Bora dhe ngricat kanë pushtuar jugun e Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke u bërë shkak për qindra aksidente automobilistike. Shkollat në pjesën më të madhe të qytezave u mbyllën ndërsa bora arriti deri në 20 centimetra. Në Xheorxhia, autoritetet shtynë deri të hënën e ardhshme ekzekutimin e gruas së parë që prej 70 vitesh për shkak të motit të keq. Ekzekutimi, që pritet të zbatohet të hënën, do të jetë i nënti këtë vit në Shtetet e Bashkuara. Në Karolinën e Veriut akulli dhe bora i zuri në befasi banorët pasi parashikuesit e motit nuk e prisnin uljen drastike të temperaturave, që arritën deri në -20 gradë celsius, duke thyer rekordin e vendosur që prej vitit 1967 kur temperaturat kishin rënë deri në -10 gradë.
Në Alabama, guvernatori Robert Bentli shpalli gjendjen e emergjencës pasi bora ka arritur deri në 15 centimetra trashësi, rrugët janë bërë të pakalueshme për shkak të akullit dhe një stuhi e fortë pritet në ditët në vijim. Situata ka gjetur disi të papërgatitur shtetet e jugut, ndërsa në veri, i ftohti i acartë ka mbërritur prej disa javësh. Në shtetin më verior, Mein, dhjetëra vetë u nxorën nga forcat zjarrfikëse nga makinat ku kishin ngecur pas një aksidenti masiv ku u përfshinë 40 automjete. Fatmirësisht nuk pati viktima, por autostrada ku ndodhi aksidenti qëndroi e mbyllur për gjithë ditën e mërkurë.
1 minute read