes, nuk e sheh shumë pabarazinë, kur vjen puna tek dinastitë politike dhe financat e tyre. “Kur të keni arritur nivelin për të garuar për presidencën, kjo bëhet shumë e qartë në media. Por e vërteta është se kushdo që është një kandidat serioz, mund të grumbullojë një sasi të mjaftueshme parash” – shpjegon ai.

Ndërsa financat janë vendimtare për të patur një fushatë të suksesshme, kështu është edhe koha e duhur për të garuar. Ndoshta mjedisi më i favorshëm për një anëtar të një dinastie politike, është kur një anëtar i një tjetër dinastie gjithashtu është duke garuar.
Edhe pse kjo mund të duket kundërproduktive, duke neutralizuar avantazhin që ju keni mbi kundërshtarin mesatar politik, ajo gjithashtu neutralizon një nga dobësitë tuaja më të mëdha: lidhjet me aristokracinë dhe pabarazinë. “Ne kemi një situatë të pazakontë, kur dinastitë paraqiten në garë në të njëjtën kohë … ku parimi “kontrollo dhe balanco” është zhdukur. Kjo është arsyeja e vërtetë pse, sipas mendimit tim, Xheb Bush po kandidon për president. Nëse ai do të garojë në zgjedhjet e vitit 2020, ai do të jetë i sulmuar, por nëse ai garon në 2016, atëherë çfarë mund të thonë demokratët? Hilari Klinton është kundërshtarja e tij” – shpjegon Wead.

Një nga pyetjet më të mëdha është nëse këto dinasti janë të rrezikshme për politikën amerikane. Wead beson se ato janë të dëmshme dhe “shumë të rrezikshme” për demokracinë. “Ato të çojë në anomali sociale, ku grupe të vogla njerëzish marrin të gjitha vendimet. Në Shtetet e Bashkuara këta janë me mijëra, por pranë janë shumë pak”. Por jo të gjithë e shohin këtë lloj rreziku.

“Në këtë pikë, unë nuk mendoj se ata duhet të reflektojnë shumë. Ata janë realisht një përqindje shumë e vogël e njerëzve të zgjedhur në poste zyrtare. Në përgjithësi kur ju studioni këto familje me kalimin e kohës, ata rezultojnë se kanë qenë më lart se figurat politike mesatare. Ne s’kemi pasur një dobësi të madhe nga të paturit ata mbi krye, dhe ata gjithmonë mund të munden” – thotë Hes.

Shmikle ndan një mendim të ndërmjetëm. “Unë nuk mendoj se ata janë të rrezikshëm për demokracinë amerikane. Kushdo që do të kandidojë për poste, duhet të garojë. Problemi me të cilin përballemi, është se ka shumë më pak verifikim të kandidatëve që ju normalisht do të shihni në një fushatë, sepse ata individë janë të prirur për të shfrytëzuar lidhjet e tyre familjare. Unë mendoj se është më shumë detyrë e votuesve dhe medias, për të bërë hulumtimin e tyre paraprak” – thekson ai. Shënim: Kjo pjesë është botuar fillimisht në revistën politike të Yale University

Marrë me shkurtime e përkthyer nga www.bota.al


Shënim: Kjo pjesë është botuar fillimisht në revistën politike të Yale University

Marrë me shkurtime e përkthyer nga www.bota.al

Screen Shot 2015-04-03 at 12.58.16 PM

 

Leave a Reply

Back to top button