“Dhe si quhet ky mjet?”
“Pegasus, gjeneral. Si kali me krahë i mitologjisë greke. Është një spyware (aplikacion spiunazhi). Lejon përgjimin e një telefoni pa lënë gjurmë. Mund të dijë gjithçka në kohë reale: e-maile, foto, kontakte, thirrjet hyrëse dhe dalëse. Madje, mund të shohë edhe çfarë po bën personi nëpërmjet kamerës së telefonit. Dhe ai, natyrisht, nuk kupton asgjë.”
Gjenerali i ushtrisë meksikane mbeti gojëmbyllur, ndërsa shikonte me skepticizëm gjashtë teknikët izraelitë të NSO Group që ndodheshin përballë tij. Negociatat ishin bllokuar. Arsyeja? Çmimi: 60 milionë dollarë nuk ishin shaka. Por nëse Pegasus funksiononte, ai që e zotëronte do të kishte një armë të pathyeshme. Do të kishte sy dhe veshë kudo.
Në dhomë mbizotëronte një ndjenjë sikleti dhe njëfarë tensioni. Gjenerali e lehtësoi atmosferën me një buzëqeshje të gjerë dhe një propozim: “Do të shihemi sonte, në një vend më diskret. Jam i sigurt që do të arrijmë një marrëveshje.”
Vendi ishte një lokal striptizmi. Të pranishmit e paktë u larguan dhe të gjashtë të dërguarit e kompanisë më të sofistikuar të informatikës në botë u gjendën përsëri duke negociuar me gjeneralin dhe oficerët e tij. Marrëveshja u finalizua dhe Meksika u bë vendi i parë në botë që pajisej me një mjet spiunazhi, i cili vetëm katër vjet më vonë do të zbulohej përmes një denoncimi të bujshëm: Pegasus kishte përgjuar, dëgjuar dhe ndjekur deri në 15 mijë persona. Jo terroristë të mundshëm apo kriminelë të rrezikshëm, siç parashikonte marrëveshja e blerjes, por thjesht qytetarë të zakonshëm.
Do të duheshin të paktën 10 vjet për të zbuluar ekzistencën e “vëllait të vogël” të Pegasus, Paragone, i cili u zbulua në Itali.
Historia, e konfirmuar nga katër burime të drejtpërdrejta, u shfaq në New York Times në vitin 2014, tre vjet pas blerjes nga qeveria meksikane të asaj që vetë gazeta amerikane e përshkruante si “arma kibernetike më e fuqishme që ekziston”. Reportazhi i gjatë shkaktoi një skandal të vërtetë. Edhe sepse u zbulua se ishte përdorur për të përgjuar gazetarë, aktivistë dhe kundërshtarë politikë, profesorë dhe intelektualë, madje edhe disa parlamentarë. Presidenti i atëhershëm i Meksikës, Enrique Peña Nieto, mohoi çdo përfshirje të qeverisë së tij. E megjithatë, gjurmët e Pegasusit shkojnë pas në kohë, deri në vitin 2012, kur në pushtet ishte Felipe Calderón. Përfaqësuesi i PAN-it (Partia e Veprimit Kombëtar) do të mbetet i famshëm në historinë e vendit për luftën e tij kundër Karteleve të drogës, e cila shkaktoi një masakër të vërtetë mes popullsisë: 100 mijë të vdekur.
Dyshohet se ishin pikërisht krerët e ushtrisë së atyre viteve që kërkuan diçka në treg, e cila të mund të thyente murin e mbrojtjes që rrethonte narkotrafikantët. Përgjimi i tyre ishte i pamundur. Ata përdornin Blackberry, një model telefoni të papërshkueshëm nga sulmet kibernetike.
Pas natës së kaluar në klubin e striptizmit, më 25 maj 2011, Eran Reshef, një përfaqësues i industrisë së mbrojtjes izraelite që kishte ndihmuar në ndërmjetësimin e marrëveshjes, shkroi një e-mail drejtuar presidentit të NSO dhe dy themeluesve të tij, duke njoftuar se “demonstrimi për presidentin e Meksikës dhe sekretarin e Mbrojtjes do të zhvillohet të premten e ardhshme”. Ai i referohej Felipe Calderónit dhe Guillermo Galván Galván. Një kopje e këtij e-maili përfundoi mes dokumenteve të një çështjeje gjyqësore izraelite të ngritur për komisionet e dyshuara, të marra nga kompania e informatikës nga shitja e Pegasusit në Meksikë.
Gjatë procesit, dy dëshmitarë, të pranishëm në negociata, deklaruan se takimi përfundimtar u zhvillua në një bazë të madhe ushtarake në periferi të Mexico City. Calderón dhe Galván u ulën përpara ekraneve të mëdhenj të vendosur në mure, ku shfaqej një telefon i hakuar. Udi Doenyas, drejtori teknik i NSO dhe projektuesi i spyware-it, konfirmoi gjatë gjyqit se ishte ai që e lidhte sistemin me njërin nga ekranet dhe që i kishte dorëzuar një telefon Blackberry njërit prej të pranishmëve. Oficeri i ushtrisë filloi të shtypte disa butona, thjesht për të shkruar një mesazh të zakonshëm. Gjithçka dukej normale. Telefoni nuk jepte asnjë shenjë komprometimi. Por Pegasus filloi sistematikisht të nxirrte çdo të dhënë dhe ta transmetonte në ekran në mënyrë që të ishte e dukshme për të gjithë.
“Ky ishte pikërisht mjeti që na duhej”, do të pranonte më vonë Guillermo Valdés, ish-drejtori i CISEN-it, shërbimi sekret i Meksikës. “Deri në atë moment, nëse dikush që e përgjonim e fikte telefonin, nuk dinim më ku ndodhej”.
Katër muaj më vonë, në shtator 2011, rreth 30 punonjës të NSO udhëtuan në Meksikë për të instaluar spyware-in. Ata e testuan dhe trajnuan një grup prej 50 ushtarësh dhe oficerësh mbi përdorimin e teknologjisë. Autoritetet meksikane ishin entuziaste. Aq shumë sa që, pas marrjes së detyrës nga presidenti Enrique Peña Nieto, marrëveshja me kompaninë izraelite u rinovua nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe nga CISEN-i. Pegasus ndihmoi në arrestimin e vetë El Chapo Guzmánit.
Dhe pikërisht në këtë periudhë ai u përdor kundër gazetarëve, mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe kundërshtarëve politikë. Falë Apple, ashtu siç bëri Meta në Itali me Graphite të Paragone Service, ky operacion i madh spiunazhi u zbulua. Një mesazh mbërriti në telefonin e Santiago Aguirre, një aktivist i njohur për të drejtat civile. “Të kanë hakuar”, e paralajmëroi gjiganti i teknologjisë nga Cupertino. Mjaftonte të hapej një SMS. Një klikim i vetëm dhe Pegasus, si një kalë troje, hynte në celularin e viktimës.
Pavarësisht mohimeve të qeverisë, një komision hetimor parlamentar konfirmoi praninë e Pegasusit falë testeve të kryera nga Citizen Lab. Në fund, Pegasus përfundoi në duart e Karteleve të drogës dhe u përdor për të përgjuar e vrarë gazetarët në mes të rrugës.
Gjithçka shkakton një bujë gjithnjë e më të madhe. Presidenti Nieto vazhdon të mohojë çdo përfshirje të qeverisë së tij. Por një komision hetimor parlamentar konfirmon praninë e këtij spyware-i falë testeve të kryera nga Citizen Lab, një grup monitorimi me seli pranë Universitetit të Torontos, të cilit i ishin drejtuar viktimat.
Hetohen katër zyrtarë të lartë, mes të cilëve Tomás Zerón, ish-kreu i hetimeve të prokurorisë së përgjithshme në kohën e Calderónit. Hetimet nuk çojnë askund. Zerón, i cili ishte gjithashtu përgjegjës për hetimin mbi zhdukjen e 43 studentëve të Ayotzinapa-s, arratiset dhe gjen strehim në Izrael, i cili ende sot refuzon ta ekstradojë. Më vonë zbulohet se si prokuroria e përgjithshme ashtu edhe ushtria e ndoqën hap pas hapi këtë mister të vitit 2014 falë Pegasus-it, një çështje që nuk është sqaruar kurrë plotësisht.
Pasi kishte premtuar se do të hiqte dorë prej tij, edhe presidenti Obrador ka vazhduar ta përdorë përmes strukturave të inteligjencës. Ndërkohë, vëzhgimi i madh dhe syri oruellian ishte përhapur në mbarë botën. Të paktën 19 vende, përveç Italisë, e kishin përdorur ose e kishin marrë në konsideratë. Në Meksikë kishte përfunduar në duart e Karteleve, të cilët e patën të lehtë të ndiqnin gjurmët e gazetarëve dhe t’i vrisnin ata në mes të ditës, në rrugë.
Në Turqi u përdor nga vrasësit sauditë për të eliminuar Jamal Khashoggi-n, editorialistin dhe shkrimtarin e njohur, i cili u tërhoq në një kurth dhe u bë copa-copa brenda konsullatës saudite në Stamboll. / L’Espresso – Bota.al